Lajmi se 23 mln euro u sekuestruan në aeroportin e Parisit, në dy valixhe diplomatike shqiptare, publikuar nga mediat në Mali, është mohuar nga policia franceze.
Lajmi i cili gjeti pasqyrim të gjerë, edhe në median shqiptare për shkak të sasisë së madhe të eurove të sekuestruara, por edhe të faktit se ndodheshin në valixhe diplomatike.
E kontaktuar nga ambasada shqiptare në Francë, lidhur me lajmin e publikuar për sekuestrimin e 23 mln eurove, policia franceze ka mohuar një operacion të tillë, duke theksuar se lajmi është i pavërtetë.
Më herët mediat në Mali publikuan se në aeroportin e Parist janë sekuestruar 23 mln euro në dy valixhe diplomatike, të cilat kishin për destinacion Shqipërinë.
Dy valixhe diplomatike me 23 milionë euro ishin përgatitur për të ardhur që nga Franca në Shqipëri, thuhej në artikull.
Mirëpo shuma e madhe e parave është bllokuar në aeroportin kryesor të Parisit. Sipas mediave të Malit, (shtet në Afrikën Perëndimore) valixhet janë diplomatike dhe kjo tregon se kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë.
“Burime nga policia thonë se dërgesa ishte për Shqipërinë, një vend i njohur si një parajsë tatimore. Autoritetet maleze nuk mund të thonë se kush i dispononte valixhet. Megjithatë, duke qenë se valixhet janë diplomatike kjo tregon se kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë”, – shkruajnë mediat e Malit
Gjatë kontrollit të dy valixheve diplomatike në aeroportin Charles de Gaullen, shtetasit nga Mali i janë gjetur 23 milionët ose 15 miliardë frangat CFA dhe është arrestuar.
“Këtë mëngjes në aeroportin Charles-de-Gaulle në Paris një shtetas nga Mali në transit për në Malajzi u arrestua me 2 valixhe që përmbajnë 23 milionë euro, pothuajse 15 miliardë franga CFA. Ne po flasim për valixhe diplomatike të lidhur kështu me shtetin e Malit”, – citohet nga ato.