Është 82 vjeç, por nuk ka hequr ende dorë nga pushteti. Ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni, ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj. Berlusconi kërkon rikthimin. Në politikën e brendshme nuk ka mundur të gjejë ende hapësirat e duhura, ndaj po i kthen sytë nga zgjedhjet europiane.
“Me politikat e saj të kursimit, burokracitë e saj, kufizimet e shumta që u janë vendosur shteteve, paratë që u merren shteteve dhe shpenzohen keq…Europa duhet të ndryshojë, e për ta ndryshuar atë, aleancat duhen ndryshuar”, tha Silvio Berlusconi, president i “Forza Italia”.
Në një tubim të mbajtur në Romë, me rastin e 25-vjetorit të partisë së tij, Berlusconi tha se, pavarësisht moshës së tij të thyer tashmë, ai do të hynte në zgjedhjet europiane. “Duket se, nevoja e pranisë sonë të rëndësishme brenda Partive Popullore Europiane është më e madhe sesa kurrë. Kjo më ka shtyrë të provoj sërish, pavarësisht moshës sime të shkuar, të jem i pranishëm në Bruksel për të luftuar edhe këtë betejë të radhës”, tha Silvio Berlusconi.
Por kush është Silvio Berlusconi?
Ai është kryeministri më jetëgjatë Italian, i njohur kryesisht për skandalet, që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës politike.
Fëmijëria
Fëmijëria e këtij njeriu është e mbushur me kujtimet e hidhura të luftës. Ai lindi në vitin 1936 dhe ishte vetëm gjashtë vjeç kur filloi lufta. Më pas do të vinte viti 1943, kriza e madhe, rënia e fashizmit, 8 Shtatori, gjermanët, frika, bombardimet. Babai i tij ishte ushtarak, në momentin e kapitullimit. Gjermanët kishin filluar ndjekjen e ushtarëve italianë dhe ai u bind nga disa miq të tij për t‘u arratisur në drejtim të Zvicrës. Kur përfundoi lufta babai i tij u kthye dhe Berlusconi e kujton këtë si ditën më të lumtur të jetës sime.
Shkolla dhe hapat e parë
Me përfundimin e luftës rikthehet qetësia në familjen Berluskoni, tashmë e ribashkuar. Pasi përfundoi shkollën elementare, Silvio frekuentoi shkollën e mesme e më pas gjimnazin “Salesiani”. Këtu nisi edhe spektakli dhe rruga e tij në biznes. Fillimisht, u bë ndihmës i operatorit të kinemasë, por filloi të ndërmerrte edhe iniciativa të tjera. Në klasë ishte i pari për mësime, mbaronte detyrat më parë se gjithë të tjerët, e më pas ndihmonte shokët e klasës, më të avashtët apo ata që mësonin më pak, në këmbim të ndonjë shpërblimi me monedha. Pas marrjes së diplomës së maturës, Silvio i komunikoi të atit, Luixhit, se dëshironte të ndiqte universitetin, duke i paguar vetë shpenzimet. Së bashku me disa nga miqtë e tij, organizoi një kompleks muzikor, të cilin e quan “Katër doktorët”. Banda e tij muzikore mori pjesë në aktivitetet studentore, në festat universitare e private, ku arriti të nxjerrë të ardhura të konsiderueshme për t‘i përballuar vetë shpenzimet.
Diplomimi dhe hyrja në rrugën e biznesit
Ndërsa studionte për ligj në Universitetin e Milanos, Berluskoni arrinte t‘i përballonte shpenzimet. Në universitet ai u njoh me Betino Kraksin, kryeministrin e ardhshëm të Italisë. Në vitin 1961 Berluskoni u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në moshën 25-vjeçare. Zhvillimin e diplomës, Berluskoni ia shiti për dy milionë lira, agjencisë së reklamave “Manzoni”, në Milano. Pas diplomimit, ai i shpëtoi shërbimit ushtarak dhe iu fut rrugës së biznesit. Më 1977 Berluskoni hyri në këshillin administrativ të gazetës “Giornale Nuovo” (“Gazeta e Re”), e drejtuar nga Indro Montaneli, e cila ishte në vështirësi ekonomike. Më 1978 bleu teatrin “Manxoni” të Milanos, i cili ishte në krizë. Më 1974 Berlusoni e zgjeroi perandorinë e tij, duke themeluar “Telemilanon”, një televizion kabllor, që shtrihej fillimisht vetëm në lagjen “Milano 2”. Duke parë një të ardhme të shkëlqyer në këtë fushë, në vitin 1978 Berlukoni invetoi 2,5 milionë dollarë për të ndryshuar monopolin e televizionit shtetëror italian, RAI. Duke iu druajtur ligjit, që lejonte transmetimin kombëtar vetëm të RAI-t, Berluskoni ngriti një sistem të televizioneve lokale, të cilat transmetonin njëkohësisht të njëjtat programe. Në vitin 1980 ai krijoi “Canale 5” (“Channel 5”), një televizion kombëtar, që u ofronte italianëve lojëra televizive dhe programe të tipit amerikan.
Më pas Berluskoni arriti ta kuptonte mundësinë ekonomike që përfaqësonte fusha komerciale e televizioneve, të cilat mund të siguronin të ardhura të mëdha ekonomike. Në këtë mënyrë ai ngriti agjencinë e reklamave “Publitalia 80”, e cila u bë nga më të mëdhatë në Evropë dhe siguronte më shumë se 2,5 miliardë dollarë në vit. Në vitin 1980 Berluskoni shpërndau aksionet e tij dhe u konsolidua edhe më shumë në zotërimin e medias. “Finivest”, një kompani private e krijuar në vitin 1975 nga Berluskoni, i cili u bë edhe presidenti i saj, mundësoi hapjen edhe të dy kanaleve televizive të mëdha private, “Rete 4” dhe “Italia 1”. Por Berluskoni nuk u mjaftua vetëm me kaq. Ai e zgjeroi perandorinë e tij, duke bërë blerje të rëndësishme në fushën e medias së shtypur (ai krijoi revistën e përjavshme “Panorama”), shtëpinë botuese “Mandadori”, si dhe u bë presidenti i klubit të Milanit.
Karriera politike
Erdhi në pushtet për herë të parë në maj të 1994 Berlusconi . Drejtonte një kabinet të mbushur me politikanë të rinj, por edhe me përvojë, që “Kavaljeri” mblodhi rreth vetes.
Dy vite më vonë nis ajo që Berlusconi e quan “udhëtimi i gjatë nëpër shkretëtirë”. Rikthehet në pushtet në qershor të 2001-it. Në 2005 shpërndan kabinetin dhe i kërkon Presidentit të Republikës miratimin e një tjetër kabineti, me po të njëjtët aleatë, por me ministra të rinj.
Në 17 maj të 2006-ës lë postin e kryeministrit pas humbjes në zgjedhjet e atij viti dhe në pushtet vjen e majta sërish me Romano Prodin. Por dy vite më vonë, Prodi bie dhe vendi shkon sërish në zgjedhje.
Zgjedhjet e prillit të 2008-ës rikthejnë sërish në pushtet “Kavalierin”. Por ky mandat i shoqëruar me skandalet e shumta të jetës personale dhe gjyqet e akuzat e njëpasnjëshme detyron Berlusconi-n të japë dorëheqjen më 16 nëntor dhe në vend të tij të vinte Mario Monti.
Monti drejtoi vendin në periudhën e krizës financiare deri në mbajtjen e zgjedhjeve, në shkurt të këtij viti. Rezultati nxorri fitues të majtën, por befasoi M5S e Grillos. Megjithatë, të majtët nuk kishin votat e nevojshme për të qeverisur, ndaj pas refuzimit të M5S iu drejtuan të djathtës për një koalicion të pazakontë në jetën politike të vendit.
Në 20 vjet karrierë politike, Berlusconi është përballur me drejtësinë plot 32 herë, nga të cilat vetëm një herë është dënuar, pikërisht për akuzën e evazionit fiskal me blerjen e filmave hollivudianë nga Mediaset.
Por pavarësisht skandaleve, “Kavaljeri” do të mbahet mend si kryeministri me jetëgjatë italian pas Luftës së Dytë Botërore dhe emri që ka qeverisur vendin në total, për 9 vjet.