MENU
klinika

Testi i sigurisë te Porti i Durrësit

Balluku: Qeveria, plan masash për sezonin turistik

20.04.2019 - 16:47

Në prag të sezonit turistik Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale në Drejtorinë e Përgjithshme Detare, zhvilloi një testim sigurie në Portin Durrësit për të parë gatishmërinë e Forcës së Sigurisë dhe bashkëveprimin e strukturave përkatëse ligjzbatuese në port.

Siguria në porte dhe në aeroporte do të jetë në fokus të qeverisë për të garantuar kujdes ndaj qytetarëve.

Demonstrimi i ushtrimit testues u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila nënvizoi se ka një plan masash për të garantuar sigurinë kombëtare.
“Jemi pak ditë para fillimit të sezonit dhe siguria e këtij porti, si Porti ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë, është shumë e rëndësishme.

Porti i Durrësit është një port i certifikuar i cili ka kaluar pa gjetje fazën e auditimit dhe është vendosur që të auditohet vetëm një herë në dy vite. Padyshim siguria në pikat kyçe, nevralgjike, të kufirit shqiptar, siç është porti dhe aeroportet apo pikat e tjera kufitare, janë një nga arsyet kryesore pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë gjithmonë dhe më afër përsa i përket kujdesit që ne kemi për qytetarët por dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare” tha ministrja Balluku.

Drejtuesit portual thanë se ushtrime të tilla testuese zhvillohen vazhdimisht dhe se të gjitha agjencitë ligjzbatuse kanë detyra specifike sipas planit të sigurisë së portit.
“Ne përzgjedhim një nga ushtrimet, e monitorojmë dhe drejtojmë në bashkëpunim me drejtuesin e portin përkatës.

Ky është i planifikuar në planin vjetor që ne kemi bërë dhe normalisht ky është një skenar i mirë përgatitur. Në një farë mënyre të gjithë agjencitë ligjzbatuse kanë detyra specifike sipas planit të sigurisë së portit” tha Hysni Aruçi, Drejtor i Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Portuale.

Porti i Durrësit është një nga pikat me fluksin më të lartë të udhëtarëve veçanërisht gjatë sezonit veror. Për vitin 2018, ky port ka përpunuar rreth 1012 tragete që kanë transportuar rreth 440.92 pasagjerë.