MENU
klinika

Protesta

Bllokohet autostrada Tiranë – Durrës, Kryemadhi: Nuk do ndalemi

25.04.2019 - 18:51

Opozita e bashkuar ka bllokuar sot për 1 orë akset kryesore në vend, mes tyre edhe autostradën Tiranë – Durrës. Asnjë makinë nuk po lëviz në autostradën kryesore në Shqipëri.

Ndërsa, raportohet se protestuesit kanë djegur goma dhe kanë ndezur flakadanë nëpër rrugë. Nën thirrjet “Rama ik”, protestuesit kanë bllokuar tashmë trafikun tek rreth rrotullimi i Plepave.

Si rrjedhojë e protestës së opozitës në Durrës, është bllokuar autostrada Tiranë – Durrës, asnjë makinë nuk lëviz nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas.

Në protestë ndodhet kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi. Kryemadhi tha se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë dhe se do të përshkallëzohet aksioni qytetar.

“Ka një pjesëmarrje të madhe, kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe duke menduar që kjo është një nga rrugët kryesore. Sot Shqipëria merr mesazh dhe shpërndan atë ndjenjë proteste që bëjnë qytetarët në protestat e Tiranës, tashmë shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë financiare për të ardhur në protestat që organizohen në Tiranë, sepse pjesa më e madhe ka qenë me qytetarët e kryeqytetit.

Por, ne tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë. Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Rama do shohë revoltën e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.