Legjenda për Muajin e Plakave apo Plaka që u shndërrua në gur është gojëdhëna e cila në popull haset e gjallë me këto fjalë:
“MARS O VLLA
M’JEP TRE DITË UHA
TA MBEJTI PLAKËN ME GJITHË XH’I KA”.
Pra, është legjenda e cila ende dëgjohet nga gojëdhëna e popullit të trevës sonë. Kjo legjendë është e gërshetuar me stinën e pranverës së hershme, apo me muajin mars, që populli e quan:
“Muaji i Plakave”, mirëpo e dëgjojmë edhe si: “Muaji kur Plaka doli në bjeshkë e u shndërrua në gur”. Legjenda në popull rrëfehet me sa vijon: “Gjatë muajit mars plakat duhet që t’i marrim me të mirë, se ata, po të hidhërohen, mundin ta prishin motin.
Prandaj, është e zakonshme që plakave, gjatë muajit mars t’u përmbushim dëshirat dhe kërkesat…”, që ndryshe në popull thuhet:
“Plakave gjatë marsit t’u gatuani ëmbëlsira, dhe atë për çdo ditë t’u gatuani hallvë me rrush të thatë, se po të hidhërohen plakat, bën puna vaki që të fryjë furtunë e tmerrshme e shoqëruar me shi e borë e të gjithëve na bën shtëng e gur mu si plaka që u bë gur në stanet e bjeshkëve të Sharrit”.
Rrëfimi i Plakës që u shndërrua në gur, në gojëdhënën e popullit rrëfehet nga kjo ngjarje kështu:
“Dikur paska qenë një grua e Plakë, e cila paska dalë me gjithë familjen e vet, dhentë, qentë dhe kafshët, tre ditë para ditës së pranverës në stanet e bjeshkëve të Sharrit. Mirëpo, koha e stinës së pranverës së hershme e tradhtoi Plakën. Tre ditë pas ditës së pranverës, në stanet e bjeshkëve të Sharrit, moti me të shpejtë u prish”. Thuhet se ato ditë paska fry erë e madhe me shi e borë, sa që tre ditë e tri net rresht, furtuna s’ka pas të ndalur, bile-bile ulërima e furtunës është dëgjuar edhe në fushat e Pollogut.
Pas tri ditësh e tre netësh, moti është qetësuar, por Plaka, familja, dhentë, qentë, kuajt, lopët dhe dhitë ishin ngrirë nga të ftohti, mu në hyrjen e staneve. Që prej asaj kohe janë shndërruar në gur, bile në atë vend sot gjendet një gur në formë të Plakës, ku sot e kësaj dite prej aty buron ujë, që besohet se janë lotët e Plakës, që u shndërrua në gur”.
Material i shkëputur nga libri : ISMET JONUZI-KROSI, STUDIM ETNOLOGJIK NGA TREVA E
POLLOGUT “TAKIMI ME SHEKUJT” (MITET DHE BESIMET), Shtypshkronja “LUMA”-Tetovë, 2008…/