MENU
klinika

Vizita në Berlin

Djegia e mandateve/ Basha: Nuk ka kthim pas!

04.04.2019 - 17:53

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë për takime me parlamentarë gjermanë në Berlin, ku gjithashtu foli rreth situatës politike në Shqipëri.

Kryedemokrati u pyet nga DW nëse opozita do të kthehet në parlament dhe përgjigjia e tij ishte se “nuk ka kthim pas”. Basha vlerësoi se opozita e vendit nuk do të ndalet së kërkuari si qëllim final vendosjen e një sistemi demokratik funksional në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

 Ai shtoi se për këtë synim, opozita shqiptare ka mbështetjen gjermane.

“Ikja nga Parlamenti ndodhi pas shterimit të çdo mundësie për të zgjidhur në mënyrë institucionale këtë krizë të thellë legjitimiteti. Ju kujtoj që partnerët gjermanë në Bundestag dhe qeverinë gjermane i njohin këto probleme. Gjërat jo vetëm nuk kanë ndryshuar por janë përkeqësuar.

Dalja e opozitës nga Parlamenti është një dalje pa kthim, kriza politike është reale por është një mundësi e madhe jo thjesht për të larguar një qeverisje të lidhur me krimin por për t’u dhënë shqiptarëve një sistem demokratik funksional që u shërben atyre dhe jo partive. Kam besim të madh që ky transformim që tashmë ka nisur, do të ketë mbështetje nga të gjithë shqiptarët e ndershëm. Në institucionet gjermane kemi gjetur mbështetje për këtë gjendje transformuese”, tha Basha.

Kreu i PD, theksoi se për situatën duhet të reagojë media e lirë, intelektualët dhe shoqëria civile.