MENU
klinika

Lahuta e 15,613 vargjeve epike

Fishta këndohet në Europë

04.04.2019 - 14:04

Atë Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940) është humanisti, atdhetari, burri i madh, pa varr, por jo pa lavdi. Fishta mbetet poeti, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët e u ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. Për Fishtën, nuk duhet shkruar: Atë Gjergj Fishta, duhet lexuar! Vetëm duke e lexuar, mund ta njohësh fratin e veshur me zhgun, të ngjeshur me konop në përmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… Më mirë se Lahuta, kush do ta përfaqësonte atin e ndritur të letrave shqipe?! E ndaluar, e pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur Shqipërisë dhe botës…

 

… sepse Lahuta tani shtegton edhe nëpër botë

Si këndoi një shekull me një shqipe të kulluar, më të pasur se ajo e fjalorëve më në zë, Lahuta nisi ‘të këndojë’ edhe në gjuhë të huaja. Flasim për përkthimet, ndonëse Fishta – si të gjithë poetët kombëtarë, është i papërkthyeshëm. Sidomos në shqipen zyrtare, siç e dëshmojnë disa përpjekje të dështuara. E megjithatë Lahuta sot këndon, e plotë, në tri nga gjuhët më kryesore të botës, -sipas Vaticanneës.

Lahuta, italisht

U përkthye disa herë italisht, duke nisur nga imzot Jul Bonati. E pastaj nga Ernest Koliqi, që deshi ta realizonte plotësisht, por u ndal vetëm tek disa kangë: Kanga XXVI “Koha e re”(1962); Kangët XII-XIII- XIV-XV, të shoqëruara me hyrje (1971) dhe Kangët II-III-IV (1973). Përpjekje për ta përkthyer në italisht bëri edhe Atë Fulvio Cordignano, që e vlerësonte shumë kryeveprën e Fishtës, të cilën e bëri të njohur në bashkësinë e jezuitëve aq, sa të nxiste sivëllain, Atë Giovanni Giorgiani S.I., kryeredaktor i programit “Orizzonte Cristiana” pranë Radio Vatikanit, të mbronte diplomën me “Lahutën”, duke ia përkthyer në italisht të gjitha pjesët, që i duheshin. Kjo punë diplome ruhet në Bibliotekën Françeskane, në Shkodër.

Pastaj i erdhi radha gjermanishtes… Si edhe anglishtes…

 

Lahuta gjermanisht

Lahuta u përkthye gjermanisht nga albanologu Maximilian Lambertz (Vjenë 1882- Lajpcig 1963). Që më 1913 Larmbertz e quajti Fishtën “Dichtergenius”(Poet gjenial), ndërsa Lahutën e Malcís, “kryevepër”. Një vit më pas botoi monografinë “Poezia popullore e shqiptarëve”. Në të citoi, mes të tjerash, vajin e motrës së Avdi Hisës, të cilit Vulo malaziasi i grabiste armët, me gjithë tufën e gjasë (Kanga III: Preja), duke përkthyer gjermanisht vargjet 60-112 e, ç’është më e rëndësishme, filloi krahasimin e epikës së Fishtës, me atë të Homerit, e vajit të Lahutës, me vajin e Akilit mbi Patroklin e të Andromakës mbi Hektorin.1 Për famën e Fishtës si poet, Lambertz shkruan: “Populli i vet e nderoi me titullin “Poet kombëtar” (nationaler Dichter), ndërsa çmohej edhe jashtë qysh në gjallje të tij”2. Viti 1949 në veprimtarinë shkencore të Lambertzit do të meritonte të quhej “Viti i Fishtës”. Këtë vit, ai botoi në Lajpcig, si libër më vete, studimin monografik “Gjergj Fishta dhe eposi heroik shqiptar ‘Lahuta e Malcís”3., duke theksuar se meriton, nëpërmjet përkthimit në gjuhë të tjera, të zërë vendin që i përket në letërsinë botërore”4. Monografia “Gjergj Fishta dhe eposi heroik shqiptar ‘Lahuta e Malcís” është një ndër majat e krijimtarisë shkencore të Lambertz-it për kulturën shqiptare e, posaçërisht, për studimet mbi Fishtën. Për fat të keq, vijon të mbetet e papërkthyer në shqip, pra e panjohur për lexuesin shqiptar. Si shumë shkrime të tjera… Ndërsa tezën homerike do ta shtjellonte më gjerë në një studim të posaçëm, të botuar më 1961 te “Shejzat”, me titull “Çështja homerike dhe eposi shqiptar ‘Lahuta e Malcís”5. I gjithë ky kontribut në studimin e veprës së Fishtës, të specifikave të saj kombëtare, por edhe universale, u kurorëzua, më 1958, me përkthimin dhe botimin e plotë të Lahutës në gjuhën gjermane 6.

 

“Lahuta e Malcis” sot këndon edhe anglisht

Shkruan përkthyesi i saj në anglisht, Robert Elsie: “Lahuta e Malcís’ është një kryevepër, që zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore. S’ka lexues që të mos e pëlqejë. E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15. 613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, dmth heshtjen më se 50-vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëmshekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet. Por… “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit. Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare. Në botimin anglisht të Fishtës, e quajta “vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës”. Pjesa thelbësore e Lahutës u hartua në fillim të shekullit XX, kurse varianti përfundimtar – nëse ishte tamam përfundimtar – u botua në vitin 1937, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po ta krahasojmë Lahutën me veprat e tjera epike, në veçanti me ato të Evropës, ta zëmë me veprat e Njegoshit malazez, të Mickieviçit polak, të Dantes italian, të Donelaitisit lituanez, të Kamoeshit portugez… shohim se “Lahuta e Malcís” është shumë e vonë. Por, siç e dimë, Shqipëria e vogël është paksi vonë në çdo gjë, apo jo? Po kjo nuk do të thotë se është më keq. Lahuta nuk është, as nuk do të jetë kurrë jashtë kohe. Në anglisht thuhet “last, but not least (i fundit në radhë, por jo në rëndësi).

Një gjysmë-anekdote për përkthimin e profesorit Lambertz

Prof. Maksimilian Lambertz, teksa përkthente “Lahutën” në gjermanisht, shkëmbente dendur letra me françeskanët shqiptarë në diasporë: ribotuesin e Lahutës, Atë Daniel Gjeçajn dhe fratin historian, atë Paulin Margjokajn, që e kalonte jetën ndërmjet altarit – e arkivave! Prandaj, kur e kishte kryer përkthimin, albanologu i madh iu lut Margjokajt, njohës i mirë i gjermanishtes, t’i hidhte një sy përkthimit, në pritje të ndonjë vërejtjeje. E Atë Paulini – siç shkruan në një letër drejtuar atë Gjeçajt – vërejti se gjermani vende-vende nuk kishte mundur të hyjë në palcën e frazeologjisë fishtiane, thellësisht popullore. Ndërmjet tjerash, mallkimin “dreqi e rroftë” e kishte përkthyer “rroftë dreqi!”.

Shkruan Atë Paulini: “Ndoshta të huejtë mendojnë se jemi komb i keq, por duhet ta dinë se nuk kena mbërrijtë kurrë deri në atë pikë, sa me i urue jetë të gjatë dreqit!”.

Apo ndoshta edhe kemi mbërrijtë, qyshse, shqiptarë tue kenë – pohojmë se nuk mund ta lexojmë Lahutën – sepse nuk e kuptojmë gjuhën e saj!? Duke harruar se ka edhe nga ata që ia dijnë krejt përmendsh të 15. 613 vargjet.

Po ani, tashti, që mund ta lexojnë italisht, gjermanisht e anglisht, ndoshta edhe shqiptarët kanë për ta kuptuar, më në fund, Homerin e racës së tyre!

 

 

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Një krijim mbi Historinë, Stilistin dhe Mjeshtërinë artizanale

“Ti, Xhubleta e Re!”