MENU
klinika

"Zotin e gjeni afër mëkatarëve"

Gandi këshilla për lumturinë

05.04.2019 - 15:24

Në takimin tonë për intervistën, erdhi me tren, me biletë të klasit të tretë. Kur e pyetëm se, përse udhëton me klasin e tretë, ai na u përgjigj plot modesti: ‘’Sepse nuk ka klas të katërt’’.

 

Z. Gandi, ju jeni bërë pjesë e historisë, si i vetmi lider që arriti të shkaktonte një revolucion pa derdhur gjak dhe në fund, të dalë fitimtar.

Këtu më lejoni t’ju ndërpres. Lavdërimet e shumta fyejnë. Je i detyruar të thuash, se nuk i meriton.

 

Më falni!.. Nuk kisha asnjë synim t’ju fyeja, por është i padiskutueshëm kontributi juaj në qytetërimin botëror. Për herë të parë, dhatë një zgjidhje alternative, një rrugë reagimi ndryshe për turmat që shtypen dhe të gjitha këto përmes strategjisë së paqes (jo dhunës).

Paqja është fuqia më e madhe në dispozicion të njeriut. Është më e fortë se arma më e fuqishme e shkatërrimit, e shpikur ndonjëherë nga mendja e njeriut.

 

 

Çfarë ju udhëhoqi drejt një përceptimi të tillë?

Jam kundër dhunës. Megjithëse përdorimi i dhunës mund të duket se ndonjëherë është efektiv, por kjo është e përkohshme, ndërsa pasojat janë të përhershme. Jam gati të vdes, por nuk ekziston asnjë qëllim, për të cilin të jem gati të bëhem vrasës.

 

Domethënë, nuk jeni dakord se ‘’qëllimi justifikon mjetin’’?

Jo, aspak! I vetmi rezultat që do të kishte ‘’sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë’’ është se do të përfundonte kur ta kishte bërë të gjithë botën të verbër. Paqja presupozon një besim të dyfishtë: besim ndaj Perëndisë dhe besim ndaj njeriut.

 

Cila është forma më e keqe e dhunës?

Varfëria, është forma më e keqe e dhunës!

 

A nuk ka raste kur zemërimi njerëzor, nëse nuk justifikohet, shpjegohet?

Zemërimi ka gjithmonë një shkak, por rrallë herë është pozitiv.

 

Edhe kur janë në pikëpyetje, ideale si liria dhe demokracia?

Çfarë rëndësie ka për të vdekurit, jetimët dhe të pastrehët dhe çdo shkatërrim që u shkaktua në emër të totalitarizmit, apo në emrin e shenjtë të lirisë apo demokracisë? Të vdekurit mbeten të vdekur, jetimët mbeten jetimë dhe të pastrehët mbeten të pastrehë.

 

Paqja nënkupton dhe mungesën e veprimit?

Përkundrazi. Paqja nënkupton veprim esencial, që buron nëpërmes ndërveprimit të sinqertë midis njerëzve. Veprimi tregon prioritetet. Një njeri është totali i veprimeve të tij kundrejt të tjerëve: çfarë ka bërë dhe çfarë mund të bëjë, asgjë tjetër. Kështu, duke pasur dëshirën për të ndihmuar të tjerët, duke u dhënë njëkohësisht vlerë atyre, jo vetëm e përmirëson jetën e tyre, por dalë-ngadalë ekziston mundësia që të marrësh atë që ke dhënë. Njerëzit që ndihmon ndjejnë përgjegjësinë për të ndihmuar njerëzit e tjerë. Kështu krijohet një spirale ngjitëse, ndryshimi pozitiv që rritet dhe forcohet.

 

A mjafton kjo mënyrë atëherë kur tirani që gjendet mbi kokën tënde është shumë i fuqishëm?

Kur më kap dëshpërimi rikujtoj se në të gjithë ecurinë e historisë së Njerëzimit rruga e së Vërtetës dhe e Dashurisë gjithmonë del fitimtare. Kanë ekzistuar tiranë dhe vrasës, që për një periudhë kohore dukeshin të pamposhtur. Por, në fund, të gjithë bien, mbajeni gjithmonë mend këtë.

 

Çfarë tjetër mund të bëjë një skllav kundër tiranit të tij, atëherë, kur i ka ezauruar të gjitha mjetet që zotëron, në mënyrë që të çlirohet?

I vetmi tiran që pranoj, është zëri i fortë brenda meje. Momentin që skllavi vendos të mos jetë më skllav, zinxhirët këputen vetë.

 

Por ky zë i fortë, që thoni, a mund të bëjë ndonjëherë gabim?

Liria nuk ka asnjë vlerë, nëse nuk të jep mundësinë për të gabuar. Por, gabimet me të vërtetë më të rënda që mund të bëj në rrugën drejt së vërtetës janë dy: të mos arrij deri në fund dhe të mos e kem filluar fare rrugën.

 

A ekziston një e Vërtetë, apo shumë të tilla?

E vërteta është një dhe ekziston dhe atëherë kur nuk ka mbështetës. E vërteta është e fshehur mirë pas të drejtës së turmave. Detyra jonë është ta zbulojmë atë dhe të mos biem në gabimin e të keqinterpretuarit atë.

 

 

A ka raste, kur është më i mirë mbulimi i të vërtetës, për një qëllim më të mirë?

E vërteta, kurrë nuk dëmton një qëllim që është i drejtë.

 

Çfarë ju bën të mendoni, se gjendja në vendin tuaj do të ndryshojë pozitivisht?

Besimi tek qytetarët e këtij vendi. Ekzistojnë gjithmonë elementë pozitivë te njerëzit, si edhe e kundërta. Por në momente kritike të historisë, besoj se ekziston një fuqi magjike udhëheqëse, falë të cilës shfaqet ky pozitivitet dhe vëllazëri e vërtetë kundër çdo lloj dinastie.

 

A besoni se ky ndryshim është i afërt?

Po, besoj se është më afër se kurrë dhe kjo, se bashkqytetarët e mi kanë kuptuar dy të vërteta shumë themelore.

 

Cilat janë ato?

E para është se për të parë ndryshimin që duam, ai duhet të bëhemi ne vetë. E dyta: bota është mjaft e madhe për të kënaqur nevojat e çdo njeriu, por shumë e vogël për të kënaqur lakminë njerëzore.

 

A i vini vetes objektiva afatgjata?

Unë ëndërroj si të ishte për të jetuar gjithmonë dhe jetoj sikur të ishte për të vdekur sot.

 

Mund të ma shpjegoni këtë?

Kur jeton vetëm momentin actual, atëherë nuk shqetësohesh për të atë ardhshmin, që nuk do të mund ta kontrollosh, sidoqoftë. Kështu, frika dhe ngurrimet për shkak të pasojave të mundshme negative që do të të udhëhiqnin në mosveprim, e humbin fuqinë e tyre dhe bëhet shumë më e lehtë për të vepruar dhe për të mbetur i përqendruar në momentin actual, në mënyrë që të kesh maksimumin e rendimentit.

 

Domethënë, nuk përpiqeni ta parashikoni të ardhmen, në mënyrë që të përgatiteni siç duhet?

Nuk dua të parashikoj asnjë të ardhme. Më shqetëson vetëm e tashmja. Perëndia nuk ma ka dhënë aftësinë për ta pasur nën kontroll të ardhmen.

 

Ku mund ta gjejmë Perëndinë?

Kudo ku ka dashuri, atje gjendet Perëndia.

 

A është Perëndia edhe afër mëkatarëve?

Kryesisht, gjendet afër atyre. Duhet të mësojmë të urrejmë mëkatin dhe të duam mëkatarin.

 

Cili është mendimi juaj për fetë?

Mua më pëlqejnë fetë. Nuk më pëlqejnë disa nga ndjekësit e tyre, që shfrytëzojnë emrin e feve për t’i shërbyer interesave të tyre personale përfituese.

 

A ekziston një qytetërim njerëzor botëror?

Ekzistojnë modele botërore jetese, por ende nuk ekziston një qytetërim i tillë. Kuptimi i vërtetë i një qytetërimi nuk presupozon rritjen e konsumit, por kufizimin e lirë dhe të mirëstudiuar të epsheve.

 

Po qytetërim kombëtar a ekziston?

Qytetërimi i një kombi gjendet në zemrat dhe shpirtin e njerëzve të tij.

 

Kur, qytetërimi mund të na drejtojë drejt një bashkëvëllazërie midis të gjitha kombeve?

Indianë, persianë, të krishterë, myslimanë dhe hebrenj, nëse duam të jetojmë si një komb, duhet të arrrijmë që interesi i secilit të bëhet interesi i të gjithëve. Mendimi ynë i përbashkët duhet të jetë Drejtësia, për secilën prej palëve.

 

Si duket nëse ekziston përparim në këtë drejtim?

Përparimi moral i një kombi duket nga mënyra me të cilën sillet ndaj kafshëve dhe ndaj natyrës. Ndjej se përparimi shpirtëror me të vërtetë kërkon, në një farë pike, të ndalojmë së vrari krijesat tona shoqëruese dhe së shkatërruari natyrën për kënaqjen e gustove tona trupore. Këto veprime tonat, nuk janë asgjë tjetër përveç se një pasqyrim i asaj që i bëjmë vetes tonë dhe njëri-tjetrit.

 

A ka shpresë?

Nuk duhet ta humbim besimin ndaj Njerëzimit. Njerëzimi është si një oqean. Nëse disa pika janë të papastra, nuk do të ndotet i gjithë oqeani.

 

Duke qenë aktivist, ju jeni kërcënuar shumë herë, madje edhe me atentate. A keni pasur ndnjëherë frikë?

Sigurisht që kam pasur frikë, njeri jam! Kam ndier frikë shumë here, por kurrë nuk kam qenë burracak. Frika ka një farë dobishmërie, por burracakëria jo. Sidoqoftë, asnjeri nuk mund të më dëmtojë pa ia lejuar unë.

 

Çfarë keni për t’u thënë kundërshtarëve tuaj, të cilët kanë përdorur kundër jush dhe pushtetin gjyqësor?

Ekziston një gjyq më superior se ato shtetërorë: është gjyqi i vetëdijes! Ky gjyq mbizotëron mbi të gjitha gjyqet e tjera. Mund të më lidhin me zinxhirë, mund të më torturojnë, mund të shkatërrojnë akoma dhe këtë trup, por kurrë nuk mund të burgosin mendjen. Njeriu i lirë mund të jetë i tillë edhe i mbyllur në kafazin e burgut të tij.

 

Nënkuptoni, se nuk ju ka shkuar kurrë nëpër mend, për t’u tërhequr nga kauza juaj?

Më mirë të bëhem copash sesa të tërhiqem nga vëllezërit e mi të shtypur. Miku im, është më mirë të qëndrosh në këmbë me kokë të plagosur dhe të fashuar, se sa të zvarritesh barkas për të shpëtuar kokën.

 

A besoni se do t’i mundni?

 

Të paktën, besoj se jemi në rrugën e duhur. Fillimisht të shpërfillin, më vonë të tallin, pastaj të luftojnë, në fund i mund.

A do t’i falnit ndonjëherë armiqtë tuaj?

 

Aftësia për të falur është veçori e guximtarëve. Burracakët, nuk falin kurrë!

A e konsideroni veten, se keni qenë frymëzim për një grup të madh njerëzish?

Nuk është mençuri të bazohemi në frymëzim. Ata që dinë se si të mendojnë, nuk u nevojiten frymëzime. Është e shëndetshme të mendojmë se i forti mund të dobësohet dhe se i mençuri mund të gabojë. Sidoqoftë, një gramë veprimi vlen shumë më tepër sesa tonelata mësimesh teorike.

 

Çfarë është lumturia?

Lumturi është atëherë kur ato që mendon, ato që thua dhe ato që bën gjenden në harmoni me njëra-tjetrën. Ajo çfarë ndjen dhe mënyra sesi reagon ndaj diçkaje, varet gjithmonë nga ti. Mund t’i zgjedhësh mendimet, reagimet dhe emocionet e tua, gati gjithmonë. Asnjë tjetër përveç teje, nuk mund të kontrollojë sesi ndihesh dhe sesi ato që ndjen do t’i materializosh me veprime. Pasi, thjesht të besosh diçka dhe të mos ta jetosh atë, është e pandershme.

 

A mund të më thoni ato që duhet të ketë dikush, për të arritur lumturinë…

Do t’i përgjigjem në të kundërt të pyetjes tuaj, pasi sa më pak të kesh, aq më pak dëshiron. Do të të them ato që duhet të shmangësh, për ta fituar lumturinë:

Pasuri pa mundim.

Dije pa karakter.

Politikë pa parime.

Kënaqësi pa ndjenjë.

Tregti pa moral.

Shkencë pa njerëzillëk.

Dashuri pa sakrificë.

 

Cili është roli i edukimit në formimin e vetëdijeve njerëzore?

Është shumë esencial. Nëse edukimi nuk shoqërohet me besimin ndaj idealeve, jo vetëm është i padobishëm, por bëhet dhe shkatërrues. Por, nga ana tjetër, besimi duhet të përforcohet nga logjika… kur besimi është i verbër, atëherë vdes.

 

Edukimi është përdorur shpesh herë në historinë e njerëzimit nga liderë të rrezikshëm, në mënyrë që të kontrollojnë turmat…

Sigurisht! Dikur këtë e bënin duke djegur librat. Kolegët e tyre bashkohorë kuptuan se nuk nevojitet të djegësh disa libra, për të shkatërrur një qytetërim. Thjesht, bëji njerëzit të mos i lexojnë librat që ofrojnë një shije mbi gjithçka ideale.

 

Cila është vlera e idealeve?

Të tërheqin që nga momenti që do t’i takosh dhe të pushtojnë. Vlera e një ideali gjendet se ai largohet sa më shumë t’i afrohemi. Të drejta që nuk burojnë nga një detyrë që kemi kryer mirë, nuk kemi të drejtë t’i kemi.

 

A ia vlen që dikush të luftojë ende dhe kur shumica e bashkëqytetarëve të tij është qetësuar, duke pasur një mendim ndryshe?

Secili ka të drejtë, me mënyrën e vet. Por, nuk është e pamundur që të gjithë ta kenë gabim. Çfarë ka të bëjë më ndërgjegjen, nuk ka të bëjë me shumicën…

 

Një këshillë të fundit për lexuesit, para se ta mbyllim?

Ekzistojnë dy lloje njerëzish, në këtë botë. Ata që marrin meritat dhe ata që realisht bëjnë punën. Kijeni parasysh këshillën time dhe ndiqni kategorinë e dytë. Aty ka shumë më pak konkurrencë.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit