MENU
klinika

Në përditësim

Grabiten 10 milion euro në Rinas, vritet një nga autorët

09.04.2019 - 15:56

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në Rinas.

Sipas informacioneve, në rrugën që të çon në aeroport ka ndodhur një grabitje me armë zjarri , ku një person ka humbur jetën. Dyshohet se autorët të veshur me rroba ushtarake kanë grabitur një makinë blind të transportit të parave. Shuma e grabitur dyshohet të jetë rreth 10 milion euro (sipas raportimeve të disa mediave në vend).

Mësohet se autorët e grabitjes kanë qenë me një makinë pa targa dhe me mbishkrimin “Hetimi tatimor”.

Grabitja ndodhi rreth orës 15:00, ndërsa paratë që i përkasin një banke të nivelit të dytë, do të transportoheshin jashtë shtetit. Po kështu është bllokuar rruga dhe patrulla të shumta janë vendosur në pika kyçe. Dyshohet se autorët janë larguar drejt Rinasit.

Një prej grabitësve ka mbetur viktimë e shkëmbimit të zjarrit me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Sipas informacioneve të para, policia ka gjetur trupin e pajetë të një prej grabitësve pranë Urës së Brarit në Tiranë.

Ndërkaq në Rinas kanë mbërritur edhe prokurorët Ndini Tavani dhe Kreshnik Ajazi, ndërkohë që policia ka gjetur një makinë duke u djegur në Urën e Brarit. Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes së furgonit që transportonte para.

Forca të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.

Ora 16:10/ Skenari/Grabitësit morën paratë në avion. Sulmuan me granatë FNSH

Autorët kanë qenë tre dhe lëviznin me një furgon të bardhë me mbishkrimin “hetimi tatimor”. Ata kanë hyrë në zonën kargo të aeroportit pak pasi disa kompani sigurimesh kanë ngarkuar në avion paratë që do të lëviznin jashtë vendit. Grabitësit kanë marrë paratë në avion dhe kanë dalë nga aeroporti.

Ata janë larguar në një rrugë dytësore por një tjetër e papritur ka ndodhur këtu. Grabitësit janë përballur me një makinë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, e cila ka qenë në patrullim rutinë. Nga frika e kapjes, grabitësit kanë sulmuar me armë kallashnikov dhe granata FNSH-të, e cila është përgjigjur me zjarr. Nga të shtënat ka humbur jetën një prej grabitësve.

Bashkëpunëtorët e viktimës, kanë marrë trupin e pajetë dhe e kanë hedhur në lumë për të humbur gjurmët dhe janë arratisur. Policia është vënë në ndjekje të tyre nga toka dhe nga ajri.

Ora 17: 40/ Kompania që transportonte 10 mln eurot u grabit edhe në 2016

Shoqëria e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike që bënte transportimin e rreth 10 milion eurove të disa bankave të nivelit të dytë dhe që u grabitën në pistën e avionit në Rinas, është e njëjta kompani që ra pre e grabitjes edhe tre vite më parë.

Bëhet fjalë për  “Nazeri 2000”. Kjo kompani është grabitur po në aeroportin e Rinasit në vitin 2016, ku autorët morën 3 milion euro brenda pistës së aeroportit.

Sasia e parave transportohej nga kompania “Nazeri 2000” në bashkëpunim me kompaninë tjetër të sigurisë fizike, “Jaguar”.

Në ngjarjen e sotme, persona të armatosur dhe me maska thyen derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse dhe grabitën rreth 10 milion euro pistën e avionit dhe u larguan.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë.

Policia konfirmon se gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet furgon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes që dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës.

Ora 17:45/ Grabitja në Rinas/ Reagon PD: Deja vu

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar pas ngjarjes të sotme në Rinas, ku një autoblind që transportonte paratë e disa bankave ka rënë pre e grabitësve.

Nëpërmjet një postimi në facebook, Paloka shkruan se kjo ngjarje është një “déjà vu”, referuar një tjetër grabitje ndodhur më parë në këtë zonë.

Reagimi i plotë:

“Deja vu. Grabiten miliona euro. Ne te njejtin vend ( brenda aeroportit, Rinas). Me te njejten menyre ( grabitje me arme furgonit te blinduar nga grabites me uniforma ushtarake dhe makine shteterore). Grabitesit u larguan ne te njejtin drejtim. Grabitja ndodh ne te njejtin konteks kohor dhe politik ; pak muaj perpara zgjedhjeve.

Policia edhe kete here eshte e zene duke dhunuar qytetaret e thjeshte. A mund te jene te gjitha rastesi ?!
P.S:Harrova nje “detaj”; kete here ka dhe te vrare…”, shkruan Paloka.

Ora 18:12/ Grabitja në Rinas/ Gjendet një furgon me armë, shoqërohen 40 persona

Policia ka shoqëruar të paktën 40 persona ditën e sotme pas ngjarjes në aeroportin e Rinasit. Sipas informacioneve, në afërsi të vendit ku u gjet trupi i pajetë i grabitësit, është gjetur edhe një furgon plot me armatime.

Mes të shoqëruarve mësohet të ketë edhe nga security i aeroportit. Rreth dhjetë milionë euro u grabitën sot nën kërcënimin e armëve në Rinas.

Pasi kanë marrë paratë, grabitësit u larguan menjëherë nga aeroporti por në ikje janë shkëmbyer me forcat e policisë duke i sulmuar me granata e kallashnikov.

Ora 20:48/ Grabitja në Rinas/ Balluku: Shteti do të flasë qartë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku reagoi në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Aeroportin e Rinasit.

Nga Berlini ku gjendet për një vizitë zyrtare, Balluku u shpreh se shteti do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet.

Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq.

Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë.

Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Evropë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit” u shpreh Balluku.