MENU
klinika

Takimi i Cakajt

Hapja e negociatave/ Austria mbështet Shqipërinë

26.04.2019 - 20:28

Austria do të mbështesë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por kërkon më shumë kujdes për krimin, drogën dhe migracionin.

Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj u prit në Vjenë nga homologia e tij Karin Kneissl, me të cilën bisedoi për rritjen e bashkëpunimit dypalësh veçanërisht sa i përket investimeve të huaja.

“Fokus i takimit ka qenë bashkëpunimi bilateral në fushën e ekonomisë tregtisë dhe investimeve të reja. Pika e dytë ka qenë mbështetja e Austrisë për agjendën evropiane për çeljen e negociatave në qershor të këtij viti bazuar në progresin që ka arritur Shqipëria në 5 prioritetet. Si dhe kemi biseduar për kryesimin e OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020. Kemi marrë mbështetjen e Austrisë për këtë proces në nivel diplomatik dhe teknik, për rritjen e kapaciteteve tona.”

Nga ana tjetër, ministrja e jashtme e Austrisë inkurajoi Shqipërinë të çojë përpara reformat e ndërmarra, reformën ne drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

“Për sa i përket Shqipërisë në rolin saj të bashkëpunimit, si për shembull doganat, lufta kundër korrupsionit, trafiku i drogës, autoritetet shqiptare kanë bërë një progres tejet të mirë dhe kjo duhet të merret në konsideratë dhe të respektohet. Ne mendojmë që pjesa juglindore e Evropës duhet të merret në konsideratë edhe për çeshtjet që lidhen me emigracionin dhe sigurinë, për ta bërë BE më të sigurt. Për sa i përket bisedimeve të ardhshme për hapjen e negociatave me BE, Vjena dhe Qeveria jonë janë gjithmonë të gatshëm për t’ju mbështetur.”

Në qershor Shqipëria pritet të marrë vlerësimin e Komisionit Evropian, nëse i ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave apo jo.