MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 2 prill?

02.04.2019 - 07:18

1453 – Sulltani osman Mehmed II fillon rrethimin e Konstandinopojës dhe e pushton atë në 29 maj. Marrja e Konstandinopojës (dhe dy territoreve të tjera bizantine të shkëputura shpejt pas kësaj) shënoi fundin e Perandorisë Romake, shtet perandorak që kishte zgjatur për gati 1500 vjet. Pushtimi osman i Konstandinopojës gjithashtu i dha një goditje masive krishtërimit; ushtritë osmane pas kësaj ishin të lira për të përparuar në Evropë, ndërsa Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, do të mbetej penguesi i vetëm i tyre drejt Italisë dhe Evropës perëndimore. Pas pushtimit të kryeqytetit bizantin, Sulltan Mehmeti e transferoi kryeqytetin e Perandorisë Osmane nga Adrianopoja (Edirne) për në Konstandinopojë (Stamboll). Shumë intelektualë u larguan nga qyteti para dhe pas rrethimit; shumica e tyre emigroi kryesisht në Itali, ku ndihmuan për rilindjen italiane. Pushtimi i qytetit të Konstandinopojës, për disa historianë, shënoi edhe fundin e periudhës së Mesjetës.

1513 – Zbulohet Florida nga Ponce de Leon. Juan Ponce de Leon (1474 – 1521) ishte eksplorues dhe kolonizator spanjoll. Ai u bë guvernatori i parë i Porto Rikos, dhe udhëhoqi ekspeditën në Florida, të cilës i vuri edhe emrin. De Leon lidhet me legjendën e Burimit të Rinisë, që është menduar të jetë në Florida (duke pirë nga ky burim njeriu nuk plaket kurrë dhe plaku bëhet i ri). Sipas gojëdhënës, Ponce de Leon e zbuloi Floridën ndërsa ishte në kërkim të këtij burimi; shumica e historianëve thonë se kërkimi për ar dhe për zgjerimin e Perandorisë spanjolle ishte qëllimi i tij. Mendohet se Burimi i Rinisë ishte alegori për vreshtat e rrushit a verën dhe Ponce de Leon mund të ishte në kërkim të një munndësie për biznes. Historianë besojnë se pija e kafesë në Porto Riko mund ta ketë frymëzuar de Leonin për kërkimin e Burimit të Rinisë.Të tjerë spekullojnë se de Leon keqkuptoi fjalën vendase “vid” (hardhi ) për “vida” (jetë), dhe mendoi se bëhej fjalë “burimin e jetës”. Në kujtimet e tij, de Leon shkruan se ai shkoi në kërkim për Burimin e Rinisë, sepse një grua e moshuar i kishte thënë se djali dhe burri i saj, mes shumë të tjerëve, kishin shkuar në një vend me emrin Bimini (në Bahamas) për të gjetur këtë burim. Nën ujrat e Biminit disa gjeografë sot besojnë se ndodhet i fundosur ishulli legjendar Atlantis.

1550 – Hebrenjtë dëbohen nga Genoa, Itali. Vetëm pas periudhës së unifikimit të Italisë (1860-1870), gjatë së cilës hebrenjtë morrën pjesë aktive në kauzën e lirisë italiane, atyre iu dhanë të drejta të plota civile dhe politike në Itali.

1725 – Në Venedik, lindi Giacomo Casanova, shkrimtar italian, aventurier, feminist i famshëm. Autobiografia e tij, Histoire de ma vie, konsiderohet si një nga burimet më autentike të zakoneve dhe normave të jetës shoqërore europiane gjatë shekullit të 18-të. Kazanova ishte aq i njohur për aventura dashurie sa emri i tij edhe sot është sinonim i “feministit” (njeri i dhënë shumë pas femrave, si një i alkoolizuar pas rakisë). Kazanova kishte lidhje me familje mbretërore evropiane, papë e kardinalë, dhe shoqëri të ngushtë me njerëz të shquar si Volter, Gëte dhe Mozart. Xhakomo Kazanova vdiq më 4 qershor 1798 në Bohemi (Republika Çeke).

1902 – “Teatri Elektrik”; kinemaja e parë në Shtetet e Bashkuara, hapet në Los Angeles, Kaliforni.

1912 – Anija Titanik i nënshtrohet provës në det për shpejtësi, manovrim, dhe ndalesë emergjente. Pas 8 orësh, çdo gjë shkoi mire, dhe anija niset për Southampton, Angli; më 10 prill furnizohet me ushqime, plotësohet me ekuipazh dhe pret pasagjerët e parë në bord. Në mesditë, anija më e madhe dhe më e re në botë niset për udhëtim; ndalon në Cherbourg, Francë për dy orë, dhe në orën 20:00, drejtohet për në Queenstown, Irlandë. Pronari i Titanikut, bankieri amerikan J. P. Morgan kishte planifikuar për të udhëtuar në lundrim e parë, por ndryshoi mendje në minutën e fundit. Numri i saktë i njerëzve në bord nuk dihet. Më 11 prill 1912, në orën 13:30, Titaniku lë Queenstown dhe niset nëpër Atlantik dret Nju Jorkut. Vetëm pas katër ditësh, më 15 prill, anija gjigande do të përplasej me një aisbërg dhe do të fundosej. Rreth 1 mijë e 500 vetë humbën jetën, 710 të tjerë mbijetuan fatkeqësinë dhe u përcollën nga anijia Carpathia në Nju Jork, ku 40 mijë njerëz prisnin mes motit me shi dhe lotëve.

1921 – Prof. Albert Einstein paraqet në Nju York Teorinë e tij të re të Relativitetit. Ai dha disa leksione në Universitetet Kolumbia dhe Princeton. Në Uashington, i shoqëruar nga përfaqësues të Akademisë Kombëtare të Shkencave, Einstein bëri një vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Në kthimin e tij në Evropë ai ndaloi në Londër, ku u takua me disa figura të njohura shkencore, intelektuale dhe politike, dhe mbajti një leksion në King College.

1951 – Me Stalinin: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu takohen në Moskë me Josif Stalinin për t’i raportuar mbi gjendjen në Shqipëri; mbi spastrimin e vendit nga “njerëzit që e kishin mbushur kupën”; për t’u ankuar ndaj udhëheqësive të vendeve fqinje; dhe mbi vendimin e Gjykatës së Hagës kundër Shqipërisë lidhur me incidentin e kanalit të Korfuzit. Ky do të ishte takimi i pestë dhe i fundit i Hoxhës me Stalinin. Gjatë kësaj vizite, Hoxha, Shehu, shoqëruar nga Omer Nishani (kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), qëndruan në BRSS edhe për disa javë për këshillime nga udhëheqës të lartë si Molotov, Malenkov, Beria, Lavrenti e Bulganin.

2005 – Vdiq Papa Gjon Pali II. Më shumë se 3 milionë njerëz i dhanë atij lamtumirën e fundit në bazilikën e Shën Pjetrit, para funeralit më 8 prill. Më 30 shtator, 2013, Papa Françesku shpalli se shenjtërimi i Papa Gjon Palit II do të bëhet më 27 prill 2014. Njoftimi erdhi pasi Vatikani zbuloi se dy mrekullitë e nevojëshme për shenjtërim i atribuohen Papa Gjon Palit:

1) Shërimi i murgeshës Marie Simon nga lutjet e papës – ajo vuante nga parkinsoni, sëmundje prej së cilës papa Gjon Pali vdiq.
2) Një grua 50 – vjeçare u shërua nga një aneurizmi i trurit pasi, sipas saj, një fotografi e Papa Gjon Palit filloi të fliste me të.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe