MENU
klinika

Universiteti i Evropës Qendrore

Hungaria, Soros dhe ‘lufta’ për një universitet

10.04.2019 - 16:49

Hungaria nuk do të zbusë rregullat për universitetet ndërkombëtare pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian dhe ndihmën e ofruar nga Gjermania për një kolegj të themeluar nga miliarderi George Soros, tha zëdhënësi i qeverisë të mërkurën.

Kryeministri Viktor Orban, një nacionalist që shpesh ka patur konflikte me Bashkimin Evropian, është akuzuar për kufizimin e lirisë akademike me rregullat e tij të reja të arsimit të lartë.

“Nuk ka ndryshim në pikëpamjen tonë thelbësore,” i tha Reuters zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs. “Ne nuk do të ndryshojmë ligjet dhe rregulloret që qeverisin arsimin e lartë në Hungari”.

Universiteti i Evropës Qendrore, i ngritur nga Soros, do të transferojë një pjesë të veprimtarive të saj në Austri nga shtatori për shkak të rregullave që ndalojnë lëshimin e diplomave të SHBA.

Mosmarrëveshja, është një nga çështjet kryesore që i ka shkaktuar Partisë Popullore Evropiane pezullimin e Fideszit të Orbanit përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Me iniciativën e Manfred Weber, kandidatit kryesues të PPE për të kryesuar ekzekutivin e BE pas zgjedhjeve të majit, qeveria e shtetit gjerman të Bavarisë dhe Universiteti Teknik i Mynihut erdhën në ndihmë.

Balazs Orban, një sekretar shtetëror mbi stafin e kryeministrit, përsëriti se të gjitha universitetet duhet të pajtoheshin me ligjin hungarez, dhe Kovacs gjithashtu bëri të qartë që pjesëmarrja e Bavarisë, ndonëse e mirëpritur, nuk do të çonte në ndonjë ndryshim ligjor.

Rektori i CEU Michael Ignatieff nuk ka komentuar. Pas ofertës bavareze dhe kërcënimit të PPE-së për të rrëzuar Fideszin “një derë ka hapur”, tha Ignatieff më pas, por garancitë ligjore ishin ende kritike.

Partia Popullore Europiane  vendosi para pak kohësh me 190 vota që Fidesz do të pezullohet nga PPE deri në përfundimin e hetimit; duke i mohuar të drejtën e votës apo të drejtën për të marrë pjesë në mbledhjet e partive.

Shkaktari për këtë veprim ishte një fushatë posterash e financuar nga tatimpaguesit kundër George Soros, një investitori të lindur në Hungari, të cilin  Orbán e akuzon për përpjekjen për të “përmbytur” Hungarinë me emigrantë. Kjo nuk ishte asgjë e re. Por posterat kanë sulmuar Jean-Claude Juncker, presidentin e PPE të Komisionit Europian. Kjo bëri që 13 partitë anëtare të PPE-së, kryesisht nga veriu dhe perëndimi i Evropës, të kërkonin dëbimin e Fideszit, një lëvizje e kundërshtuar nga francezët, italianët dhe disa nga anëtarët e tjerë të saj qendrorë evropianë.