MENU
klinika

Reagimi

Idrizi: Kërkojmë zgjedhje të ndershme, sot opozita është mazhorancë

27.04.2019 - 09:24

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi tregon arsyet se përse nënshkroi marrëveshjen me PD-në për dy kauza të mëdha, ndërsa zërave të “dirigjuar” për këtë lëvizje, u përgjigjet me pyetjen që nuk lë vend për shumë interpretime: “A na lejohet të jemi në opozitë”? Idrizit jep arsyet se përse duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Çfarë ndodhi me çështjen çame në “duart e Ramës” dhe motivet që PDIU sot është në opozitë. Si e sheh zgjidhjen dhe vendosmëria për të kërkuar me çdo çmim dhe kusht zgjedhje të lira dhe ndershme, pa Ramën kryeministër.

Në shtatorin e vitit ta kaluar, PDIU edhe zyrtarisht iu bashkëngjit bllokut opozitar, kur nënshkroi marrëveshjen me PD-në. Ngjarjet që rrodhën më pas, duket se i dhanë të drejtë lëvizjes politike, që më shumë se taktikë për efekt elektoral, ishte nevojë për shkak të situatës së rëndë që po kalon vendi. Pas afër tri dekadash “demokraci” me shumë probleme, vendi po i rikthehet nevojës elementare dhe shtyllës kryesore; zgjedhjeve të lira dhe ndershme. Është parti politike që pavarësisht “masakrës” së Kodit Zgjedhor dhe marrëveshjeve të “orëve të natës”, mban mbi shpinë 76 mijë vota të shqiptarëve. Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi në një intervistë për Gazetën “Mapo” jep arsyet se përse forca që drejton bëri koalicion me PD-në. Tashmë në opozitë ndodhet për dy çështje themelore; për parimet kryesore të demokracisë siç janë zgjedhjet e lira dhe ndershme dhe për çështjen çame, për të cilën ka një marrëveshje të shkruar me kryedemokratin Lulzim Basha. Gjithashtu, i përgjigjet çdo “kritike të dirigjuar” se përse ndodhet në një koalicion me PBDNJ-në e Vangjel Dules.

Kreu i PDIU-së Idrizi shprehet qartazi se marrëveshjen politike e ka vetëm me PD-në, ndërsa për të “Dulja i madh” është kryeministri Edi Rama që çështjen çame e keqpërdori. Për Idrizin vendi është më shumë se një hap drejt autoritarizmit me kryeministrin dhe Rilindjen që ka kapur çdo pushtet, përfshi edhe atë të drejtësisë, ndërsa i kujton një shprehje të huazuar që sot ka bushatizuar vendin nga emigracioni dhe ka shtuar pakënaqësinë e madhe popullore: “Është ekonomia o budalla”…!

Zoti Idrizi, ju keni firmosur katër ditë më parë një dokument, ku angazhoheni për moslejim të zgjedhjeve, farsë, siç i quani ju. A është ky një akt ekstrem politik, dhe ekstremizmat asnjëherë nuk janë të mirë apo jo?

Të gjithë partitë opozitare kanë firmosur një marrëveshje e cila në thelb të saj ka gjendjen e saj politike dhe zgjidhjen e saj, dhe sigurisht angazhimin e të gjithë forcave politike që Shqipëria të mos bëjë zgjedhje farsë. Fatkeqësisht, prej 30 vitesh Shqipëria nuk po arrin të bëjë një palë zgjedhje të lira të ndershme dhe të barabarta. I gjithë ky vendim në pamje të parë është një vendim ekstrem, por besoj se më e rëndësishme se një akt që tërheq vëmendje dhe ky ka qenë dhe qëllimi, është dhe garantimi i alfës të demokracisë së re në zgjedhje. Sot Shqipëria është në një krizë shumëdimensionale, do të thoja e cila fillon në zgjedhje, pra është e qartë tashmë nga opinioni publik që zgjedhjet e kaluara u bënë në një situatë jo të zakonshme. Kujtoj këtu marrëveshjen Basha-Rama, ku një ndër pikat e saj ishte moslejimi i koalicioneve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, apo të gjithë ato fenomene që ne i kemi hasur në terren që kanë të bëjnë me listat, kartat e ID, deformimet dhe vjedhjen e votës, përdorimi i shtetit në fushatat elektorale. Këtu kam parasysh benefitet, tenderat, punësimet dhe shumë fenomene të tjera të cilat i kemi të shkruara në raportin e OSBE-ODIR. Kjo krizë shkon përtej kësaj, sepse sigurisht një pushtet i ardhur nga vota të vjedhura siç ka dalë dhe nga dosja, kemi dhe publikisht përgjimet e prokurorisë shqiptare, dosja 184 dhe 339 ku funksionarë të rëndësishëm dhe relevantë të Rilindjes, janë kapur në biseda me trafikantë, kriminelë, të cilët kanë ndërhyrë fuqishëm në marrjen e pushtetit për Rilindjen.

Mos të harrojmë faktin kur këto zgjedhje u bënë në kushtet kur në mënyrë të programuar vendi u mboll me kanabis i cili u përdor gjerësisht në fushatë. Sigurisht që zgjedhje të tilla nuk prodhonin vetëm se një qeverisje arrogante dhe pa legjitimitet. Përtej kësaj, kjo mazhorancë e cila ka fituar ekzekutivin prapë me një problem të madh moral të këtyre që thashë, ndërkohë ka kapur dhe pushtetet e tjera, ka kapur parlamentin. Parlamenti është vendi ku për ligjet gjendet konsensus. Pra, forcat politike në Parlament përpiqen drejt konsensusit apo ndërkohë roli i opozitës është shumë i fuqishëm, pasi opozita është garante e demokracisë për të monitoruar dhe ne kemi parë që ka qenë e pamundësuar. Përtej kësaj kemi kapjen e mediave. Pra, shumë nga mediat kryesore sot në Shqipëri janë pjesë e Rilindjes, propagandë qendrore për të stigmatizuar opozitën; mos harrojmë që kjo qeverisje ka 6 vite, ndërsa Rama ka 21 vite në pushtet dhe e keqja nuk vjen nga opozita por nga mazhoranca. Mbi të gjitha kapja e sistemit gjyqësor. Në të gjitha vendet ku demokracitë kanë filluar të bien dhe të shkojnë drejt autoritarizmit, një ndër metodat që përdoret është kapja e arbitrit, në këtë rast të gjyqësorit. Ne kemi pasur shumë besim si PDIU dhe kemi mbështetur Reformën në Drejtësi.

“Qeverisje e cliruar nga krimi”, zbardhet marreveshja Basha-Idrizi

Kemi votuar 140 deputetë duke qenë i bindur që vendosja në hulli e demokracisë së Shqipërisë duhet të fillonte pikërisht nga sistemi gjyqësor dhe i prokurorisë, i cili është sistemi që krijon sistemin autonom edhe për pushtetet e tjera. Në këtë rast, nëse do jemi në këtë gjendje katastrofë, pas dy vite e ca Reformë në Drejtësi, është suprimuar Gjykata Kushtetuese, e ju kujtoj se Gjykata Kushtetuese është arbitër i sistemit politik. Pra, për shumë ligje apo kontestime që opozita ka apo institucione të tjera kanë karshi politikës i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Ju kujtoj faktin se në kohën e Berishës janë rreth 27 ligje që janë hedhur poshtë prej Gjykatës Kushtetuese. Sot, ne nuk kemi Gjykatë të Lartë. Janë me dhjetëra e mijëra dosje që flenë aty duke pamundësuar dhe një herë tjetër garancitë juridike pronësore në vend. Avash-avash po i vjen radha të suprimohet dhe Gjykatës së Apelit. Jemi në kushtet ku kjo mazhorancë i ka kapur të gjitha pushtetet dhe jemi në sistem autoritarist. Madje mjafton të citoj “The Economist” e cila e rëndit Shqipërinë në vendin e 79-të si demokraci hibride në kufijtë e autoritarizmit, e perceptuar nga ata në kufijtë e autoritarizmit, ne sot jemi realisht në kufijtë e autoritarizmit. E kësaj i shtohet ajo më e rëndësishmja për shqiptarët, ekonomia. Ju kujtoj thënien e famshme të presidentit Clinton: “është ekonomia o budalla”… Ne sot jemi një vend ku shqiptarët paguajnë më shumë taksa se të gjitha vendet e rajonit, por që praktikisht gjendja ekonomike është shumë e rëndë, varfëria është në udhëkryq, janë 5 veta, 5 oligarkë, që përfitojnë 2.2 miliardë nga buxheti i shtetit. Jemi një vend që po shpopullohemi për shkak të këtyre politikave ekonomike.

Në vitin 1990 kanë qenë 4 milionë banorë dhe sot janë 2.8 milionë banorë. 400 mijë kanë ikur në 5-6 vitet e fundit. Këta 400 mijë shqiptarë janë forcat aktive për punë. Nuk ikën babai im jashtë shtetit, por ikën rinia. Duke lënë një hendek shumë të madh, jo vetëm te forcat prodhuese, sepse ne e kemi kapitalin natyror. Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, me pozicion gjeografik, me bregdet, me vend të mrekullueshëm për agroturizëm, me pozicion gjeografik për transport shumë të favorshëm. Vendi i dytë në Europë për rezervat ujore pas Norvegjisë. Ajo që na ka munguar ka qenë mendja e politikanëve dhe kapitali njerëzor. Aq e rëndë është situata, mjafton të kujtoj faktin se Shqipëria ka një moshë mesatare prej 47 vjetësh kur ka qenë 26 vjet në vitin 1990. Kjo sjell një problem shumë të madh me sistemin e pensioneve, sepse sot financohet rreth 60 për qind nga buxheti i shtetit fondi i pensioneve sepse parimi është se paguajmë ne sot për prindërit tanë, duhen 3 të punësuar për një pensionist dhe kjo është arsyeja pse ministrat e Rilindjes thonë që mosha e shqiptarëve për pensionet duhet të shkojë në 70 vjeç. Ndërkohë që nuk shohim asnjë investim të huaj, asnjë politikë ekonomike për varfërinë, por shohim një njeri që qeveris si “në mall të babës”, dhe për oligarkët dhe klientët e vet ndan tokë, det e çfarë të mundet.

Liritë politike vijnë bashkë me liritë ekonomike. Pra, mungesa e lirive politike kondicionon dhe liritë ekonomike. Kjo do të thotë se në kohën që ne nuk kemi një demokraci por kemi një autoritarizëm në një demokraci hibride sigurisht që shteti do të jetë punësuesi më i madh dhe ndarësi i benefiteve më të mëdha. Sot një biznes nuk konkurron për shkak të aftësisë, riskut etj., por kush është afër qeverisë zgjohet një ditë milioner. Marr rastin e fundit të një 26-vjeçari që s’kishte punuar asnjëherë në shtet dhe që mori një tender në mes të Tiranës, për 2 km rrugë 40 milionë euro. Fut këtu pasigurinë sociale dhe ekonomike por dhe pasiguri në rend, pasi kemi parë banda, vrasje, hakmarrje, ndërkohë që më të rëndë e bën situatën ngjarja e fundit dhe e përsëritur me Aeroportin e Riansit, ku është cenuar siguria kombëtare. Aty kuptova se edhe lopët por dhe kriminelët mund të hyjnë në avion. Dhe në këto kushte kush do jetë investitori i huaj që do vijë të investojë, madje-madje kush do vijë në Shqipëri?!

shpetim idrizi-konica.al

Si erdhët ju në këtë moment radikal politik, ju si politikan e si forcë politike keni qenë gjithnjë të matur e bashkëpunues?

Në të gjithë këtë krizë shumëdimensionale, sigurisht që forcat politike të përgjegjshme bëjnë të vetmin akt që janë zgjedhjet e parakohshme. Pra, kriza shfryn në demokraci në zgjedhjet e parakohshme dhe opozita i afroi fillimisht, para djegies së mandateve, pikërisht zgjedhjet e parakohshme. Të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Shqipëria është i vetmi vend që në 30 vite nuk ka bërë këto zgjedhje të parakohshme. Si rregull demokracie i ka bërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Franca madje dhe Turqia. I vetmi vend në botë që nuk ka bërë zgjedhje të parakohshme është Shqipëria. Atëherë në këto kushte të krizës shumëdimensionale vazhdon ajo që quhet dhe në politologji bejsbolli kushtetues. Pra qeveria, më saktë Rilindja dhe Edi Rama, vazhdojnë t’i bien opozitës, ta vendosin për muri që ju jeni armiqtë, ju jeni e keqja, ndërkohë që kanë 6 vite që qeverisin shumë keq. Kam pasur një ambasador të huaj që erdhi dhe pyeti se çfarë do bëjë PDIU-ja. I kam thënë shumë thjesht:

‘Nëse ju do më thoni se çfarë do bëjë nesër Rama me varfërinë, papunësinë dhe ekonominë, se për 6 vite nuk kam parë asnjë lloj projekti, unë jam gati të votoj nesër’. Por nëse forca e përgjithshme politike e zgjidhin krizën me zgjedhje të parakohshme dhe aty shfryjnë, sigurisht ne jemi përballë një arrogance gjithmonë në rritje të kësaj qeverie. Opozita e ofroi zgjidhjen për zgjedhje të parakohshme, duke garantuar për herë të parë pas 30 vitesh zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme. Nuk mund të hyjmë në këtë dinozaur. Përdorimit të shtetit dhe vjedhjes masive dhe të kemi një fat kur fati është i paracaktuar. Administrata shtetërore ka qenë me 120 mijë veta, 80 mijë në pushtetin qendror dhe 40 mijë veta pushteti lokal. Sot ka shkuar në 160 mijë veta. Pra, janë shtuar 40 mijë të tjerë. Me 5 veta në shtëpi, ja ku erdhi diferenca për 200 mijë votash. Prapë sistemi politik i yni ka nevojë të ndryshojë. Partitë politike nuk dalin para shqiptarëve si të djathta dhe të majta, por dalin si disa njerëz që duan të heqin disa njerëz të tjerë. Madje-madje, herën e fundit Edi Rama doli me tepsi e me timon. Tani të gjitha këto e sollën Shqipërinë në një moment për të diskutuar demokracinë.

Sepse opozita nuk mund të ketë dot demokraci pa pluralizëm politik, pa opozitë dhe pa mazhorancë dhe në qoftë se Kushtetuta është garant i ligjit, opozita është garant i pluralizmit dhe demokracisë. Nuk mund të ketë dot demokraci pa opozitë. E në muajin që opozita ofroi zgjidhje politike, arroganca vazhdoi që të rritej dhe sigurisht që si akt i fundit ekstrem për të bërë rropaturën e sistemit erdhi dorëzimi i mandateve. Duke filluar nga A-ja dhe si zgjidhje politike por për t’u dhënë për herë të parë mundësinë shqiptarëve të votojnë. Që mos t’i vidhet vota për 20 mijë lekë apo 50 mijë lekë, dhe pastaj themi kemi mbaruar punë me ty. I vetmi qytetar që voton i lirë është ai qytetar që kërkon llogari.

Si mendoni ju se zgjidhet kriza politike, është e qartë se Edi Rama nuk ka ndërmend të plotësojë 10 pikat, pra 10 kërkesat e opozitës?

Shqipëria ka nevojë të kthehet në një sistem të ekuilibruar dhe funksional të demokracisë. Ju kujtoj faktin që Shqipëria ka arritur të jetë e 99-ta për korrupsion bashkë më Venezuelën dhe Kongon. Jemi vendi i fundit në Europë, por le të krahasohemi me Maqedoninë apo Bosnjën, ne nuk prodhojmë asgjë. S’kemi asgjë nga ekonomia konkurruese. Nuk kemi politika për bujqësinë dhe të gjitha këto na sjellin që të kuptojmë që Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike dhe ka nevojë për diçka ndryshe të bazuar mbi demokracinë. Ndërkohë që ne nuk marrim përgjigje, opozita bënte pafund edhe protesta, ju i keni parë shqiptarët që vijnë vetë aty. Përballë kemi njërin që përdor për shqiptarët gaz helmues që përdoret për banditët, dhe i përdor për shqiptarët. Ndërkohë që kërkojmë zgjidhje politike, sigurisht që kjo mazhorancë ça po bën? E di shumë mirë që nuk do të arrijë në këtë pikë, por po bën një parlament si teatër kukullash dhe ndërkohë thotë që do futemi në zgjedhjet e 30 qershorit edhe pa opozitën. Në fakt demokraci do të thotë jo votim, por zgjedhje.

Ne e kemi bërë të qartë jo vetëm që nuk do të funksionojë, por e ka provuar Ramiz Aliaj në vitin 1991. Zgjedhjet e marsit me Partinë e Punës, Partia Demokratike, Bashkimet Profesionale, Rininë, gruan dhe veteranët. Edhe veteranët morën disa mandate. Kjo nuk i funksionoi Ramiz Alisë dhe nuk mund t’i funksionojë dot stërnipit të Rilindjes, Edi Ramës. Sigurisht që për sa i përket ekstremizmit, ne jemi një forcë politike e përgjegjshme. Kemi qenë dhe para dy vitesh në një gjendje të ngjashme. Ajo që mund të them sot është fakti se opozita ka bërë gati një platformë për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta dhe në atë platformë janë përcaktuar garancitë ligjore por sigurisht dhe mandati i kësaj qeverie tranzitore po socialiste por pa Edi Ramën, që do të mundësojnë zgjedhje të lira dhe të barabarta. Jam i bindur që nëse mazhoranca vazhdon dhe të ketë këtë arrogancë, akoma më shumë do rrisë kostot e këtij vendi. Kjo platformë është një bazë e mirë ku ka forca politike të përgjegjshme në një tryezë të partive politike mund ta gjejnë konsensusin për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Nëse është menduar që qeveria tranzitore të jetë pa Edi Ramën por e PS a nuk është rreziku që kjo qeveri të kontrollohet po nga Edi Rama?

E kemi bërë të qartë se opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë pavarësisht se sondazhet e të gjitha që bëjmë ne dhe institucione relevante, dhe PS vetë e nxjerr opozitën fituese, jo vetëm numerikisht, por opozita nuk kërkon zgjedhje në tavolinë. Kërkojmë të bëjmë votim dhe zgjedhje për shqiptarët dhe pastaj ta vendosin ata. Kjo është arsyeja pse kemi thënë që qeveria tranzitore të jetë e PS-së. Pra, ato janë përgjegjëse edhe për hapat për të shkuar në zgjedhje se është qeveria që merr hapat. Në këtë platformë janë planifikuar shumë elemente që mundësojnë garancitë publike për zgjedhje, dhe nuk janë vetëm të Kodit Zgjedhor, por sigurisht që ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje me Edi Ramën. Është ai arkitekti i fenomeneve që kanë sjellë këtë gjendje dhe këtë derexhe. Jo vetëm zgjedhjet dhe ku shqiptarët nuk zgjedhin do kemi një qeverisje arrogante.

Është hera e parë që Shqipëria ka një mazhorancë totalisht të vetme, s’ka ndodhur më parë, që prapë deri dje e kishte fajin LSI-ja dhe PDIU-ja se ne 1 për qind kemi qenë. Por realisht një koalicion forca të tjera të mbajnë dhe të bëjnë balancën. Kjo është arsyeja pse e kemi kërkuar këtë gjë. Jo pushtet në tavolinë, PS-ja ta ketë qeverinë. Besoj se PS-ja nuk ka lindur dhe do vdesë me Edi Ramën, është një rrotacion normal. Madje Rama ka 21 vite në pushtet dhe sigurisht demokracia është rrotacion. Ajo që dua të shtoj si deduksion personal, më vjen keq që shqiptarët për 90 vite të shkojnë drejt liderave të fortë, e perceptojnë jo shtetin, por pushtetin.

I duam gjithmonë dy dinozaur që përplasen me njëri-tjetrin dhe neve herë pas here na duhet që këtyre liderave të fortë t’i vëmë kavot për t’i rrëzuar. Është koha që Shqipëria të ketë lidera dhe shërbëtorë normalë, që qeverisin normalisht dhe ikin normalisht. Janë aty për të qenë shërbëtorë dhe jo pushtetarë. Ne kemi nevojë të gjithë bashkë të rishikojmë sistemin politik në Shqipëri ku unë kam parasysh një shtet të ndërtuar në Kushtetutë që ka ardhur koha për ta parë të tërën. Me këtë kam parasysh sistemin check and balance, por këtu te ne nuk funksionojnë. Kemi një shtet që themi se jemi Republikë Parlamentare, por kemi një kryeministër që kap të gjitha pushtetet, më i fortë se mbreti, madje bën ligje si ‘ligji Fusha’. Dua të shtoj e kam bindje se ka ardhur koha të kemi president nga populli, apo të kemi për herë të parë Senat, nëse ne do shohim filozofinë e shtetit shqiptar. Edhe brenda institucioneve kemi ligje të marra nga të tjerë.

Basha 'përqafon' Idrizin: Eja me mua, të rrëzojmë Ramën

Zoti Idrizi, ju keni dhe një mision specifik në politikë, ajo që njihet si çështja çame. U bënë tashmë dekada që punohet për këtë kauzë. A mund të na thoni nëse keni arritur diçka në këtë drejtim. Nëse në fillim të viteve ‘90 kjo çështje ishte Zero, sa hapa janë hedhur sot që flasim?

Sigurisht që PDIU- është një parti që në themel ka bashkimin kombëtar nga ekonomia, kultura dhe arsimi. Të bashkojmë mendjet pastaj tokat. Çështja e saj prioritare është zgjidhja e çështjes Çame. Jo vetëm se ka një kontent të fuqishëm nga shqiptarët e Çamërisë, por jemi të bindur se një ndër padrejtësitë më të mëdha pa zgjidhje është çështja Çame. Nëse sot kemi Pavarësinë e Kosovës, pra dy shtete të një kombi në Ballkan, kemi avancim dhe një shtet formues të shqiptarëve të Maqedonisë edhe me vendosje ne gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, sigurisht që Shteti shqiptar duhet të kujdeset edhe për të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, apo për diasporën e vjetër dhe të re siç thashë janë 1.6 milion shqiptarë dhe prandaj kemi insistuar shumë për Ministrinë e Diasporës por jo si ministër shteti. Një ndër çështjet që ka nevojë dhe plotëson hartën identitare të kombit shqiptar është padrejtësia që iu është bërë gjithë shqiptarëve nëpërmjet Çamërisë. Çamëria dhe Kosova u sakrifikuan në vitin 1913, pikërisht për të ekzistuar Shqipëria në ditët e sotme.

Për ata që nuk e idenë dhe e kam për politikën shqiptare, kam qenë i detyruar t’ua shpjegoj politikanëve të ‘mëdhenj’ shqiptarë, edhe Ramës, historinë e Çamërisë. Çamëria është 5 për qind më pak se Kosova, një tokë e lashtë, që kur është krijuar njerëzimi autokton dhe shqiptar. Sigurisht padrejtësitë historike iu dhanë një fat më tragjik shqiptarëve të Çamërisë duke filluar që nga 1913 deri në 1944 në mënyrë sistematike dhe të programuar deri në vitin 1944, kulmi kur shqiptarët e Çamërisë 20 për qind u masakruan dhe 80 për qind e tyre depërtuan në Shqipëri. Fatkeqësisht për të mos bërë atë që po bëjmë sot edhe regjimi i Enver Hoxhës i goditi shqiptarët e Çamërisë, deri në kufijtë e racizmit, sigurisht vitet ‘90 ishin vitet e rizgjimit.

Realisht me krijim e PDIU-së si forcë politike që në vitin 2009, jemi munduar që ta kombëtarizojmë dhe më pas ta ndërkombëtarizojmë. Kjo do të thotë që ne kemi punuar fort që çështja Çame të ishte prezente në ambientin publik. Me qindra, dhjetëra dalje televizive dhe aktivitete të PDIU-së dhe shoqatës Çamëria, u kuptua që nga shoqata që kjo çështje të merret në dorë nga politika shqiptare, një politikë permanente për 30 vjet e intimiduar nën presionin e Greqisë. Sigurisht që Shqipërisë i mungon një fill patriotik, jo një strategji kombëtare, jo për çështjen çame por dhe për shumë çështje të tjera dhe krijimi i PDIU-së ishte një domosdoshmëri për të potencuar çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.

Përtej dëshirës dhe emocioneve, sa mendoni se do të realizohet e drejta e pronës së shqiptarëve të shpërngulur me dhunë në zonat e Çamërisë. Kjo po të kemi parasysh se politika greke nuk ka ndryshuar aspak në këtë drejtim. Ajo shprehet vazhdimisht se nuk ekziston një çështje çame…

Ne kemi disa arritje shumë të rëndësishme siç është miratimi i rezolutës për shqiptarët e Çamërisë. Një dokument relevant që detyron çdo qeveri të ngrejë, të hapë dhe të zgjidhë çështje të ne shqiptarëve të Çamërisë, kemi varrezat e shqiptarëve të Çamërisë në Kllogjër ku prehen 2970 shqiptarë të Çamërisë. Kemi për herë të parë deklarimet hard për një ndër çështjet që ka Shqipëria me Greqinë është çështja e shqiptarëve të Çamërisë. Pas 4 majit të 2016 ku ne kishim dhe kongresin e PDIU-së, u pa edhe një ndryshim kursi nga aleatët tanë që ishin rilindasit në atë kohë. Madje zoti Rama në kongres tha që ne nuk e shohim dhe aq sy të mirë rritjen tuaj, pra kishin një farë xhelozie, pas kësaj ndodhi një ndryshim kursi dhe Rilindja punoi fort për ta përzënë nga koalicioni çështjen çame dhe PDIU-në dhe sigurisht për të ndryshuar totalisht kursin me Greqinë.

Ka qenë momenti ku dakordësuam me mazhorancën dhe me Ramën për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të ngjashëm me atë të Tivarit ku ne për herë të parë paraqitëm me dëshmi juridike historike çështjen çame në Parlamentin e Shqipërisë dhe jo të Greqisë dhe megjithëse kishim një dakordësi më përpara ju e dini që na u bllokua në byronë parlamentare nga z. Ruçi. Pas kësaj pamë një ndryshim kursi totalisht për çështjen çame, që gjatë fushatës. PDIU-ja arriti rezultatet më të mira gjatë gjithë kohës në këto zgjedhje prej 76 mijë votash të barabarta për 7-8 mandate, por investimi i Ramës dhe Rilindjes, bëri që të vidhen direkt mandati i Tiranës dhe i Fierit dhe sigurisht që nga jashtë koalicioneve për shkak të marrëveshjes Basha-Rama, goditi të gjitha votat e PDIU-së. Ju kujtoj se një mandat për çdo forcë tjetër politike doli me 11 mijë vota, ne kishim 76 mijë vota dhe dolën 3 mandate, u hoq dhe i vetmi përfaqësues që ngeli në Parlamentin e Shqipërisë z. Aqif Rakipi dhe sigurisht që këta të 3 që ngelën i kishte blerë Rilindja që më përpara, njëra deklaroi që pa mbaruar zgjedhjet që jemi të PS-së.

Ajo që po ndodh sot me ata që janë nëpër lista në Parlamentin e Shqipërisë sigurisht që deri këtu jemi në idenë që e doni tepsinë të gjithë për vete nuk i duhej koalicion as PDIU. Përtej kësaj, për t’iu dhënë përgjigje të gjithë “llapaqenëve” që kanë shkruar këto ditë të shtyrë nga propaganda e ‘Komitetit Qendror’ që sot simpatizojnë me reminishenca të Enver Hoxhës, çështjen çame por dhe PDIU-në, u bë e qartë që në shtator në programin e dytë të kësaj qeverie se çështja çame nuk ekzistonte. Pra, nëse 4 vite më parë çështja çame ishte e shkruar e zeza në të bardhë madje kryeministri kishte premtuar një rezolutë që një herë në 6 muaj do raportonte në parlament për çështjen çame ne nuk jemi më në programin e kësaj mazhorance. Asnjë nga këta që i japin dorës e gojës për çështjen çame, nuk kanë shkruar asnjë rresht për të.

Përtej kësaj, kryeministri e deklaroi vetë që e kam përdorur vetë çështjen çame për të rritur temperaturat dhe për ta ulur Greqinë në tryezë. Na u premtua që do zgjidhjen çështjet shqiptare me ato greke. Pra, ajo shqiptare ishte çështja çame dhe heqja e ligjit të luftës dhe na u premtua kjo gjë. Deri më sot pala shqiptare nuk ka marrë as heqjen e ligjit të luftës, as ngritjen e varrezave, as çështjen çame, por ka marrë vetëm vulën apostile. Ndërkohë pa një marrëveshje bilaterale përfundimtare ka lëshuar për Greqinë:

1-Bërjen e varrezave të ushtarëve grekë, e kishin paralajmëruar si vend pelegrinazhi dhe përplasjesh, sepse ka qenë kërkesë e kahershme e Greqisë dhe është te 6 pikat e Micotaqisit; mbjellja e Shqipërisë në kufijtë e Epirit me ushtarë imagjinarë. Kjo do bëhej shkak për pretendimet e Epirit dhe shkak për përplasje të mëdha si ajo e Kacifasit, ku praktikisht pamë që në jugun e Shqipërisë shteti shqiptar ka rënë.

2-U bë një marrëveshje për toponimet vetëm për 800 shqiptarë pleq që kishin lindur në Çamëri. Sot me fakte jua jap, ata janë detyruar të ndërrojnë dhe vendlindjen e tyre në pasaportë. U bë një ligj për minoritetet ku Shqipëria doli me 9 minoritete dhe u hoq për herë të parë koncepti i zonave minoritare siç ka qenë që në kohën e Zogut që Shqipëria i ka njohur Finiqi dhe Dropulli. Sot pra kujtdo që t’i teket edhe në Kukës e Tropojë mund të dalin disa edhe po dolën në kufijtë e 20 për qindëshit që është tentimi i radhës me censusin e radhës, beteja që kemi bërë para 10 vitesh dhe ne do ta bëjmë prapë, për të nxjerrë shumica të pakicave në zona të caktuara dhe për të bërë diskriminim.

shpetim idrizi-konica.al

A mendoni se ndonjë ditë do të ketë të atillë ndryshim në politikën e fqinjëve, që çështja çame të hyjë drejt zgjidhjes? Po qeveria, autoritetet tona, a kanë bërë sa duhet në këto dekada?

Greqia është e qartë në politikën e saj prej 100 vjetësh për Vorio Epirin. Ndërkohë Shqipëria nuk bëri asgjë për çështjen çame. Kërkuam për reciprocitet të bëheshin varrezat e shqiptarëve çamë që dergjen në autostrada, rrugë e shtëpia që ne i njohim. Unë e kuptoj për politikën greke këta ushtarë që ranë për Epirin vlejnë shumë, por politikën shqiptare vlejnë po aq pleq, gra e fëmijë që nuk u vranë në luftë, por u masakruan. Kemi kërkuar që si Greqia ka konsullatë në Gjirokastër e nga mos kishte një konsullatë edhe në zonën e Çamërisë. Ndërkohë që ne kërkonim të avanconim në këto gjëra dhe kjo qeveri kishte bërtitur në 4-vjetëshin e kaluar, ndonjëherë dhe më shumë se sa ne, u ndodhën dhe në një diskutim të paprecedentë edhe për emrin e Çamërisë.

Pra, jo vetëm që u përzu nga koalicioni PDIU-ja dhe ju vodhën mandatet e saj që ne mos të ishim në parlament, por nga krahu tjetër u shit edhe çështja e shqiptarëve të Çamërisë dhe këtu ishte qëllimi. Sigurisht që në këto kushte as PS-ja donte bashkëpunim me ne dhe as ne mund të bashkëpunonim ndonjë bashkëpunim me PS-në që edhe pushtetin e kishte të gjithin për vete, madje u hoqën vazhdimisht funksionarë të PDIU-së madje-madje vazhdoi loja për të futur duart brenda PDIU-së, se ndërkohë që hiqeshin ata pak që ishin në punë, merreshin disa të tjerë dhe bëheshin drejtora të rëndësishëm, a thua iu mbaruan njerëzit e saj Rilindjes për drejtora. E gjithë kjo sigurisht që e vendoste PDIU-në në një moment shumë delikat, ku ne duhet të ruanim performancën dhe forcën e PDIU-së. Kemi ngritur zërin jo vetëm për çështjen çame, por për të qenë një parti politike reale.

Kemi kapjen në ekonomi, kapje të pushteteve, krimin e organizuar, kanabizimin e vendit etj. Në shtator dhe jo para 4 ditësh, firmosëm një marrëveshje me PD-në për koalicion vetëm me PD-në, ku çështja çame është ndër pikat kryesore, është hera e parë për marrëveshjen tonë të shkruar, edhe me Berishën dhe me Ramën nuk pranonin të nënshkruanin marrëveshje. Duket si një afilacion më i natyrshëm për shkak të antikomunizmit etj., një habitat më i natyrshëm djathtas të PDIU-së dhe sigurisht në këtë dinamikë erdhëm në atë marrëveshje. Kemi parë këto ditë që të gjithë këta të shtyrë nga propaganda e ‘Komitetit Qendror’ i kanë dhënë dorës e gojës për çështjen çame që ne kemi bërë koalicion me Vangjel Dulen.

E theksoj prapë se ne kemi bërë marrëveshje vetëm me Partinë Demokratike. Madje-madje, nëse do bënim më PS-në koalicion, e para do të na akuzoni që po bëjmë marrëveshje me ata që e shitën çështjen çame, por aty ndodhet edhe partia e minoritetit grek MEGA. Po ndodhet edhe Partia Komuniste atje, ndodhet edhe Partia e Punës. Do na thonin si e bënë prapë me këta… Ne s’kemi asnjë raport me Dulen. Problem për ne mbetet “Dulja i madh” (Rama).

Ndërkohë që ju e keni parë që brenda koalicionit tonë është formësuar një bashkim tjetër ku është PPDNJ, Partia Republikane dhe Demokristianët dhe PDIU-ja nuk është. Me këtë dua të garantoj se nuk kam qenë dhe as do të jem ndonjëherë jo me Dulen, por me çdo njeri që është kundra interesit të shqiptarëve. Kam një pyetje natyrshëm për të gjithë këta ushtarë… Kur PPDNJ bën marrëveshje me PD, PS, LSI, PR, PAA, PDK, LZHK, PSD etj., këta s’qenkan antikombëtarë? Çështja çame është e të gjithëve, prandaj e them të gjithë juve që bëni të “merakosurin” për çështjen çame, asnjë rresht nuk keni shkruar për të. Rrini të qetë se PDIU-ja ka marrëveshje vetëm me PD-në dhe do të jetë parti që jo vetëm për çështjen çame, por për çdo çështje që prek shqiptarët do jemi në krahun e duhur.

Mapo.al