MENU
klinika

Studenti shqiptar i Harvardit

Intervista/ Kosova duhet të udhëhiqet nga njerëz të rinj

22.04.2019 - 22:10

Studenti shqiptar në Universitetin prestigjioz të Harvardit, Deni Hoxha, porositë të rinjtë shqiptar që të angazhohen, t’i ndjekin ëndrrat e tyre, dhe të mos frikësohen nga dështimet, pasi që dështimet janë pjesë e jetës dhe pjesë e riskut, që duhet marrë për të patur sukses dhe për të arritur aty ku do të jesh.

Edhe pse largimin e të rinjve drejt vendeve të huaja e konsideron si alarmues, megjithatë, sipas tij, kjo nuk mund të jetë aq befasuese, sepse situata në vendet tona, e ka bërë të veten.

Në një intervistë, Deni Hoxha flet edhe për vështirësitë, sfidat e të qenurit pjesë e këtij universiteti, për Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në këtë Universitet, të cilin e drejton ai, sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, e sidomos marrëdhëniet me ShBA-në, perspektiven evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për gjerë ta tjera.

Lidhur me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në këtë Universitet, ai thotë se janë të lumtur, për gatishmërinë që Ambasadoret Teuta Sahatqija, Vlora Çitaku dhe Floreta Luli-Faber, kanë treguar për të qenë të pranishme në Harvard, dhe për t’i mbështetur organizimet e tyre.

Deni Hoxha është një student në Universitetin e Harvardit dhe studion Ekonomi si dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

I lindur në Gramsh dhe rritur në Tiranë, Deni emigroi me familjen e tij në Worcester, MA dhe jeton atje nga viti 2011. I pasionuar për ekonominë dhe marrëdhëniet ndërkombëtar, Deni ka marrë pjesë në programe të ndryshme të Harvardit për dy vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara, Francë, Tunizi, Shqipëri, Turqi, Katar, Jordani, Izraeli, Palestine dhe Japoni.

Jashtë klasës, Deni është themelues dhe president i Asociacionit Shqiptar të Studentëve, konsulent biznesi dhe fotograf në gazetën Harvard Crimson, një tutor në Institutin e Politikës dhe drejtor i Komunikimit në organizatën Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kampus të Universitetit. Interesat e tjera të Denit, përfshijnë sipërmarrjen sociale, zhvillimin ndërkombëtar dhe iniciativat kulturore dhe ndërfetare. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe frënge dhe aktualisht studion japonisht, arabisht dhe turqisht.

Vlen të theksohet se në vitin 2017, Deni u zgjodh nga Coa Cola si një nga 150 studentët që fituan bursën prestigjioze Coca Cola Scholarship, si dhe ka fituar bursa te ndryshme nga Departamenti i Shtetit. Deni gjithashtu nuk harron prejardhjen e tij shqiptare. Është themelues dhe drejtues i organizatës Team Albanians, ku promovojnë kulturën, turizmin, suksesin shqiptar të Shqipërisë dhe Kosovës, në Amerikë dhe më gjerë nëpërmjet internetit.

Fillimisht, jeni student në Universitetin më prestigjioz në ShBA, në Harvard. Na tregoni si u bëtë pjesë e këtij Universiteti?

Kam qenë student në shkollën publike “4 Dëshmorët” në Tiranë deri në klasë të 5-të dhe më pas kur familja emigroi vazhdova në një shkollë publike në Worcester, MA. Kur isha në vitin e fundit në shkollën e mesme, aplikova në disa universitete. Harvardi dhe universitete të tjera prestigjioze kanë përqindje të pranishme shumë të vogla, kështu që aplikova në disa për të pasur më shumë opsione dhe për të provuar fatin. Kur më erdhi e-mail i pranimit, ka qenë një nga ditët më të bukura për mua, por edhe për familjen time. Ishte si një shpërblim për gjithë punën dhe përgatitjen gjatë viteve. Për të rinjtë shqiptarë që janë të interesuar, bazuar në përvojën time me aplikimet, do të këshilloja që të fillonin sa më herët aplikimin dhe përgatitjen. Notat dhe provimet si SAT, ACT ose AP (në Anglisht) janë shumë të rëndësishme, por gjithashtu edhe aktivitetet jashtë-shkollore, që lidhen me interesat e studentit, si sportet, vullnetarizmi ose edhe puna. Pjesë e aplikimit është edhe një ese. Çdo njeri ka historinë e vet ose gjëra unike dhe speciale, kështu që është e rëndësishme që këto ide të reflektohen në aplikacion dhe në ese sa më mirë. Të gjitha këto komponente realizohen me mirë duke filluar sa më herët përgatitjet.

Ka qenë e vështirë të jeni pjesë e këtij Universiteti?

Përshtatja në Harvard është e vështirë në fillim, sepse Harvard është një universitet rigoroz si në klasa ose leksione, ashtu edhe në mundësitë që ofrohen. Ka shumë konkurrencë midis studentëve dhe kjo ishte diçka ndryshe. Por, kjo konkurrencë vjen sepse të gjithë studentët janë shumë të kualifikuar, të talentuar dhe për këtë arsye ata janë në Harvard. Kjo të shtynë që të mundohesh edhe më shumë dhe të përmirësosh vetën. Gjithashtu, nuk vlen krahasimi me studentë të tjerë në një vend me kaq konkurrencë—në vend të kësaj, krahasimi duhet bërë vetëm me veten. Kjo është më e drejtë sepse çdo person ka talent ose rrethana të ndryshme. Universiteti më ka bërë të mos harroj se nga vi, dhe gjithashtu të mos harroj vështirësitë ose mundimet që kam kaluar për t arritur këtu, dhe kjo më bënë që të mundohem, por edhe që ta shijoj këtë eksperience.

Sa studentë shqiptarë ka gjithsej të Universiteti Harvardit, dhe në cilat drejtime kanë duke studiuar ata?

Universiteti i Harvardit ka shumë shqiptar në studimet bachelor, master, doktoraturë etj. Nuk kam një numër për gjithë universitetin, ndoshta 20 gjithsej. Por, në programin bachelor, jemi 12 gjithsej. Shumica janë shqiptaro-amerikan me origjinë nga Shqipëria dhe Kosova. Studiojmë në drejtime të ndryshme si shkenca politike, fizikë, ekonomi, biologji, inxhinieri, shkenca kompjuterike dhe histori.

Jeni themelues i Asociacionit të Studentëve Shqiptarë në këtë Universitet. Çfarë bënë ku Asociacion, pra puna, aktivitetet, organizimet dhe projektet për vitin 2019?

Asociacioni i studentëve shqiptar ka qenë një nga arritjet e mia më të rëndësishme në Harvard. Si organizatë, misioni ynë është i dyfishtë, për të shërbyer si një hapësirë sociale dhe profesionale për studentët shqiptar dhe për të rritur ndërgjegjen e komunitetit në Harvard lidhur me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në gjithë botën. Jemi një popull i vogël dhe nganjëherë nuk përshkruhemi në mënyrë të drejtë nga media, dhe këtë gjë ne duam ta ndryshojmë pak nga pak edhe në Harvard. Synojmë që organizimet tona të bashkojnë studentë me origjinë shqiptare, por edhe studentë të tjerë të interesuar për kulturën, historinë ose çështjet bashkëkohore shqiptare. Në projektet tona ne trajtojmë kushtet shoqërore, ekonomike dhe politike që prekin shqiptarët në mbarë botën nëpërmjet diskutimeve të komunitetit, ngjarjeve kulturore, forumeve dhe takime profesionale. Si president, këtë vit të parë të organizatës, unë jam munduar për të rritur numrin e organizimeve që ne ofrojmë në Universitet. Përveç drekave dhe darkave javore midis anëtareve të asociacionit, këtë vit kemi organizuar shfaqje filmi, koncert muzikor, ligjëratë me Ambasadoren Teuta Sahatqija si dhe diskutime që kanë të bëjnë me angazhimin e diasporës. Në javën që vjen do të kemi një shfaqje filmi dhe diskutim me pedagog rreth fenomenit te burrneshave.

A ka bashkëpunim ky Asociacion me Asociacionet apo Shoqatat tjera të studentëve, nëse po në cilat fusha bashkëpunoni më shumë?

Një kriter i të qenurit asociacion në Harvard, është pavarësia nga organizata ose shoqata të tjera. Çdo vendim i shoqatës merret nga pjesëtarët e shoqatës që janë studentë në Harvard, por ne kemi bashkëpunuar edhe me shoqata të tjera për të organizuar evente së bashku. Para një muaji organizuam një koncert së bashku me Massachusetts Albanian American Society, dhe kemi plane të bashkëpunojmë me shoqata të tjera gjithashtu. Mirëpresim bashkëpunime edhe me shoqata, kompani, ose organizata të tjera si në Amerikë si jashtë Amerikës, që kanë ide dhe për këtë mund të na kontaktojnë në Facebook, e-mail ose në ëebsitin tonë. Gjithashtu, unë vetë jam themelues dhe drejtues i organizatës Team Albanians ku promovojmë kulturën, turizmin dhe suksesin shqiptar në Amerikë dhe më gjerë nëpërmjet internetit. Kështu që ndonjëherë marr frymëzim edhe nga Team Albanians për organizimet e asociacionit.

Po ashtu, jeni edhe drejtor i Komunikimit në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Harvard. Si erdhët deri tek kjo pozitë?

Këtë vit jam caktuar drejtor i komunikimit dhe marketing në organizatën Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kampus, e cila është pjesë e Qendrës Weatherhead për Çështjet Ndërkombëtare në Harvard. Gjatë vitit të parë kam qenë asistent në këtë departament dhe këtë vit u përzgjodha si drejtor. Është një punë që kërkon profesionalizëm dhe organizim, por gjithashtu kam patur mundësinë për të mësuar për çështje të ndryshme, dhe gjithashtu për të takuar liderë dhe politikanë të ndryshëm nga shume shtete. Edhe në këtë pozicion jam munduar për të organizuar diskutime dhe evenimete që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Shqipërinë.

Kush ju ka ndihmuar më së shumti?

Jam mirënjohës për të gjithë mësuesit që më kanë inkurajuar dhe që kanë mbështetur angazhimet dhe sipërmarrjet e mia, që në Shqipëri dhe deri këtu në Amerikë. Gjithashtu, kam patur mbështetje nga familja dhe të afërmit e mi. Familja ime emigroi në Amerikë në vitin 2010, dhe ka qenë një sakrificë e madhe për prindërit e mi, prandaj për këtë jam shumë mirënjohës që më shtyn mua për të bërë edhe më shumë.

Ka edhe shqiptar tjerë që punojnë në këtë Universitet?

Po sigurisht, në Harvard përveç studentëve, ka edhe punonjës shqiptare në departamente dhe programe të ndryshme. Gjithmonë kur takoj shqiptar të tjerë në Harvard me vjen shumë mirë dhe e bënë Universitetin më familjar dhe inkluziv për ne studentët këtu. Shpresojmë që në të ardhmen numri i studenteve dhe punonjësve që janë shqiptar të rritet.

Z. Hoxha, cili është mendimi juaj, sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, e sidomos marrëdhëniet me ShBA-në?

Mendoj se korrupsioni dhe largimi i të rinjve drejt vendeve të huaja janë alarmues, por gjithashtu nuk duhet të jetë aq befasuese, sepse kjo është situata në vend. Amerika është një partner dhe aleat i rëndësishëm, dhe Kosova është me fat për marrëdhënien që ka. Kosova duhet të konsultohet me partnerët e saj, por gjithashtu, është një vend i pavarur dhe vendimet apo ligjet e Kosovës duhen vendosur nga kosovarët, sepse në fund të fundit kosovarët e dinë më mirë realitetin në vend. Interesin apo leverdinë e një vendimi, ata e gjykojnë më mirë sesa një i huaj.

Si e shihni perspektiven evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare?

Mendoj se akoma ka shumë punë për tu bërë në vendet tona sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shërbimeve shëndetësore. Perspektiva evropiane është diçka që duhet të na motivojë, por gjithashtu nuk duhet të jemi kaq të varur nga kushtet ose mundësitë që mund të na ofrojë Bashkimi Evropian. Problemi është i brendshëm, dhe mendoj se ka nevojë për reforma të ndryshme në çdo fushë. Në vend të perspektivës evropiane apo heqja e vizave, duhet të motivohemi për një të ardhme më të mirë për veten tonë që realizohet brenda vendit. Njerëzit duhet të kërkojnë më shumë llogari kundrejt atyre që i kanë vënë në pushtet për të përmbushur premtimet e tyre. Në lidhje me këtë, mbështes iniciativat ose ngritjet e udhëhequra nga të rinjtë (ata që nuk janë pjesë e grupeve rinore politike) për ndryshime. Një shembull, gjatë protestës së studentëve në Shqipëri, Asociacioni i studentëve në Harvard—në konsultim me profesorë dhe anëtarë të organizatës, vendosëm të shprehim mbështetjen tonë në një deklaratë për protestën. Shpresoj që në të ardhmen edhe unë të jap kontributin tim në Shqipëri dhe Kosovë.

Nga vështrimi juaj, si e shihni dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes të dyja shteteve, sa i përket njohjes reciproke?

Nuk i kam ndjekur zhvillimet e fundit, por mbështes normalizimin e marrëdhënieve dhe dialog që mund të arrij në një marrëveshje.

Çfarë është synimi juaj sa i përket zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe më gjerë, pra aty ku jetojnë shqiptarët?

Siç e thash më parë, korrupsioni dhe një gjendje amullie, janë dy epidemi që kanë kapur vendet tona. Kemi shume vite me udhëheqës të njëjtë, që ndoshta edhe po sjellin ndryshime të mira, por ky proces me këta persona ka qenë jashtëzakonisht i ngadalshëm. Në Amerikë është limiti 2 mandate për President. Një gjë e tillë do më pëlqente edhe në Kosovë ose Shqipëri, ndoshta nuk do të funksiononte, por thjesht besoj në nevojën për të patur ide dhe fytyra të reja që udhëheqin vendet tona. Shpresoj për fryma të reja dhe politikanë të rinj që të angazhohen më shumë. Sa i përket ekonomisë, decentralizimi fiskal, politik dhe administrativ duhet të implementohet. Zhvillimi ekonomik vjen edhe nga investime në arsim, teknologji dhe shërbim shëndetësor. Këto fusha kanë nevojë për përmirësim për të rritur sipërmarrjen, sigurinë dhe jetesën në vend. Kam vënë re në Kosovë, janë disa organizata të reja në fushën e arsimit teknologjik dhe inovacionit, dhe jam shumë optimist për mundësitë që këto mund të sjellin në të ardhmen.

Si i vlerësoni rolin e misioneve diplomatike të Kosovës dhe Shqipërisë, e Maqedonisë, si në New York, e po ashtu edhe në Washington?

Kemi patur mundësinë për të punuar me Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, Ambasadën Kosovare në New York dhe Ambasadën Shqiptare në Washington. Në lidhje me organizatën tonë, jemi të lumtur për gatishmërinë që Ambasadoret Teuta Sahatqija, Vlora Çitaku dhe Floreta Luli-Faber, kanë treguar për të qenë të pranishme këtu në Harvard dhe për të na mbështetur në organizimet tona. Ambasadorja Sahatqija para disa javësh dha një ligjëratë rreth dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe ky ka qenë një nga organizimet tona më të suksesshme ku morën pjesë pedagog, studentë dhe komuniteti shqiptar. Gjithashtu, ligjërata e Ambasadores ishte shumë interesante dhe gjithëpërfshirëse. Në shkurt, Ambasadorja Faber ishte pjesë e shfaqjes së filmit “Besa”, ku folëm për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri.

Këtë verë do të jeni pjesë e Harvard Business School në Stamboll, Turqi. Na tregoni pak për këtë projekt?

Gjatë verës dua të provoj eksperienca të reja dhe mundohem që të mësoj diçka të re. Përveç ekonomisë, unë studioj gjithashtu Frëngjisht, Arabisht dhe Studime të Botës Arabe dhe këtë verë do të punoj me pedagog nga Harvard Busiess School, në shkrimin e artikujve dhe kërkime të ndryshme në fushën e biznesit dhe ekonomisë në botën Arabe dhe në Afrikën e Veriut. Do të shpenzoj edhe dy muaj në Japoni, ku do të punoj me qeverinë komunale në rajonin Kansai, në një program turizmi dhe zhvillim ekonomik, dhe shpresoj që të mësoj pak Japonisht gjatë kësaj kohe. Jam shume mirënjohës për universitetin që më ofroi këto mundësi.

Cili është mesazhi juaj drejtuar të rinjve shqiptar?

Të rinjve shqiptar i them që të angazhohen, t’i ndjekin ëndrrat e tyre, dhe të provojnë duke mos u frikësuar nga dështimi. Unë jam këmbëngulës në qëllimet që kam, dhe përkushtohem shumë për diçka që dua të arrij. Por, gjërat nuk ecën ashtu siç duhet gjithmonë. Prandaj, mos të dorëzohen pasi është e lehtë që të dekurajohesh ose të zhgënjehesh me një dështim ose një vështirësi, por më shumë rëndësi kanë vendosmëria dhe përmirësimi. Dështimet janë pjesë e jetës dhe pjesë e riskut, që duhet marrë për të patur sukses dhe për të arritur aty ku do të jesh./ Telegrafi