MENU
klinika

Zgjedhjet europiane

Itali/ Rikthimi i Berlusconit dhe shfaqja e Musolinëve

19.04.2019 - 10:24

Italia do të jetë në votime më 26 maj për të zgjedhur anëtarët e Parlamentit Europian. Këtu janë pesë gjëra kryesore për t’u parë.

Salvini kudo

Ministri i Brendshëm Matteo Salvini kryeson listën e partisë së tij anti-emigrantr në të gjitha zonat italiane, pavarësisht se ai nuk ka ndërmend të kthehet në Parlamentin Evropian. Ofertat e tij për të formuar një aleancë me partitë e krahut të djathtë populiste dhe nacionaliste anembanë kontinentit kanë fituar mbështetje.

Gratë nga ‘Pesë Yjet’

Luigi Di Maio, kreu i lëvizjes Pesë Yjet (M5S), që qeveris në një koalicion me Lidhjen, ka emëruar pesë gra për të udhëhequr listat e tij: një sipërmarrëse, një profesoreshë, dy nëpunëse civilë dhe një gazetare.

Di Maio fitoi mbështetje nga anëtarët e lëvizjes në internet, por kishte zhurmë për vendimin e tij pasi ai ka zgjedhur figura të panjohura që kanë pasur shumë pak përvojë brenda M5S deri tani.

Berluskoni kthehet?

Miliarderi Silvio Berluskoni po shpreson për rikthimin e tij politik. 82-vjeçari është shfaqur ‘në ring’ përsëri për partinë e tij të qendrës së djathtë Forza Italia (FI), të cilën ai e themeloi 25 vjet më parë.

Pasi është prekur nga disa skandale, Berluskoni po përpiqet të rifitojë pozitën si një burrë shteti me përvojë, i cili mund ta shpëtojë Italinë nga populizmi, duke ruajtur marrëdhëniet e mira me Lidhjen.

Një ish-prokuror edhe një ‘shpëtimtar’

Në vitin 2014, 40 për qind e italianëve votuan për Partinë Demokratike (PD) të qendrës së majtë nën Matteo Renzi. Tani partia do të jetë e kënaqur të fitojë vetëm gjysmën e atij rezultati.

Udhëheqësi i ri, Nicola Zingaretti, i ka kërkuar disa prej figurave më simbolike të shoqërisë civile të ndihmojnë. Midis tyre janë Franco Roberti, një ish-prokuror kombëtar kundër mafias, dhe Pietro Bartolo, një mjek i famshëm nga ishulli Lampedusa, që ka punuar për shpëtimin e emigrantëve në Mesdhe.

Mussolinë në garë

Mbesa e diktatorit italian Benito Mussolini, eurodeputetja Alessandra Mussolini, 56 vjeç, po kandidon për partinë FI të Berluskonit, ndërsa djali i kushëririt të saj Caio Giulio Cesare Mussolini, 50 vjeç, po kandidon për të djathtët ‘Vëllezërit’ e Italisë. Ata janë në listat në zonat zgjedhore të ndryshme dhe të dy duket se do të ecin mirë.