MENU
klinika

Kostot e fushatës

KQZ në terren/ Do të verifikojë shpenzimet e kandidatëve

11.04.2019 - 17:20

Shpenzimet e kandidatëve në zgjedhjet vendore do të monitorohen në terren prej ekspertëve të akredituar në KQZ.

Të dhënat që do të mblidhen do të krahasohen me faturat e blerjes. Vendimi është marrë në mbledhjen e KQZ që po vazhdon të administrojë procesin me Kodin Elektoral të pandryshuar.

Ekspertët kontabël dhe të auditit do të monitorojnë në terren shpenzimet e partive politike dhe të kandidatëve të tyre për fushatën zgjedhore të 30 qershorit dhe do ti krahasojnë të dhënat me faturat e blerjes.

Ka qenë ky një ndër vendimet që është miratur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të rritur monitorimin dhe kontrollin mbi financimet dhe shpenzimet në fushatë.

Pas mbledhjes, kryetari i KQZ-së Klement Zguri tha procesi për administrimin e zgjedhjeve do të vazhdojë me kodin aktual pasi forcat politike nuk mundën të realizojnë reformën zgjedhore.

“Në një kohë kur politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizhmërie. Reforma zgjedhore edhe këtë herë, mesa duket, nuk po shënon dot progres, por KQZ-ja po i adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, brenda hapësirave dhe kompetencave që i njeh ligji. Në zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim.”

Paralelisht me përgatitjen, KQZ po vazhdon të administrojë kërkesat për marrjen e mandatit të kandidatëve të listës së PD dhe LSI.

I fundit që shprehu interes është Fatjona Dhimitri e selisë blu në Gjirokastër.