Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë marshimit me qytetarët drejt kryeministrisë, deklaroi se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Ramës dhe plotësimin e dy kërkesave të opozitës.
Për ambasadorët në vend, Kryemadhi tha se Shqipëria është shtëpia jonë, ndërsa shtoi se ambasadorët vijnë dhe ikin.
“Reforma zgjedhore është një proces që nëse nuk garantohet shitblerja e votës, dhe përdorimit të bandave kriminale, ajo është e kotë. Nëse të gjithë këta ambasadorë që na flasin për demokracinë, do ju japin bukën e fëmijëve të tyre shqiptarëve?!… Ata vijnë dhe ikin. Shqipëria është shtëpia jonë jo e ambasadorëve”, ka thënë ajo.
Kryemadhi u shpreh se protestat e opozitës nuk do të ndalojnë deri në sa të krijohet sipas saj, një sistem vlerash.
Jemi akoma në periudhën e sensibilizimit, shqiptarët janë sensibiluar më shumë se kushdo tjetër. Por po sensibilizojmë socialistët në parlamentin e Edi Ramës, po sensibilizojmë edhe atë pjesë të Rilindjes, e cila e kupton vetë që çdo gjë ka marrë fund, por është vetëm një zvarritje, e cila shton edhe më shumë dëmin në rradhët e Partisë Socialiste, se sa opozitës së vërtet shqiptare.
Protestat nuk do të ndalojnë, 13 prill, 23 prill deri sa në Shqipëri të vendoset njëherë e mirë një sistem i vlerave dhe jo një sistem i antivlerave që ka ngritur Edi Rama. Të vendoset ai sistem që çdo njeri që vjen në Shqipëri të mos ta mendojë Shqipërinë si parajsën e drogës dhe të parave të pista, por ta mendojë Shqipërinë si një vend europian që vjen dhe është i barabartë si në Francë, si në Itali, si në Gjermani.”, theksoi kryetarja e LSI.