MENU
klinika

Vlerësimi bëhet brenda 45 ditëve

Fatjona Memçaj, prokurorja që kërkon karrigen e Arta Markut

26.04.2019 - 12:52

Prokurorja e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm pranë KPK paraditen e sotme.

Memçaj është kandidatja e dytë që kërkon të zëvendësojë Arta Markun, e cila aktualisht është Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme.

Ndërsa kandidati i parë i regjistruar në garë është Olsian Çela. Çela, aktualisht prokuror te Krimet e Rënda, dorëzoi kandidaturën pak ditë më parë, më 19 prill.

Këshillli hapi garën në datën 19 mars, pasi miratoi më parë rregulloren mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, ku përfshihet dhe procesi i rivlerësimit. Koha në dispozicion për aplikantët është 30 ditë.

Më pas Këshilli, brenda 45 ditëve do të bëjë vlerësimin e tij mbi plotësimin e kushteve nga ana e kandidatëve si dhe do të zhvillojë seanca dëgjimore me ta.

Sipas Kushtetutës, e cila i përshtat reformës në Drejtësi në vitin 2016, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e votave.

Këshilli i Lartë i prokurorisë i dërgon parlamentit tre kandidatura të renditura sipas vlerësimit që kanë marrë.

Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë.

Por kush është Fatjona Memçaj?

Prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj u konfirmua në detyrë më 3 maj 2018 pasi kaloi me sukses vetingun.

KPK pas hetimit konstatoi se pasuria e prokurores ishte e ligjshme dhe se nuk kishte fshehur pasurinë dhe as nuk kishte bërë deklarim të rremë.

Pasuria e prokurores Memçaj përbëhej nga një apartament me sipërfaqe 96 m2 me vlerë 27 800 dollarë, një automjet, një motor Vespa dhe një llogari bankare të saj së bashku me personat të lidhur me të.

Po ashtu edhe nga verifikimi i figurës dhe aftësisë profesionale, Fatjona Memçaj rezultoi e përshtatshme për detyrën që mban.