Të pafundme janë edhe përdorimet e limonit në lidhje me shëndetin dhe ushqimet. Për qëllime mjekësore përdoren lëkura dhe lëngu i frutit të limonit.
Gripi
Vetitë mjekësore të limonit kushtëzohen nga prania në të e një sasie të madhe vitaminash, kryesisht të vitaminas C . Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën. Efekt të dukshëm ato japin në hipovitaminozat dhe avitaminozat.
Në gjendje gripale dhe me temperaturë, personat e rritur mund të përdorin këshillën praktike që vijon. Merret një kokërr limon dhe shtrydhet lëngu i tij në një gotë. Aty shtohet edhe një filxhan me raki rrushi të ngrohur më parë dhe përzihen. Lëngu i përgatitur pihet njëherësh i ngrohtë, 2-3 orë para ose pas buke.
Tretës
Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme. Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj apo në gjellë. Në sajë të vetive rrudhëse dhe antitoksike, lëngu i limonit përdoret me efekt kundër barkut dhe diarresë, me pak ose pa sheqer. Rezultate të mira ka dhënë lëngu i limonit gjatë përdorimit kundër acarimeve të mukozës së gojës dhe të grykës, duke bërë larjen dezinfektuese në formë gargarash.
Bajamet
Limoni ka gjetur përdorim të gjerë kundër acarimit ose qelbëzimit të bajameve. Në këto raste këshillohet të përgatitet kjo kurë. Merret një kokërr limoni me madhësi mesatare, pritet në mes në drejtim të gjerësisë dhe të dyja gjysmat vendosen në një pjatë mbi zjarr derisa të ngrohet lëngu që përmbajnë.
Pastaj, nga pjesa e prerë, të dyja gjysmat, të ngrohta, vihen në të dyja anët e qafës, në vendet mbi bajamet, lidhen me garzë dhe lihen aty derisa të ftohen. Ky veprim përsëritet për 2-3 ditë, në darkë para gjumit.
Mëlçia
Limoni përdoret edhe për shërimin e sëmundjeve të mëlçisë. Më tepër rezultat ka dhënë kombinimi që vijon. Për 20-30 ditë rresht, çdo ditë në mëngjes, një orë para buke, pihet lëngu i një kokrre limoni së bashku me një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle mjaltë. Kjo këshillë përdoret edhe nga organizmat e dobësuar, ata që kanë kaluar ndonjë sëmundje, për rivendosjen e oreksit dhe të shëndetit të tyre.
Temperatura
Limoni bën mirë edhe për uljen e temperaturës. Ai ndikon në ripërtëritjen dhe vetëpastrimin e përgjithshëm të organizmit nga kripërat e kristalizuara. Limoni ka veti të mira diuretike. Lëngu i tij përdoret me efekt në luftimin e gurëve të veshkave dhe të fshikëzës urinare.
Për këtë qëllim duhen konsumuar 2-4 kokrra limoni çdo ditë për një periudhë prej 1-3 muaj. Edhe lëkura e limonit ka gjetur mjaft përdorime. Ajo përmban vaj esencial, alkoole të ndryshme, vitaminë A, B1 etj. Vaji esencial ka aftësi për të vrarë bakteret, si dhe për të ndaluar veprimtarinë e tyre.
Reumatizma
Lëngu i limonit është i dobishëm edhe për kockat. Por nuk duhet ta përdorin ata që kanë stomak delikat e të ndjeshëm, pasi shton aciditetin dhe dëmton stomakun. Kundër reumatizmës përdoret me efekt këshilla e mëposhtme: Merren 1-2 kokrra limon dhe pasi lahen mirë, pa hequr lëvozhgën, grihen në rende. Brumi i fituar, pasi i shtohet 1-2 lugë kafeje sheqer, hahet esëll në mëngjes ose në orët e pasdites. Ky veprim përsëritet çdo ditë për 20-30 ditë.