MENU
klinika

Bodler - poeti i mallkuar

Lirizmi romantik në formë të përkryer

09.04.2019 - 12:04

Libri është kopsht, është pemëtore, thesar, është festë, si të thuash është një shoqëri, është këshilltar, një mori këshilltarësh.

 

Sot bota e letrave përkujton Sharl Bodlerin, një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit XIX. Novator i shkëlqyer i zhanrit lirik, vepra e tij madhore “Lulet e së keqes”, konsiderohet një nga klasikët e letërsisë franceze dhe botërore. Titulli i koleksionit është emblematik, pasi zbulon poetikën e poetit të mallkuar. Bodleri synon të nxjerrë bukurinë nga e keqja që shtyp dhe përshkon shoqërinë në mesin e viteve 1800. Sidoqoftë, nuk ka nevojë të flasim për kontributin e jashtëzakonshëm të “Lulet e së keqes” në literaturën botërore dhe imagjinatën kolektive: poeti ka krijuar një stil të ri të shprehjes së poezisë, bazuar në vargun e lirë, simbolet, fjalët tingëlluese, tek të cilat gjithçka është është e lidhur me njëra-tjetrën përmes një filli të padukshëm që vetëm natyra e di.

Në të gjallët e tij, ai ishte një qenie kundërshtuese. Armiku kryesor në jetën e tij qe njerku. kolonelin Aupick, gjeneral i nderuar i Monarkisë së Korrikut dhe i Perandorisë së Dytë, i cili për Sharlin mishëronte gjithçka të urryeshme: vetëkënaqësinë, moralin konvencional. Shkrimtari ishte një udhëkryq mosmarrëveshjesh. Nuk ishte aspak demokrat, por do të bëhej më shumë po të kishte mundur të shtonte në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të drejtën për të kundërshtuar veten.

Sharl Bodleri lindi në Paris në 8 prill 1821 në lagjen latine.  I ati i vdiq që herët, kur sapo kishte mbushur gjashtë vjeç. Një vit më vonë, e ëma u martua me kolonelin Aupick. Student i padisiplinuar, ai u përjashtua nga liceu Louis-Le-Grand në prill të vitit 1839. Më pas, diplomën e shkollës së mesme e mori në Saint-Louis, para se të niste studimet për drejtësi.

 

 

Në vitin 1843 filloi të shkruante “Lulet e së keqes”, provoi hashishin – një përvojë që e shpalos tek vepra “Parajsa artificiale”. Kritik arti dhe gazetar, Bodleri është gjithashtu autori i “Sallonet”, “Piktori i jetës moderne”, njëherazi edhe përkthyes i veprave të Edgar Allan Poe. Në 1857, pak pas publikimit të “Lulet e së keqes”, u akuzua për shpërfillje të moralit publik dhe moralit fetar, u dënua pa apel me treqind franga gjobë, si dhe me censurimin e gjashtë poezive nga koleksioni. Zgjedhjet estetike dhe politike të Bodlerit luhaten midis modernizmit dhe antimodernizmit. Poezia “Albatros” mbetet manifesti i përjetshëm i poetikës së tij.

Sharl Bodleri e kaloi jetën duke kundërshtuar moralin e klasës së mesme të mjedisit të tij shoqëror. Dëshmi e kësaj situate kundërshtimi është fakti se si u prit vëllimi “Lulet e së keqes”. Bodëleri jetoi me imazhin e formës poetike që ai privilegjonte. Nëse soneti është pjesë e një tradite të vjetër, përdorimi që ai i bën asaj e rigjeneron. Në të njëjtën mënyrë, nëse revoltohet kundër moralit borgjez, jeta që ai bëri nuk përbënte një rebelim të pavetëdijshëm.

“Për herë të parë në jetën time, jam gati i lumtur. Libri është pothuajse mirë dhe do të mbetet si dëshmi e neverisë dhe urrejtjes sime ndaj gjithçkaje”, – do t’i shkruante Bodëleri të ëmës.

Titulli “Lulet e së keqes” paraqet një estetikë të re “moderne” ku e bukura, sublimja e simbolizuar nga termi “lule” mund të provokojë në saje të gjuhës poetike realitete banale të natyrës dhe sensualitetit të “mishit” të “mëkatit” simbolizuar nga e keqja. Ai arriti të gërshetojë lirizmin romantik me një formë sa më të përkryer.

 

 

“Moderniteti është i përkohshëm, arratisja, kontigjenti, gjysma e artit, ndërkohë që gjysma tjetër është e përjetshme dhe e pandryshueshme”, – Charles Baudelaire.

I panjohur gjatë jetës, poeti tërhoqi një trishtim të thellë. Ai do të vlerësohet nga pasuesit: “Zoti i vërtetë” sipas Artur Rëmbosë, “surrealisti i parë” për Andre Bretonin ose “poeti më i rëndësishëm” për Pol Valerinë. Krijimtaria e tij e gjerë përfshin edhe veprat “Kërshëri estetike” (1868), “Arti romantik” (1869), “Ditari intim” (1851-1862) etj. Sharl Bodleri vdiq në Paris më 31 gusht 1867. Pas vdekjes u botuan “Poema në prozë” dhe “Spleen i Parisit”.

 

Asaj që shkoi

Rreth meje rruga ulërin edhe buçet,

E gjat’e hollë, sterrë, kujë madhështore,

Një grua shkoi me një fustan të zi për dore,

Q’e kolovitte posht’e lart me salltanet.

 

Si engjëll, si statuj’e gjallë vetëtin,

Si i shastisur dhe i çakërdisur unë,

Nga syr’i saj si qiell që mbrun furtunë,

Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.

 

Ia shkrepi dhe u err. Moj flutur e farosur,

Që me vështrimin tënd më bëre flag’e furrë,

S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur?

 

Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, ndofta kurrë,

Se unë s’di ku ike, ti ku shkonj s’e di,

Të desha, moj, e dinje, vetë, moj, dhe ti.

 

“Dashuria, i vetmi krim që nuk mund të kryhet pa një bashkëpunëtor”.

“Gjithçka e bukur dhe fisnike është fruti i arsyes dhe përllogaritjes”.

“Gjithonë ji poet, edhe në prozë”.

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit