MENU
klinika

Profil/aktori i papërsëritshëm

Naim Frashëri ylli që u shua shumë shpejt

25.04.2019 - 16:14

Naim Frashëri u lind në Leskovik, më 15 gusht të vitit 1923 dhe vdiq më 18 shkurt të vitit 1975. Ai ishte një aktor i njohur shqiptar. Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në vitin 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme. Valerin te “Tartufi”, Smithi te “Çështja ruse”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, Selimi “Familja e peshkatarit”, gjeneralin te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka “Përkolgjinajt”, Nikolla “Armiqtë”, Sasha Ribakov “Orët e Kremlinit”, Lubeni “Proçesi i Lajpcigut”, Ferdinanti “Intrigë dhe dashuri”, Hauardi “Rrënjët e thella”, Hamleti, tek “Hamleti”, Jonuz Bruga, tek “Familja e Peshkatarit”. Për fat të keq, roli i Jonuzit ishte i 80-ti dhe i fundit i tij. Ka interpretuar 8 role në filmin artistik. Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme. Mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar. Është dekoruar edhe me urdhrin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, si dhe mban titullin “Artist i Popullit”.

 

 

Naim Frashëri ka interpretuar për herë të parë në Priskë të Tiranës, ku teatri partizan shoqëronte pasdite batalionin luftarak të paraditeve. Duke qenë edhe luftëtar, edhe aktor, Naimi spikati në rolet e tij për gjetje të detajeve të besueshme aktoreske dhe seriozitet në punën e përditshme. Ndërsa në Teatrin Kombëtar, që filloi në 1945, ai ishte ndër pionierët themelues të tij. Rolin e parë në filma e luan tek “Skënderbeu” më 1953, ndërsa të dytin tek “Tana” më 1958. Pastaj rolet e tij vijnë me radhë: “Fëmijët e saj”, “Gjurma, “Plagë të vjetra” etj.. Gjatë këtyre viteve ai ka merituar titujt më të lartë artistikë e deri te “Hero i Punës Socialiste”, që ishte një titull i lartë nderi. Por vdekja e tij në moshën 53-vjeçare u dha fund ëndrrave të Naim Frashërit, pikërisht atëherë kur pritej që ai të shërbente si fanar në horizontin e kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Dhe pavarësisht nga jeta e shkurtër, talenti dhe rolet që realizoi mbetën si shembuj përsosmërie për brezin e mëvonshëm artistik të Shqipërisë. Për lartësinë e realizimeve, diksioni i zërit të tij u krahasua me atë të Aleksandër Moisiut.

 

 

Ishte pikërisht filmi “Plagë të vjetra” që bashkoi ansamblin e disa korifenjve të artit skenik në role kryesore që do të mbahen mend tepër gjatë. Duket se regjisori Dhimitër Anagnosti kishte pasur një nuhatje dhe ndjeshmëri të vërtetë prej kineasti kur kishte zgjedhur ekipin e tij me tre emrat e të mëdhenjve. Atëherë ishte ende fillimi i rrugëtimit kinematografik, por ky film shënoi një arritje interpretative (patjetër edhe regjisoriale), qoftë edhe për faktin se aty merrnin pjesë tre aktorët që do të shënoheshin në kronologjinë artistike si më brilantët.

 

 

 

Thuhet gjithashtu se, gjatë xhirimeve të filmit “Plagë të vjetra”, të tre gjigantët rrinin bashkë dhe shkonin shumë mirë. Sipas bashkohësve, thuhet se vetëm aktori Naim Frashëri kishte njëfarë pesimizmi të lehtë për rolin, ngaqë kish pritur që kjo figurë mjeku të kishte më tepër hapësirë në film. Por, në përgjithësi pas xhirimeve, Naimi ishte shumë i lumtur për cilësinë e filmit dhe bashkë me dy kolegët e tjerë kishin planifikuar të shkonin edhe në filmin tjetër, që do të xhirohej vitin e ardhshëm.

Sidoqoftë, vdekja e tij e parakohshme ishte një hidhërim sidomos për kineastët dhe dashamirësit e artit skenik, por shembulli i tij reflektoi për shumë kohë në jetën e mëvonshme artistike të vendit. Filmi i parë i shkurtër “Fëmijët e saj” i Hysen Hakanit, 1957; filmi i parë i gjatë “Tana” i Kristaq Dhamos, 1958; si dhe i pari bashkëprodhim ruso-shqiptar “Skënderbeu” i regjisorit Sergei Jutkeviç, fitues në Festivalin e Kanës, më 1953, janë disa nga filmat që gjenden edhe sot në fonotekën e këtij arkivi. Paraqitja e tij e parë në skenë është në vitin 1942, kur shkolla e tij vë në skenë “Vilhelm Telin”, ku luan rolin e një fshatari, kurse Vilhelm Telin e luan Sandër Prosi. Me këtë aktor ka një histori të gjatë bashkëpunimi në skenën e Teatrit Popullor.

 

 

Rolet e para ai i mori në Teatrin Partizan, pastaj në Teatrin Popullor, ku në nëntor 1944 luajti dramën “Partizanët”. Më, 1945-n formohet teatri i rregullt dhe roli i parë i rëndësishëm, me të cilin luan në skenë është” Fedia” në dramën “Invadimi”. Pastaj luajti disa drama sovjetike, si “Orët e Kremlinit”, etj., ndërsa më vonë e mori regjisori rus, Sergei Jutkeviç, për rolin e Palit, tek “Skënderbeu”. Naim Frashëri , luajti tragjedi dhe komedi. Kështu ai shkëlqeu edhe te veprat e Shekspirit, por edhe te “Tartufi” i Molierit, apo “Qeni i kopshtarit”, “Mizantropi”, etj.. Tek “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, më 1956-ën, ai realizoi edhe Selimin edhe Jonuz Brugën. Ky ishte roli i fundit i karrierës së tij në teatër. Vitet ’60-’70-të janë epoka e artë e Naim Frashërit.

 

Filmografia:

Gjurmët – (1970)

Plagë të vjetra – (1968)

Ngadhënjim mbi vdekjen (1967), me personazhin Hans von Shtolc

Furtuna (1959)

Tana – (1958), me rolin e Stefanit

Fëmijët e saj – (1957), me rolin e mësuesit

Skënderbeu – (1953), me rolin e Palit

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


‘’Kush s’ka vdekur, rron akoma’’

Kadri Roshi, i patalentuari që ‘preku’ Olimpin!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit