Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar gjatë raportimit javor të rezultateve të luftës kundër korrupsionit se Task Forca Antikorrupsion ka gjetur me shkelje Drejtorinë e Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore.
Nisur nga shkeljet e konstatuara, ministrja ka kërkuar vërejtje për drejtorin, përgjegjësin dhe 7 specialistë të këtij institucioni.
“Nga kontrolli janë gjetur parregullsi në mbajtjen e dokumenteve në mospërputhje me ligjin në procedurat e akreditimit të institucioneve shëndetësore. Janë rekomanduar 9 masa, vërejtje për drejtorin e institucionit, përgjegjësin dhe 7 specialistë të akreditimit dhe të drejtave të pacientit. Gjithashtu janë marrë masa për përmirësimin e veprimtarisë së institucionit” deklaroi ajo.
Sipas Gjonajt, është dërguar për ndjekje penale drejtori i burgut të Vlorës dhe disa punonjës të tjerë për falsifikim dokumentesh.