MENU
klinika

E magjishme gjuh' e nënës

Noli i letrave të diellta, nga një dishepull i tij

30.04.2019 - 13:43

Nga:Keze Kozeta Zylo, botuar në gazetën “Illyria” në Nju Jork

Gjuha shqipe, si një ndër gjuhët më të vjetra në botë, doemos që bën krenar çdo shqiptar në trojet e veta, apo dhe atje ku i ka hedhur fati, të larguar dhe ngujuar në çdo cep të globit. Shqiptari e ruan këtë emër, sepse ka në palcë të shpirtit shqipen e kulluar, që aq shumë luftuan paraardhësit tanë, duke derdhur gjak dhe shkruar po me gjak, shkronjat e arta të alfabetit tonë…

Përpos të gjitha përpjekjeve patriotike, si dhe luftrave të pamëshirshme të qarqeve të caktuara shoviniste për ta zhdukur farën e gjuhës shqipe, qëndron në mbrojtje si shqiponjë, si kurorë shkëlqesie gazeta “Dielli” me dy editorët më poliedrikë dhe të vendosur për mbrojtjen e saj: Fan S.Noli dhe Faik Konica.

Ndonëse të larguar nga mëmëdheu i tyre i shumëvuajtur, ata i kanë mbajtur të ndezur thëngjijtë në prushin e zjarrtë të “Vatrës” dhe të “Diellit”- gazetës më jetëgjatë në botën shqiptare. Duke i përjetuar në çdo moment veprimtaritë e tyre kombëtare, si dhe letrat e diellta që na lanë më së shumti në Amerikën e ëndrrave dhe po aq të shqiptarëve, më duket sikur energjia e tyre më jep fuqi “diellore” si vetë emri i gazetës të pagëzuar nga dy korifejtë e kombit tonë.

 

 

Se ç’kam një ndjesi gati-gati hyjnore, që kushdo që mbështet kauzën e tyre merr bekimin nolian, bekim gati si të Hyut të madh. Kam pasur fatin të intervistoj dhe të komunikoj me një nga dishepujt e Fan S. Nolit, me prof.Peter R.Priftin, një ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Fan S.Nolit dhe sekretar i “Vatrës” në Boston, si dhe bashkëredaktor i gazetës “Dielli” me Qerim Panaritin. Kjo ndjesi hyjnore më krijohej sa herë dëgjoja në telefon zërin e tij të butë, të ëmbël me një shqipe të kulluar, veçanërisht kur më lexoi letrën me kujtimet e tij rreth Nolit, që më autorizoi ta lexoja në Katedralen e “Shën Gjergjit” në Boston, një tempull besimtarësh, si dhe i kulturës së shqiptaro- amerikanëve, ku ishim të ftuar si shoqatë shkrimtarësh nga i përndershmi At Artur Liolini, një nga hierarkët më të dalluar të ortodoksisë sonë kombëtare.

Ishim të ftuar, më 22 mars 2009 në 101 vjetorin e meshës së parë në shqip mbajtur nga imzot Noli, kur ai ishte vetëm 26 vjeçar dhe kreu zyrtarisht meshën e parë, duke i vënë vulën themelimit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

Prof.Peter R.Prifti ndërmjet të tjerave më shkruajti: “…Unë mbaj mend shumë gjëra nga takimet me Nolin… Unë pata fatin të ndodhem në Boston, kur ishte Noli gjallë, më saktë, gjatë shtatë viteve të fundit të jetës së tij. Shumë bashkatdhetarë, që nuk u njohën me Nolin, më kanë thënë se do të dëshironin fort të kishin të njëjtën fat si unë.

– Nuk habitem aspak, kur dëgjoj fjalë të tilla. Por këtu do të përqëndrohem vetëm në një a dy gjëra, që më bënë përshtypje të madhe dhe këto kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nolit me emigrantët e thjeshtë, që s’kishin bërë emër, por që ishin megjithatë, ndër veteranët e lëvizjes shqiptare në Amerikë. Vura re, se Noli e çmonte shumë punën e tyre vetëmohuese për të mirën e çështjes kombëtare.
…Noli e respektonte dhe e çmonte përkrahjen e tyre dhe kështu, së bashku ata bënë histori”.
Këto kujtime i solla për ta ripërforcuar dhe njëherë ndjesitë e pazakonta që merr kur takon këta dishepuj të Nolit dhe të “Diellit”, që do të ngrohin përgjithmonë zemrat tona si të ikur forcërisht nga politikat e mbrapshta rreth atdheut. E lumi ai që ngrohet, frymëzohet dhe ndriçohet nga këta yje që përhapin dritën nga qielli, për të shpërndarë retë e egërsuara gri që qëndrojnë mbi kokat tona të thinjura nga dhimbjet…

 

Janë këta burra të kombit, që edhe për së vdekuri fizikisht, na bashkojnë dhe afrojnë si shqiptarë me njëri-tjetrin. Shumëkush prej nesh që ka këto ndjesi, patjetër kur kanë bërë homazhe pranë varrit të Konicës, në mendje ju kane ardhur fjalët e tij, për Nolin:
“…Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
A nuk janë këto përpjekje kolosale nga këta titanë të gjuhës shqipe që na sjellin frymë, frymë që të frymojmë vetëm shqip kudo që jemi? Kjo ëndërr, kjo betejë e fituar prej tyre shqip si një shqiptaro amerikane e frymëzuar prej tyre më ka bërë të jem me vite të tëra pranë shqiponjave mbrojtëse të alfabetit shqip këtu në diasporë. Këto shqiponja më kanë bërë të ndihem më e fortë se kurrë në mënyrën sesi e mbrojnë gjuhën shqipe në folezën e argjendtë në diasporë, në Nju Jork. Mundet të kem qenë e trishtuar, konfuze, befasuar, kur shumë prej nxënësve të lindur dhe rritur jashtë atdheut nuk e njihnin “Vatrën”, Nolin, Konicën, historinë kyçe etj, por kur ne si mësues planifikonim për t’ju mësuar historinë e lavdishme të “Vatrës” dhe ata e shikonin, preknin me dorë gazetën “Dielli”, kuptoja se në dejet e tyre rridhte gjak i pastër shqiptari dhe më rinonin më shumë. për të vazhduar misionin gjer në frymën e fundit…

Mosnjohja e gjuhës shqipe nga shumë fëmijë të lindur dhe rritur jashtë trojeve shqiptare është një plagë si shegë e çarë që rrjedh gjak, por edhe tek ata që e flasin gjysma-gjysma, është si një gllënjkë vjeshte që zverdhon faqet e abetares me pikla të verdha nga ikjet…
Kur dëgjon zërin e Nolit të inçizuar edhe ajri duket sikur bëhet muzikë shqip dhe ti rrëmbehesh të këndosh, të këndosh deri sa të dëgjohet në kupë të qiellit, sepse është ëmbëlsia mjaltë e gjuhës sonë hyjnore që s’do të “helmohet” kurrë…

Poezitë e tij të famshme i bëjnë sfidë botës shurdhuese, janë hiri i një shpirti, janë këngë e zjarrtë me amanete që emigrantët mos t’i shkulin rrënjët nga vijnë… si përshembull, në vargjet lapidar atëherë kur atdheu thërriste djemtë të bëheshin mburojë pranë tij si:
“Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë/ Qan e lutet Nën’ e mjerë,/ Kërkon Vatrën edhe nderë/ Do lirinë dhe Atdhenë, Si ç’e pat me Skënderbenë/ Bijt’ e besës thërret pranë/ Kur i thirri dhe s’i vane/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë.”

 

 

 

Simbolika dhe simbolet shenjuese i japin dhe më shumë dritë krijimtarise artistike dhe direkte të Nolit. -2
E pikërisht këto “male” të lartë në diasporë dhe në at-mëmëdhe duken sikur shtrydhin gjinjtë dhe mëkojnë shqiponjat e alfabetit ahqip, që këndojnë dhe gaztohen në buzët e qumështa me 36 shkronjat fosforite në shkrepje vetëtimash si me kode konotativë…
“Gjuha e Nolit është Asht e jo tul – do te shkruante mjeshtri i fjalës së gjuhës shqipe, Mitrush Kuteli. -3
Këto lexime të veprave të patriarkëve na bëjnë të pohojmë gjithmonë dhe përjetësisht se gjuha shqipe është Ashti i Kombit, pa gjuhën shqipe ne humbasim si kripa në ujë, humbasim identitetin tonë si shqiptarë.

Shqiptarët kudo ku janë, kanë se nga të mësojnë, sepse shenjëzat e dritës i kanë të përcaktuara nga këta dritëmbajtës e nëse këto harrohen, medoemos gjuha shqipe bëhet tul, e lehtë për t’u gëlltitur nga dashakeqësit që mjerisht nuk i kanë munguar kurrë popullit tonë.
A nuk ishte Noli që ndërmorri disa lëvizje historike si ngulmëtar për përdorimin e gjuhës shqipe dhe moshumbjen e saj, si në rastin në fjalë, në verën e vitit 1911, ku shkoi nëpër disa koloni shqiptare të Evropës? Një meshë të tillë e mbajti në Sofje, në kishën “Sveti-Spas”, përpara shqiptarëve të kolonisë në Bullgari, duke thënë:
“Grekërit thonë sesa janë të krishterë janë grekë, sepse janë orthodoksë. Por, orthodoksia ëshë një gjë, kurse kombësia është diçka tjetër. Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërtetoi më së miri dhe mesha jonë sot, të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat se ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës! Të bekuar qofshi të gjithë!”

Mospërdorimi i gjuhës shqipe nga mijëra fëmijë emigrantë në diasporë, më detyron të ripërsëris, sepse siç thotë populli gjuha vete ku dhëmb dhëmbi. Të lexosh Nolin, të shkosh pranë varrit për homazhe, të krenohesh se “Vatra” e themeluar prej tyre është e gjallë, të frymëzohesh prej tij, medoemos të duket sikur prek dhe takon një shenjtor, një shenjtor që flet aq rrjedhshëm dhe bukur gjuhën shqipe, një shenjtor që bëri dhe shkrimtarin më të famshëm në botë, Shekspirin, të flasë shqip me përkthimet e tij, që janë dhe aurora e dijes së tij. Shenjtori me shpirtin dhe hojet mjaltë të gjuhës shqipe, diti t’u bënte sfidë përdredhjeve rrapëllitëse dhe ta reshtonte vehten në elitën kombëtare.
Shumë poezi të tij, kur i dëgjoj nga gojët e vogla të nxënësve në diasporë, më duken si grimcëza të përjetshme drite, larushi të mahnitshme ngjyrash të fjalëve arbërore që bëhet një brerore dhe më duket se çdo sy i tyre është një llambushkë noliane që s’duhet të fiket kurrë. “Shën Noli” frymëzoi popullin dhe profesorë të kalibrit botërorë, si prof.Eqrem Çabejin, dijetarin e shquar të gjuhës shqipe, i cili në esenë e pazakontë shkruar për Nolin dhe sjellë nga një dijetar tjetër si Moikom Zeqo, shkruan se:
Eqrem Çabeji nuk mëton të tregojë se Fan Noli si shkrimtar, përkthyes, poet dhe dijetar është njeriu par ekselencë, pikërisht prototipi i krijuesit, sepse Fan Noli shkruan Çabej në esenë e tij ka: “diçka demoniake, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijues, qetësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë.”

 

Të dëgjosh shqipen e ëmbël dhe të kulluar të Nolit, të njohësh luftën e madhe patriotike për mbrojtjen e saj dhe të kurorëzuar me meshën e parë në shqip në katedralen “Shën Gjergji” në Boston, rrjedhimisht do të thotë se këto janë ditë historike që do të kujtohen brez pas brezi.
Si shqiptarë, ne duhet të vihemi përpara përgjegjësisë dhe detyrës imediate kombëtare për ta transmetuar gjuhën shqipe brez pas brezi, që të mos humbasë qoftë dhe në një fëmijë të vetëm në diasporë ose në mos shkofshin dot në shkollat shqipe, le të bëhet ritual i përditshëm nëpër këngët e nënave me dritëza sysh, sepse sipas thënies profetike të tij: “Rron or rron, nuk vdes shqiptari”.

Të dëgjosh shenjtorin i cili, pati një qëndrim të gjatë në diasporën amerikane, prej të cilit derdhet magjishëm epërsia e bukurisë së fjalës shqipe, doemos që plasin sythet e gonxheve erëmira të tingujve shqip dhe ndezin zemrat tona, për të punuar fort për t’ju mësuar shqip emigrantëve kudo, sepse gjuha shqipe është e ëmbël si qumështi i nënës, sipas shenjtorit Noli dhe ka vetinë çudibërëse për të mbijetuar dhe për të mbetur përjetësisht…

Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe themeluese e shkollave shqipe në Nju Jork

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit