MENU
klinika

Nga Petrit F. Zeneli

Osman Gazepi, si realitet dhe si fenomen?!

22.04.2019 - 14:05

Jo deformim historish personale, për të krijuar tipologji “gazepiane”!

Kujdes, se edhe ne rrezikojmë të bëhemi nga pak “gazepër” në jetën e përditshme?!

Të gjithë e dinë se Osmani ka mbetur në histori për mjaft bëma dhe shumë të pavërteta, aq sa dhe mbiemrin ja deformuan, pasi të vërtetin e kishte Leskoviku, pra Osman Leskoviku.

Ndërsa cilësimi “Gazepi” ishte një nofkë, që ia ngjitën në vitin 1921, kur luftonte të vinte rregull në Shqipërinë e Mesme. (Ylli Polovina “Tirana Observer”, 20 maj 2009). Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, viti 1980, fq 539, Gazep,- i, – do të thotë veç të tjerash, .. mundim, i tmerrshëm, qamet i zi, gjëmë, prapësi e madhe etj.

Thonë se edhe Osmani kishte dorë të rëndë, ishte njeri i pushkës dhe i dajakut, të bënte gjëmën po të shtinte në dorë, hokatar, qyfyrexhi, ndaj dhe ja vunë këtë nofkë.

Kur në shkurt të 1924, Beqir Valteri, një matian, tentoi t’i merrte jetën Zogut në Parlament, Osmani i fortë nuk la mur pa qëlluar për të shprehur besnikërinë e tij ndaj Ahmetit, në një kohë që atentatori ishte mbyllur në banjën e Parlamentit, duke kënduar këngë patriotike (Fatos Baxhaku, Shqip, 6 mars 2013).

Bile thonë se Osman Gazepi kishte hyrë dhe me kalë në Parlament e i kishte kërkuar Ahmet Zogut leje që t’i qiste ujët të zi Parlamentit. (Beqir Ajazi “Nga shkaba me kurorë, te drapri me çekan”.

E pavërteta më e madhe që i ngjitën Osmanit ishte ajo që gjoja ai në një fjalim të tij, në kohën e Monarkisë, i quajti beratasit “ popull mistrec”. Në fakt, vetë Osmani do deklaronte se “Madhëria e tij nuk bëri asnjë miting, si Enver Hoxha, pra, ku do ta thosha unë këtë thënie?! Dihet historikisht që Zogu nuk vajti asnjëherë në Berat, përveçse në Burgajet (vendlindje), Tiranë, Durrës dhe Elbasan (Ylli Polovina “Tirana Observer”, 20 maj 2009).

Edhe më tej shkonte fantazia e njerëzve, sipas së cilës ai bridhte fshatrave, dilte në tribunë dhe fillonte fjalimin, duke iu drejtuar fshatarëve: “E shikoni këtë…(u tregonte koburen)?! Kjo e ka vendin këtu…!”, dhe e ngjishte atë në brez!

Ndërkohë që Osmani shërbente 24 orë në 24, pranë Zogut, dhe se linte detyra të largohej fshatrave. (Sot News 01/02/2014, Pandeli Bardhi).

Gënjeshtra tjetër e radhës ishte ajo e vetëgradimit të tij si major, për të imituar idhullin e vet, Ahmet Zogu, që u vetshpall Mbret. Thuhet se me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Zog nuk e gradoi Osman Gazepin, meqë ishte i pashkolluar dhe me zor shkruante emrin kur hidhte firmën në bordero. Të nesërmen, togeri Osman Gazepi, si fshatar i zgjuar dhe gaztor, vë mbi supe spaletat e majorit dhe hyn serbes në zyrën e Naltmadhërisë së tij. Zogu e sheh në sy adjutantin, duke pritur çfarë kishte për të raportuar, kurse Osman Gazepi i tha: “Naltmadhëri, kam ardhur t’ju pyes, a më rrinë mirë gradat që kam vënë mbi supe?”.

Zogu u mendua vetëm një çast, pastaj i zgjati dorën, duke e uruar: “I gëzofsh!”. Edhe kjo përrallë nuk qëndron, pasi ai të gjitha gradat si ushtarak i lartë, deri kolonel, i mori sipas rregullave.
I lindur në 7 prill të vitit 1885, në Leskovik, Osmani ishte një nga tre adjutantët besnikë të Mbretit Zog.

Shoqërues i tij në Beograd, 27 qershor i 1924-ës, e më pas në dhjetor 1924, kur erdhën nga Jugosllavia dhe rrëzuan qeverinë e Fan Nolit, deri sa Zogu u arratis në prill 1939 (Koha Jonë, 5 Shtator, 2015, Fatos Daci).

Ai ishte pjesëmarrës në shtypjen e rebelimit të Et’hem Totos në Gjirokastër, e cila donte të rrëzonte Ahmet Zogun. U arrestua në shkurt 1945, dhe më 23 qershor të po këtij viti, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 30 vjet heqje lirie, si zogist legalist, bashkëpunim me gjermanët, tradhëtar në shërbim të qeverisë kuislinge etj, etj akuza. Vdiq pak vite pas daljes nga burgu në vitin 1953.

Por ai kishte qenë dhe partizan, ndër më të moshuarit e formacioneve, që me zotësinë e tij habiti dhe misionin anglez në Shtyllë të Korçës. Sipas kujtimeve të Davide Smajli, mbas qershorit të vitit 1943, misioni Anglez në Shqipëri kaloi nga Leshnja e Skraparit në Shtyllë, ku qëndroi dy muaj.

– Më 26 gusht 1943, Maklini dhe unë (David) ishim ulur te tavolina në dhomën e pritjes, kur dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. U thyen të gjitha xhamat dhe u rrëzua suvaja e tavanit. Na kishin sulmuar italianët, me shpresë që të na zinin rob dhe të shpërndanin partizanët.

Predhat binin brenda fshatit e rreth komandës sonë, gjithë ditën, me një aeroplan që fluturonte mbi ne, ..fshatarët filluan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar strehim në pyll. Edhe ne e braktisëm shtëpinë dhe vajtëm te një barakë….

Pak më vonë, kur bombardimi u bë më i fortë, pamë një gjë të çuditshme: Kolonelin Osman Gazepi, veshur me uniformë, mbi një kalë të bukur, të shoqëruar nga dy vajza veshur partizane, dhe të armatosura me pushkë.

Ai nuk shqetësohej fare nga predhat që binin rreth e rrotull tij, dhe kur po na afrohej, mendova se do të vritej, pasi një predhë shpërtheu nja pesë metra larg tij. Ai u zhduk në një re tymi dhe pluhuri, por doli duke buzëqeshur.

As kali nuk ishte goditur! Na përshëndeti dhe vazhdoi rrugën (si bënë dhe një foto). Nuk patëm rast të takoheshim prapë me të (Kujtime nga David Smajli, “Vitet Shqiptare ’43-‘45”, fq 64-69).

Duke lënë mënjanë denigrimin politik për shkak të bindjeve dhe pozicionit që ai zgjodhi, këto janë të vërtetat dhe të pavërtetat e kolonel Osmanit, me figurën e të cilit është spekuluar, duke ja deformuar historinë personale, për ta fiksuar më vonë si fenomenologji shqiptare.

“Kompleksi Gazepi” nënkupton vetshpalljen, vetmburrjen, arrogancën, kërbaçin në arritjen e një objektivi, besnikërinë e verbër, karrierën e pamerituar etj.

A mos vallë sot secili që tregon militantizëm prej miopi dhe megalomani në atë çka deklaron e mbron, deri dhe fjalor të ulët, rrezikon të bëhet nga pak “Gazep”?!

A s’është më mirë të shohim më tepër nga vetja e të merremi më pak me trillime e fyerje të historisë së tjetrit, për të mos u bërë vet “Gazep”?!

Pozicionimi absurd në llogore të kundërta, urrejtja e stisur mes shtresash të ndryshme, lufta e ethshme për të marrë merita të pamerituara, janë plaga më e thellë e shoqërisë sonë, me rrënjë të thella historike, për të cilën edhe zoti lutet të marrë fund sa më shpejt!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit