MENU
klinika

Nga Pankaj Mishra

‘Kuptoni terrorizmin me rrënjët e modernizmit’

27.04.2019 - 11:51

Pankaj Mishra, eseisti, gazetari dhe romancieri indian, lindi në vitin 1969, u rrit në një qytet të vogël  në Indinë veriore dhe studioi në Allahabad dhe Nju Delhi. Kur u diplomua, Mishra u zhvendos në Mashobra, një fshat Himalajan, vend për të cilin ai shprehet se nuk kishte “asgjë tjetër për të bërë përveç leximit dhe shkrimit”.

Shkroi vazhdimisht ese dhe recensione për “New York Review of Books”, “New Yorker” dhe “London Review of Books”. Ndër librat e tij përmendim romanin “Romantikët” (2000) dhe “Nga rrënojat e Perandorisë” (2012), e cila ishte në listën e ngushtë për çmimin Orwell. Në mars 2014, ai u nderua me çmimin Windham-Campbell Literature nga universiteti i Yale. Libri i tij fundit është “Epoka e zemërimit: Një histori e së tashmes”. Ai ndan kohën e tij midis Londrës dhe Indisë. Mbrojtës i V.S. Naipaul, ai shfaqet si një figurë e rëndësishme në ringjalljen e letërsisë së vendit të tij.

Shkrimtari indian Pankaj Mishra na paraqet një vizion të botës, në të cilën populizmi dhe ekstremizmi fetar rrjedhin nga e njëjta e keqe: zhgënjimi i të shpërfillurve të karakterit modern. Mendimtari i njohur i globalizimit, shkrimtari, eseisti dhe kritiku letrar Pankaj Mishra analizon përçarjet e thella të shoqërisë aktuale, përçarje dhe zhgënjime të një shoqërie moderne të cilat rreket t’i zbërthejë në librin “Epoka e zemërimit”.

Eseja e Pankaj Mishra është komentuar gjerësisht në shtypin anglishtfolës. Shkrimtari indian paraqet një pikëpamje pesimiste të botës, në të cilën populizmi dhe ekstremizmi fetar rrjedhin nga e njëjta e keqe: zhgënjimi i të lënëve pas dore nga moderniteti.

“Epoka e zemërimit” një pandemi trishtimi global e lindur nga pakënaqësia. Deri në ç’masë ky zemërim i bën jehonë asaj që sapo ndodhi në Angli me zgjedhjet parlamentare? Pankaj Mishra, në një intervistë dhënë për “Der Spiegel”, shprehet, se nëse dikush dëshiron të kuptojë terrorizmin islamik të sotëm dhe marrëdhënien që ka me Perëndimin, nuk duhet të priremi drejt Kuranit, është diçka edhe më interesante, shprehet kritiku, duhet të studiojmë Gjermaninë e shekullit të 19-të dhe mënyrën se si zhvillohet modernizimi.

Pankaj Mishra evokon kohën kur Gjermania nuk ishte ende pjesë e Perëndimit, ku ajo krijoi një identitet duke qëndruar jashtë nga Perëndimi. Ai shton se historia e terrorizmit fillon në fund të shekullit XIX me dhunën anarkiste dhe sulmin në bursën e Parisit. Sipas eseistit, terroristët gjithmonë kanë pasur origjina nga më të ndryshme etnike dhe ideologjike, ai thekson se asnjë traditë fetare nuk çon në terrorizëm.

Shkrimtari përmend në librin e tij, në këtë intervistë edhe dy mendimtarët kryesorë: Volterin dhe Zhan Zhak Rusonë. Ai mbështet tezën, sipas së cilës ndarja që shpjegon më së miri trazirat aktuale politike është midis një klase të individëve që kanë përfituar nga globalizimi, të cilët kanë rrjete në mbarë botën, janë të arsimuar mirë dhe jetojnë në metropolet e begata dhe, nga ana tjetër, shumica e njerëzve që ndihen të lënë pas dhe të tradhtuar nga kjo klasë, e konsiderojnë veten viktima dhe vijnë nga zonat rurale. Pankaj Mishra beson se Perëndimi është i përbërë nga shoqëri thellësisht të ndara, që nuk shërbejnë më si referencë për pjesën tjetër të botës.

Në lidhje me çështjen zemërimi si pasion politik i kohës sonë, pyetjes: Çfarë është zemërimi i shëndoshë?, Pankaj Mishra shprehet se beson se zemërimi është një ndjenjë e tradhtisë që shprehet në shkallë botërore. Rusoi kishte parashikuar “ardhjen e një shoqërie të qeverisur nga interesi individual, i gangrenizuar nga smira, pakënaqësia dhe kotësia”. Pankaj Mishra përditëson konceptin e “solidariteti negativ” të Hannah Arendtit, ose se si një popull bashkohet rreth vlerave jo-përkrahëse.

Ky solidaritet negativ do të rritej me revolucionin teknologjik. “Zemërimi del nga një dëshirë konkurruese intensive për ngjashmëri më shume se sa ndryshim”. Ne po përjetojmë një formë të re të polarizimit, shpjegon Mishra, që i tejkalon kategoritë tradicionale të majtë të djathtë, që politikat aktuale nuk janë në gjendje të menaxhojnë. Në sytë e tij, ky zemërim aktual me pahir shprehet në një mënyrë anarkike pikërisht, sepse kjo energji politike nuk kanalizohet nga asnjë parti.