Drejtuar:
Këshillit të Ministrave
Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme;
Ministrisë së Diasporës
Shërbimi Konsullor i Shqipërisë ka nevojë për një riorganizim të ri, për decentralizim dhe për të dalë nga skemat klasike, që funksionojnë deri më sot.
Rritja demografike e Diasporës, rritja e nevojës së tyre për shërbime konsullore e mbi të gjitha shtrirja e tyre në një territor të gjerë, kërkon një riorganizim të Shërbimit Konsullor, një decentralizim të theksuar të tij, për të dalë nga skemat klasike, që njohim dhe të zbatuara deri më sot.
Më duhet të marrë në analizë komunitetin shqiptar në Itali, për të kuptuar se Shërbimi Konsullor ka nevojë për forma të reja funksionimi dhe për decentralizim.
Sipas të dhënave të Raportit të Imigracionit të publikuar në Itali në vitin 2018, në Itali jetojnë me leje qëndrimi rreth 430.340 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë rreth 11.6% të të totalit të huajve që jetojnë në Itali.
Pra, zyrtarisht, shqiptarët janë komunitetit i dytë më i madh në Itali. Rreth 60,6% e shqiptarëve emigrantë që jetojnë në Itali, vendin e parë e zënë ata që jetojnë në rajonin e Lombardisë, Toskanës, Emilia- Romagna.
Sipas të dhënave zyrtare, në Italinë e Veriut jetojnë rreth 260 mijë shqiptarë. Duhet të theksojmë se ky është numri i atyre shqiptarëve që kanë leje qëndrimi, pa shtuar këtu numrin e atyre që jetojnë si klandestinë (të cilët nuk janë pak), ose numrin e atyre që vijnë me leje qëndrimi tre mujorësh.
Të gjithë këta kanë nevojë për Shërbime Konsullore nga më të ndryshimet, si për pasaporta, karta identitetit, leje të kalimit, vërtetime të ndryshme, certifikata apo vërtetime të ndryshme konsullore.
Organigrama e Konsullatës së Milanos nuk i kalon 14 punonjës që merren me praktika konsullore.
Pra, praktikisht 260 mijë shqiptarë marrin shërbime nga 14 persona. Kjo do të thotë se në një vit, një punonjës i Shërbimit Konsullor mesatarisht duhet të përballoj rreth 19 mijë qytetarë, që kërkojnë praktika të ndryshme.
Ndërsa, në Shqipëri kemi njësi administrative që kanë më pak se 1 mijë banorë e marrin shërbime nga, të paktën, 1 punonjës i Zyrës së Gjendjes Civile.
Ndodh, që një punjoës i zyrës së Gjendjes Civile në Shqipëri ofron mesatarisht shërbime, afërsisht edhe për 300-500 qytetarë, të asaj njësie.
Zhvillimet e reja demografike të emigracionit shqiptar kërkojnë zgjidhje të reja, të cilat nuk mund të jenë ato klasiket, që ne njohim.
Duhet të zbatohet decentralizimi dhe të vendoset ushtrimi i principit të susidiaritetit, që shërbimet të jenë sa më efikase dhe sa më pranë për qytetarëve. Duke marrë shërbime efikase dhe në kohë reale, po vonesa e pa sorollatje, qytetarët kursejnë kohë pune, kursejnë edhe para.
Kështu, në kushtet aktuale që përshkruam, konsullatat e kanë të pamundur përballimin fluksit dhe nuk mund të ofrojnë në kohë reale dhe me cilësi një shërbim konsullor. Prandaj, në realitetin e sotëm, Konsullata nuk duhet të mbajnë më monopolin e shërbimeve konsullore.
Cila mund të jetë zgjidhja?
Duhet të jepen licenca dhe të autorizohen zyra që ofrojnë shërbime konsullore në qytetet kryesore të Italisë. Për shembull, në Liguria jetojnë rreth 20 mijë shqiptarë e të gjithë këta duhet të shkojnë në Konsullatën e Milanos, për të marrë shërbime.
Genova, që është qyteti i gjashtë më i madh në Itali, duhet të ketë një zyrë të autorizuar nga shteti shqiptar, e cila, të bëjë shërbime konsullore.
Kush mund të marr një autorizim të tillë?
Persona të shkolluar në Itali në fushën e Shkencave Juridike, Politike dhe që kanë eksperiencë në fushën e emigracionit dhe njohin të drejtën administrative shqiptare.
Kostot? Personat e autorizuar mund të paguhen nga buxheti shtetëror pa asnjë problem.
Çfarë të mirash sjellë kjo gjë për shtetin? Rrit buxhetin shtetëror për shërbimet e ofruara, ku qytetarët shqiptarët paguajnë kostot ashtu siç bëjnë sot nëpër zyrat konsullore.
Kështu, rritet efikasiteti dhe cilësia e shërbimeve.