MENU
klinika

Pasqyrimi i plotë

Mbyllet protesta e opozitës, 15 protestues dhe 5 policë të plagosur

13.04.2019 - 10:41

Ora 22:42/ Akte të dhunshme, policia shoqëron 20 protestues

Vetëm pak minuta pasi opozita mbylli protestën e saj të 9-të njëherësh të tretën kombëtare, policia nis shoqërimet.

Mësohet se ka shoqëruar 20 protestues.

Kujtojmë që gjatë protestës policia ka bërë disa herë thirrje që protestuesit e maskuar të vetëpërmbaheshin e të ndalnin aktet e dhunës, por kjo nuk ka mjaftuar.

Gjatë protestës te Parlamenti ata i vunë zjarrin edhe një makine të parkuar, si dhe thyen xhamat e një biznesi aty pranë.

Ora 22:40/ Tensione dhe të lënduar/ Kryemadhi pas proteste: Rama dështoi në marrëdhenie me…

Pas mbylljes së protestës ka ardhur edhe reagimi i kryetare së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Përmes një deklarate për mediat, Kryemadhi tha se kishte një falenderim për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj proteste model sikurse e cilëson ajo.

Kjo ishte protesta më e madhe që ka parë Shqipëria. Kam një falenderim për të gjithë ata qytetarët që e thyen frikën. Faleminderit pjesëmarrësve që i dhanë shpresë të gjithë shqiptarëve. Rama dështoi në marrëdhenie me familjen e tij politike, u shpreh Kryemadhi.

Ora 22:30/ Rama “shuplakë” opozitës: Përgjigjen e merrni në 30 Qershor!

Teksa kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi protestuesit para selisë së Partisë Demokratike ku deklaroi se kjo ishte protesta më e madhe e opozitës, një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë me anë të një postimi në Twitter ka ironizuar fjalimin e Bashës.

Postimi i plotë:

“Nëse kjo ishte protestë e madhe atëherë filxhani është shkencë, Saliu është astronom dhe pakica ështē shumicë! Në fakt kjo s’ishte as e madhe, as e denjë po thjesht e turpshme për PD – LSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovran në 30 qershor”

Ora 22:20/ Mbyllet protesta e opozitës, Basha: Fundi i Ramës është firmosur!

Pas 4 orësh tensione e përplasje, protestës së opozitës i ka ardhur fundi.

Fillimisht e nisën përpara Kryeministrisë, më pas u spostuan tek Parlamenti, duke u zhvendosur në përmbyllje tek selia e Partia Demokratike.

Nga selia e Partisë Demokratike, kryedemokratike Lulzim Basha mbajti fjalimin përmbyllës.

Me gjithë sfidën e motit, ne ia dolëm të mbanim sot protestën më të madhe dhe të demonstromin vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund, deri në fitore. Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Edi Ramës, e cila mbahet me paratë e krimit dhe oligarkëve, sot u soll si pushtues ndaj protestuesve. Le ta ti se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet dhe as përpjekja për të intimiduar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundit i Edi Ramës është firmosur nga populli sovran”, tha Basha.

Kujtojmë që gjatë zhvillimit të protestës u hodh disa herë gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Përsa i përket bilancit, mësohet se ka pasur rreth 15 protestues të plagosur dhe 5 efektivë policie.

Ora 22:10/ Digjet makina para Parlamentit/ Ishte me targa false, zbulohet kujt i përket

makina e djegur
makina e djegur

Automjeti i djegur pak çaste më parë para Parlamentit, tip Fiat, mbante targën AA 703 MT.

Burimet thanë se, targat që mbante kjo makinë, i përkasin një mjeti tip Volkswagen Caddy e regjistruar në Sukth të Durresit.

Po sipas të njëjtave burime, makina në fjalë mund të jetë në përdorim nga punonjës të operacionales ose të SHIK.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat të pak çasteve më parë, PD tha se nuk janë protestuesit ata që i kanë vënë flakën makinës tek Parlamenti.

“Ajo ishte e vetmja makinë e lënë në zonën e zbrazur nga çdo automjet tjetër përveç atyre të policisë dhe të medias. Kjo do të thotë se makina është lënë nga vetë policia, që ta digjnin vetë dhe të akuzonin protestuesit për zjarrvënie.” thuhej në reagimin e PD.

Ora 21:46/ “Largohuni për 5 minuta”/ Policia ultimatum protestuesve

“Të largohen brenda 5 minutash dhe të heqin maskat“, kjo është thirrja e policisë për protestuesit.

Mesa duket as ky ultimatum nuk është marrë parasysh prej tyre, pasi protestuesit pavarësisht thirrjeve i kanë vënë flakën e një makine të parkuar në rrugë.

Kujtojmë që protesta e opozitës ka rreth tre orë që po zhvillohet.

Fillimisht nisi para kryeministrisë, e më pas u zhvendosën tek Parlamenti.

Përballë parlamentit ka pasur përplasje të herë pas hershme mes tyre dhe policisë, si pasojë e të cilave ka pasur edhe të lënduar.

Ora 21:28/ Skenar rus?/ Balla: Çfarë koicidence sot!

Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me protestën e opozitës sot.

Ai vijon të mos i ndahet idesë së një skenari rus në Ballkan.

Balla ka publikuar foto të protestës në Tiranë, Beograd e Mal të Zi, paralelisht, në të njëjtën orë dhe thotë se këto protesta janë të organizuara nga disa politikanë të korruptuar të cilët janë kundër reformës në drejtësi.

Postimi i plotë:

“Çfarë koincidence sot? Në të njëjtën orë, në orën 18.00, protesta u organizua në Tiranë, Beograd dhe Mal të Zi (disa qytete). Në Shqipëri janë protesta qartësisht të organizuara nga disa politikanë të korruptuar kundër Reformës së Drejtësisë, të cilët po përpiqen të dëmtojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, shkruan Balla në anglisht.

Ora 21:23/ Ishte parkuar para Parlamentit, protestuesit i vënë flakën një makine

Prej më shumë se 1 orë e 30 minutash vijon protesta para Parlamentit.

Përplasje të shumta janë shënuar mes protestuesve dhe policisë.

Shpesh herë policia ka hedhur gaz lotsjellës në mënyrë që të shpërndajë protestuesit e acaruar.

Ndërkohë para Parlamentit protestuesit kanë ndërmarrë një tjetër akt.

Ata i kanë vënë flakën një automjeti të parkuar, i cili është fikuar menjëherë më pas.

Ora 21:02/ 15 Qytetarë të lënduar/ PD akuzon Policinë: Hodhi gaz në një moment të qetë

Partia Demokratike ka akuzuar Policinë e Shtetit se ka sulmuar protestuesit me gazlotsjellës në një kohë që këta të fundit nuk ishin duke kryer veprime të dhunshme.

PD në një reagim zyrtar thekson se dhe kryetari Basha ishte duke folur për mediat, ndërkohë që policia ka larguar protestuesit me gaz.

“Policia hedh gaz ndaj protestuesve dhe drejtuesve te opozitës në një moment krejtësisht të qetë, kur protestuesit nuk po kryenin asnjë veprim në rrugën para Parlamentit.

Gazi u hodh, ndërsa kryetari I PD, Lulzim Basha ishte duke folur për median në rruge, veprim I cili detyroi edhe Bashin dhe gazetaret qe te ndërprisnin ne mes intervistën”, thekson PD.

Ndërkohë që si pasojë e gazitlotsjellës, një gazetare e TV Tema ka humbur ndjenjat.

Ndërsa dhe disa protestues kanë mbetur të lënduar nga konfrontimi me policinë.

Pesë efektiv të Policisë së Shtetit janë lënduar si pasojë e konfrontimit me protestuesit e opozitës para godinës së Parlamentit.

Burime nga Policia bëjnë të ditur se janë në total 5 efektiv të lënduar ditën e sotme. Njëri prej tyre u lëndua si pasojë e goditjes me një fishekzjarr në fytyrë.

Efektivi është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë që Partia Demokratike raporton se nga radhët e protestuesve janë 15 persona të cilët kanë mbetur të lënduar nga përplasja me policinë e shtetit dhe nga hedhja e gazitlotsjellës.

“Janë mbi 15 protestues të verifikuar aktualisht në protestë të plagosur ose me probleme të rënda me frymëmarrjen. Nga organizatoret e protestës raportohen edhe gazetarë”, thekson PD.

Ora 20:45/ Protesta e opozitës/ Rama: Po marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit!

Në lidhje me protestën e opozitës që po mbahet sot, kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai ka shprehur keqardhje për punonjësit e policisë që kanë mbetur të plagosur.

Rama shkruan se ata u plagosën nga goditje qorre të dy partive të verbuara.

Postimi i plotë:

“Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit“, shkruan Rama në Tëitter.

Ora 20:41/ Cili është skenari i opozitës?/ Basha zbardh detajet

Protestuesit e opozitës janë mbledhur sërish përpara Parlamentit, të pa frikësuar nga gazi.

Bashkë me ta është edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili thotë se do vazhdojnë të rezistojnë.

“Do vijojmë të qëndrojmë, qëllimi ynë është rrëzimi i Edi Ramës. Protesta vijon si të vendosin qytetarët. Të jemi dhe do ta shohim.

Qëllimi i kësaj proteste të arrijë objektivin mbarëkombëtar, largimin e qeverisë Rama dhe zgjedhjet e parakohshme. Rrugë tjetër veç largimit të Ramës nuk ka”,– thotë Basha.

Ora 20:26/ Tensione në protestën e opozitës, lëndohet efektivi policisë

Të lënduarit e parë janë shënuar nga protesta e sotme e opozitës.

Mësohet se një efektiv policie është dërguar në Spitalin Ushtarak, për shkak se ka marrë djegie në fytyrë.

Polici është djegur nga një fishekzjarr që është hedhur nga protestuesit.

Ende nuk dihet se në çfarë shkalle djegie ka pësuar ai.

Ndërkohë që të lënduar ka edhe nga radhët e protestuesve, të cilët pas hedhjes së gazitlotsjellës kanë shfaqur shqetësime në frymëmarrje.

Ora 20:26/ Lleshaj reagon me imazhe: Autorët para përgjegjësisë për dhunën e ushtruar!

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një statusi në “Twitter” ka postuar foto të policëve të lënduar, ndërsa thotë se agresorët do të mbajnë përgjegjësi.

“Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, shkruan Lleshaj.

Ora 20:00/ Protesta para Parlamentit/ Policia hedh gaz lotsjellës, shpërndahen protestuesit

Protestuesit përpara Parlamentit janë shpërndarë me gaz lotsjellës nga policia.

Pas dy orësh protestë, protestuesit janë shpërndarë me gaz nga policia, duke u bërë thirrje që të tërhiqen.

Opozita proteston prej dy orësh. Protesta nisi në orën 16:00 para godinës së Kryeministrisë.

Protestuesit e opozitës u grumbulluan para Parlamentit, duke hedhur fishekzjarrë, flakadanë dhe tymuese.

Ora 19:58/ Protestuesit mblidhen para Kuvendit/ Çahet sërish kordoni policor

Ka nisur me inicidente mbërritja e protestuesve të opozitës te Parlamenti.

Protestuesit kanë çarë në këto momente kordonin e parë policor, ndërsa hedhin kapsolla, tymuese e flakadanë.

Gati dy orë protestuesit qëndruan para Kryeministrisë, aty ku u mjaftuan me hedhjen e domateve, bojës lakrave e qumështit, por edhe shashkave e tymit të zi.

Por ndërsa u pozicionuan te dera e Kryeministrisë, pasi kishin çarë kordonin policor, një thirrje e demokratëve i zhvendosi te Parlamenti.

Ora 19:40/ Zhvendoset protesta e opozitës, Basha udhëheq protestuesit drejt….

Pas 1 e 30 minutash protestë para Kryeministrisë dhe pasi çanë kordonin e policisë aty, protesta e opozitës është zhvendosur drejt Parlamentit.

Ishte nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, i cili u bëri thirrje protestuesve të ndiqnin në marshim drejt Parlamentit kryedemokratin Lulzim Basha.

Kujtojmë që pasi Basha përfundoi fjalën e tij, qindra protestues kanë marrë “kontrollin” e shkallëve të ndërtesës së qeverisë.

Ndërkohë policia bëri thirrje me megafon që të heqin maskat që kanë mbuluar fytyrën e tyre dhe të mos hedhin më mjete piroteknike.

Ora 19:45/ Nisin reagimet e para/ Meta: Evitoni konfrontimet!

Tensionet në protestën e opozitës së bashkuar, kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të presidentit Ilir Meta.

Përmes një njoftimi shpërndarë mediave, kreu i shtetit apelon që protesta të vijojë paqësore dhe të evitohen konfrontimet.

Situata në protestë u tensionua menjëherë pas fjalës së kryedemokratit Lulzim Basha, protestuesit çanë kordonin e policisë, duke u ngjitur në shkallët e kryeministrisë.

Ora 19:32/ “Zaptimi i Kryeministrisë”/ Policia thirrje protestuesve: Ndalni dhunën, zbuloni fytyrat!

Policia bën thirrje me megafon drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës në momentet kur situata është tensionuar.

Protestuesit janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë. Policët kanë vendosur në këto momente edhe maskat kundragaz.

“Te nderuar qytetarë,

Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë.

Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.
Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë

Të nderuar organizatorë të tubimit:
Merrni masa të menjëhershme që protestuesit që kanë mbuluar fytyrën me shall dhe maska, të zbulojnë menjëherë fytyrën ose të largohen nga protesta.

Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të Policisë”

Ora 19:25/ Pas fjalës së Bashës irritohen protestuesit

Situata në bulevardin përballë kryeministrisë është tensionuar.

Menjëherë pasi kryedemokrati Basha ka përfunduar fjalën e tij, protestuesit janë rebeluar dhe kanë nisur të gjuajnë me kapsolla dhe tymuese në drejtim të policisë.

Protestuesit kanë arritur të çajnë kordonin e policisë dhe janë ngjitur në shkallët e kryeministrisë.

Në fjalën e tij kryedemorkati thase kushti i vetëm që kemi tha më tej Lulzim Basha është krijimi i qeverisë tranzitore.

Nuk ka as do të ketë pazare politike, as kompromise travolinash. Kushti i patjetërsueshëm është qeveria tranzitore Duhet rezistencë, përballje kryengritje” u shpreh Basha.

Ora 19:22/ Mediat botërore transmetojnë drejtpërdrejt protestën e opozitës

Protesta masive e organizuar nga opozita që po ndodh aktualisht përpara Kryeministrisë në Tiranë nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediat botërore.

Ndërkohë televizioni prestigjoz EuroNews, si dhe VOA (Zëri i Amerikës) po e transmetojnë live protestën e shqiptarëve në Tiranë, e cila ka startuar qysh në orën 18:00 të ditës së sotme.

Ora 19:17/ “Po bie muzgu i zi”/ Basha flet nga protesta, thirrje të fortë policisë

Kreu i Partisë Demokratike ka mbajtur fjalimin e tij në mes të protestuesve përballë kryeministrisë.

Ai e konsideroi protestën e sotme si një rënie të “muzgut të zi”, për bandën kriminale që është në pushtet sikurse e cilëson ai.

Basha thotë se ky është muzgu i bashkimit të madh.

Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit, padrejtësive dhe krimeve të përditshme ndaj shqiptarëve. Që nga koha e pushtuesve më mizor, nuk kanë parë shqiptarët një bandit kaq kriminel dhe barbar ndaj popullit, një njeri që do të hyjë në histori si njeri që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve.

Ky muzg është muzgu i bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Rama ik!

As gazi lotsjellës, as propaganda e shfrenuar nuk na ndal dot, nuk na përçan dot. Shqipëria është e bashkuara. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e myslimanëve dhe të krishterëve, e të djathtës dhe të majtës, që i thonë shporru, largohu, Rama ik! Kjo është Shqipëria e vërtetë e qindra mijëra halleve të shtuara nga një kryeministër që asnjë ditë të vetme nuk i dëgjoi hallet e shqiptarëve sepse ata punojnë për vete, për oligarkët, për armiqtë e popullit shqiptar”.

Kreu i opozitës thotë se kjo protestë tregon se Shqipëria ka ndryshuar një herë e përgjithmonë.

Kjo protestë është prova më e qartë se Shqipëria sot ka ndryshuar një herë e përgjithmonë. Banda e Edi Ramës, oligarkët dhe mediat e blera nga pushteti duan t’ju thonë se kjo nuk është një betejë e vërtetë, për jetën tuaj. Sot dua ta deklaroj me zërin tim, vullnetin tuaj dhe vullnetin tim, PD, LSI-së, PDIU, PBDNJ-së, të gjithë partive tona në koalicionin e shumicës së re”, tha më tej Basha.

Basha ka thënë se edhe policia duet të dëgjojë thirrjen e popullit dhe sipas tij të bashkohen me thirrjen e tyre: “Liri a vdekje”.

“Ju bëj thirrje vëllezërve dhe motrave të policisë së shtetit, hidheni kapelet, bashkohuni me ne. Rama ik! Dëgjoni mirë mesazhin e popullit. Liri a vdekje, demokraci a vdekje.

Kjo betejë do të ketë vetëm një përfundim; ajo do të zgjidhë dilemën të jetë apo të mos jetë Shqipëria evropiane”, tha ai.

Ora 19:11/ Kryemadhi në protestë me një propozim për çdo kryeministër të së ardhmes

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se protestuesit në shesh shtohen pas çdo proteste, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor gjoba të majme kundër autobusëve dhe furgonëve që sjellin protesutesit.

“Orari nuk ka të bëjë fare. Ka të bëjë me pjesëmarrjen e njerëzve në çdo moment. Të gjitha ditët janë ditët e Zotit dhe të gjitha orët e ditës janë orët e Zotit. As nuk na kushtëzon njeri dhe as nuk na detyron njeri.

E rëndësishme nuk është ora. E rëndësishme është përmbajtja e asaj që ndodh. E rëndësishme është pjesëmarrja e njerëzve. E rëndësishme është që çdo protestë, çdo ditë shtohet pjesëmarrja e qytetarëve.

Nëse 16 shkurti quhej protesta më e madhe e bërë nga opozita ndonjëherë, 16 marsi dyfishimi i saj. Sot mjafton të shikosh se si rrugët e Tiranës janë të mbushura dhe buçasin nga njerëzit, nga qytetarët. Mjafton të shikosh se si rrugët hyrëse të Tiranës kanë pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe mjafton të dëgjosh se si taksidarët apo kamzhikët e Edi Ramës gjobisin autobuzat, furgonët me gjoba marramendëse, kur sot shqiptarët nuk kanë bukë të hanë. Pra edhe ajo që ia kërkon të bëjë. Tregon frikën, tregon fundin. Çdo dhunë, çdo kërcënim, çdo shantazh, çdo mjet që përdor sot qeveria në ikje, e një Kryeministri në ikje tashmë dhe të mbaruar, nuk tregon gjë tjetër veçse rënie, tregon fundin dhe sa më shumë e zgjat, ai zgjat vuajtjen e qytetarëve të vendit të tij. Kjo tregon se ndjesia e tij për njerëzit ka marrë fund.

Duhet ta vendosim në Kushtetutë që çdo njeri që bëhet kryeministër duhet të bëjë vizitën psiko-analize dhe mjekësorë për shumë arsye sepse vendi nuk mund të ngelet në dorën e njerëzve që janë peng e substancave sintentike. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka më shpëtim, ka vetëm një drejtim që Shqipërisë t’i rikthehet legjitimiteti i Parlamentit. Djegia e mandateve nuk ishte për të shpëtuar opozitën, ishte për interes publik.

Unë e kam thënë që çdo kryeministër, çdo person që merr përgjegjësi duhet të bëjë vizitën psikologjike dhe mjekësore, për shumë arsye, sepse vendi nuk mund të ngelet në dorë të njerëzve që janë peng i substancave sintetike, të personave që janë peng të sëmundjeve të tyre dhe nuk mund të ngelet peng i atyre njerëzve që janë peng të maktheve të tyre psikologjike. Z. Rama do të ndryshojë herë pas here, por nuk ka më rrugë tjetër, nuk ka më shpëtim, por ka vetëm një drejtim dhe i vetmi drejtim është që Shqipërisë do t’i kthehet legjitimiteti i Parlamentit, do t’i kthehet legjitimiteti i politikës.

Të pastrojmë njëherë e mirë politikën nga krimi i organizuar dhe njerëzit që e kanë kapur, ta pastrojmë njëherë e përgjithmonë atë mentalitet të këtij tranzicioni që politikanët punojnë vetëm për veten e tyre. Ne duhet t’i sjellim shqiptarëve ata politikanë që mendojnë për qytetarët. Djegia e mandateve të opozitës nuk ishte për të shpëtuar opozitën, as për të bërë politike, por ishte interes publik, për t’u kthyer shqiptarëve edhe njëherë vëmendjen që do të jenë ata që sot do të marrin vendimet dhe fatet e tyre në dorë.”

Ora 19:04/ Aktori i njohur në tubimin e opozitës, zbulon arsyen pse proteston

Në protestën e opozitës është parë edhe aktori i njohur Neritan Liçaj.

I pyetur nga mediat, Liçaj tha se protston për të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve.

Sipas tij nuk ka rëndësi se kush e organizon këtë protestë.

Kjo nuk është kauza e PD. Është protesta e këtij vendi. Protestohet për të drejtat, nga PD, nga artistët, nga të pastrehët. S’ka pikë rëndësie kush e organizon. Për mua ka rëndësi të mbrohet e drejta dhe dinjiteti i qytetarëve. Kjo është e rëndësishme për mua”, tha Liçaj.

Ora 19:00/ Protestuesit në pritje/ Basha, Kryemadhi dhe Berisha bashkohen 30 minuta me vonesë

Kryedemokrati Lulzim Basha i është bashkuar protestës së opozitës rreth 30 minuta pasi ajo ka nisur.

“Të presim kryeministrin e ardhshëm”, dëgjohet nënkryetari i PD-së, Flamur Noka, ndërsa Basha i afrohet turmës.

Pak minuta pas tij, edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është bashkuar protestës. Përfaqësuesit e LSI mbajnë logo të flamurit kombëtar në krahë.

Pak pas tyre, edhe ish-lideri historik i së djathtës, Sali Berisha shkon në protestë.

Ora 18:51/ Tubimi i opozitës, protestuesit godasin godinën e Kryeministrisë

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar ka nisur protesta e opozitës.

Rreth 30 minuta para nisjes së protestës, fermerë të shumtë kanë derdhur bidona me qumësht, domate dhe lakra përpara kryeministrisë.

Gjithashtu në muret e kryeministrisë protestuesit kanë hedhur bojë.

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike u është bashkuar protestuesve në shesh, ku edhe po mban fjalën e tij.

Protestuesit mbajnë në duar parulla; “Rama ik”, “Parlament i krimit”, “Qeveri e korruptuar”.

Ora 18:28/ Tensione në protestë/ I maskuar me kapuç, “tërbohet” protestuesi

Situata në protestën e opozitës sapo ka nisur është tensionuar. Protesta ka nisur me tymuese të shumta.

Ajo çfarë vihet re është një protestues, i cili ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e tij.

I maskuar me syze, kapuç dhe doreza, protestuesi ka hedhur pandalur tymuese, duke tensionuar situatën.

Ndërkohë vihet re se policët kanë marrë tymueset e hedhura nga militantët e PD-së dhe i kanë larguar nga sheshi.

Ora 18:14/ “Rama ik”/ Nis protesta e opozitës, tubuesit mblidhen në shesh

Protesta e opozitës, ashtu sikurse ishte njoftuar ka nisur në orën 18:00.

Me mijra mbështetës të opozitës kanë nisur të mblidhen përpara kryeministrisë.

Në duar protestuesit mbajnë parulla “Rama ik”, “Parlament i krimit”, “Qeveri e korruptuar”.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet ende në selinë e partisë dhe pritet t’i bashkohet për pak minuta protestuesve.

Protestuesit e opozitës kanë çadra thuajse të gjitha të njëjta, ku shkruhet fjala “Ik”.

Mbi 1500 efektivë policie të pajisur me maskë antigaz janë vendosur te kryeministria.

Në pjesën e pasme të kryeministrisë qëndrojnë 4 autobote me ujë, të cilat mund të përdoren në rast se protestuesit do të tentojnë të sulmojnë institucionet.

Ora 18:01/ Mblidhen protestuesit, çfarë shkruhet në çadrat e tyre?

Vetëm pak minuta para nisjes së protestës së opozitës, ka nisur mbledhja e protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit e opozitës kanë çadra thuajse të gjitha të njëjtat, ku shkruhet fjala “Ik”.

Protesta e sotme shënon protestën e 9-të të opozitës që pas vendosjes për djegien e mandateve.

Duket se në protestë marrin pjesë fermerë që protestojnë për vendimin e uljes rimbursimit të TVSH-së.

Ora 17:45/ Deri kur pritet të zgjasë protesta e opozitës?

Sot në orën 18:00 pritet të nisë protesta e opozitës.

Mësohet se opozita ka kërkuar leje që protesta e tyre të zgjasë deri në orën 00:00 të mesnatës.

Përpara kryeministrisë kanë nisur të vendosen forcat e policisë, ku mbi 1500 efektivë janë pajisur me maska antigaz.

Po ashtu në pjesën e pasme të kryeministrisë qëndrojnë 4 autobote me ujë, të cilat mund të përdoren në rast se protestuesit do të tentojnë të sulmojnë institucionet.

Pavarësisht se pritet që reshjet e shiut të shoqërojnë protestuesit, duket se është gjetur një zgjidhje.

Ndërkohë tek selia blu janë të shumtë qytetarët që janë mbledhur.

Në seli ndodhen lideri i PD-së, Lulzim Basha dhe disa ish-deputetë, që pritet t’i bashkohen turmës ashtu si edhe në protestat e tjera.

Ora 14:10/ Autobusët nisen drejt Tiranës, autobotët me ujë vihen prapa kryeministrisë

Mbështetës të opozitës janë nisur me autobusë, furgonë dhe mjete personale për të mbështetur protestës e sotme.

Një autobus nga Saranda dhe një nga Konispoli janë nisur drejt kryeqytetit.  Ndërkohë informohet se autobusë me mbështetës janë nisur edhe nga Korça, Gjirokastra dhe Berati.

4 autobotë me ujë janë vendosur prapa kryeministrisë dhe kanë nisur përgatitjet për protestën.

Ora 12:10/ Ambasadorja gjermane: Çdo element dhune vijë e kuqe

NGA DEUTSCHE WELLE

Kreu i opozitës, Lulzim Basha u bëri thirrje shqiptarëve për t’iu bashkuar protestës të shtunën. Ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz kërkoi që protesta të jetë paqësore, ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe.

Opozita dhe mbështetësit e saj zhvillojnë të shtunën (13.04.2019) protestën e tyre të 9-të, në serinë e protestave antiqeveritare, të nisura në mesin e shkurtit të kaluar. Protesta e së shtunës është e para që do të zhvillohet në mbrëmje  dhe e treta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Protestat e tjera janë zhvilluar në sheshin para Parlamentit. Por pavarësisht vendit dhe kohës kur protestat e opozitës janë zhvilluar, të gjitha synojnë largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Për opozitën qeveria Rama dhe Parlamenti, të dala nga zgjedhjet parlamentare 2017, janë jo legjitime, pasi opozita pretendon se PS fitoi mandatin e dytë për të qeverisur në Shqipëri deri në vitin 2021 me vota të blera dhe lidhje me krimin. Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe këmbëngul që nuk negocion mandatin e dhënë nga votuesit për të qeverisur deri në 2021.

Basha – Thirje shqiptarëve për t’iu bashkuar opozitës

Në prag të protestës në mbrëmjen e sotme, lideri  PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje, përmes një videoje, gjithë qytetarëve të Shqipërisë që t’i bashkohen protestës së opozitës. Në thirrjen e tij thuhet, se „Shqipëria është në rrezik”, „Korrupsioni ka mbërthyer shtetin”, „Qeveria është bërë një me krimin”. Basha ftoi qytetarët  t’i bashkohen opozitës për “Shqipërinë si gjithë Europa”, thirrje e Lëvizjes Studentore, të para 29 viteve, që solli përmbysjen e regjimit të kaluar.

Burime nga PD bëjnë me dije se protesta e sotme pritet të jetë më masivja që ka organizuar deri tani opozita. Dy protestat e mëparshme të opozitës, para Kryeministrisë, në 16 shkurtin dhe 13 marsin e kaluar, janë karakterizuar nga akte dhune prej protestuesve dhe reagimin e policisë me gaz lotsjellës. Burime nga PD kanë pohuar se protesta e sotme do të ketë surpriza, por pa cilësuar se cilat do të jenë ato.

Schütz – Çdo element dhune përbën vijën e kuqe

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri thirrje të premten, (12.04.) në prag të protestës së opozitës, që ajo të jetë ”paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”. Thirrjet për shmagien e dhunës kanë karakterizuar qëndrimin e BE, trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Tiranë që kanë vënë në dukje njëzëri të drejtën themelore të protestës në demokraci, por pa ushtruar asnjë akt dhune dhe shkatërrimi.

Për të shmangur aktet e mundshme të dhunës në protestën e së shtunës që është paralajmëruar se do të fillojë në orën 18.00 dhe do të zhvillohet kur të ketë rënë mbrëmja, janë angazhuar rreth 1300 efektivë të policisë së shtetit, të përqëndruar në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë, ku në 2 protestat e mëparshme protestuesit kryen akte dhune dhe shkatërrimi.

Opozita mes vazhdimit të protestave dhe riangazhimit në procesin politik

Opozita ka deklaruar se do të vijojë protestat e saj deri sa të bëjë të mundur largimin e kryeministrit Rama, krijimin e qeverisë kalimtare, zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Por ky projekt i opozitës nuk ka gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar. Me një zë të vetëm faktori ndërkombëtar ka dënuar heqjen dorë nga opozita e mandateve të saj parlamentare, pas protestës së 16 shkurtit të kaluar, e ka konsideruar qeverine dhe parlamentin aktual legjitim, ka bërë thirrrje për të gjetur zgjidhje dhe ulur në tryezën e bisedimeve me maxhorancën socialiste. Por opozita e kushtëzon dialogun me largimin e kryeministrit Rama, gjë që për palën tjetër është e papranueshme dhe jo në linjë me rregullat e proceseve demokratike.

Faktori ndërkombëtar i kërkon opozitës të rikthehet dhe të riangazhohet në procesin politik, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mesazhi më i freskët, drejtuar opozitës për të lënë sheshet dhe rrugët dhe marrë pjesë në procesin politik erdhi më 10 prill edhe nga SHBA, nga Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Metthew Palmer, që vizitoi Tiranën dhe i quajti bojkotin e zgjedhjeve dhe djegien e mandateve parlamentare “instrumenta thellësisht në kundërshtim me praktikat demokratike” dhe nxiti opozitën të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ora 10:41/ Blindohet Kryeministria, ku do të jetë Rama?

Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës Kombëtare më qëllimin e rrëzimit të qeverisë. Ndryshe nga herët e tjera, protestuesit do të mblidhen rreth godinës së Këshillit të Ministrave në orën 18:00, për të kërkuar largimin e qeverisë Rama.

Të paktën 1500 efektivë të policisë pritet të jenë të angazhuar sot në terren për mbarëvajtjen e protestës së opozitës.

Sipas burimeve, godina e Kryeministrisë,  është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit.

Skenari i protestës është i ngjashëm me atë të dy protestave të tjera masive, ky qytetarët do të mblidhen para Kryeministrisë, dhe në dy pjesët anësore të saj ana e piramidës dhe në rrugën “Ismail Qemali”.

Edhe sot shefi i qeverisë nuk do të jetë në Tiranë, por është nisur jashtë shtetit për një vizite tjetër zyrtare.

Për të parandaluar incidente të mundshme, godina e Këshillit të Ministrave, prej më shumë se 24 orësh është blinduar me masa të forta sigurie, për të parandaluar çdo tentativë të protestuesve për të hyrë në brendësi të godinës.

Ora 08:34/ Protesta e opozitës, apeli i fortë i SHBA: Tregoni kujdes!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë iu ka bërë thirrje qytetarëve të saj, që të shmangin në formë kategorike kalimet në vendin ku është parashikuar të mbahet protesta e opozitës.

Mes tjerash ambasada thekson se kohëzgjatja e demonstratës është e panjohur, ndërsa shton se një pjesë e qytetarëve shqiptarë protestojnë kundër qeverisë.

Pikat e mundshme të grumbullimit të protestuesve në Tiranë janë: Godina e Kryeministrisë, Godina e Parlamentit, godina të tjera qeveritare. Një demonstratë pritet të zhvillohet pranë godinës së Kryeministrisë më 13 prill, 2019, duke nisur nga ora 6 e pasdites.

Grupi synon të protestojë kundër qeverisë shqiptare. Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës gjatë protestave të fundit.

Personeli i Ambasadës amerikane dhe familjarët e tyre udhëzohen që të shmangin të gjitha pikat e mundshme të grumbullimit, ku zhvillohen apo pritet të zhvillohen demonstratat. Shmangni grumbullimet e mëdha dhe çdo zonë ku zhvillohen, apo mund të zhvillohen demonstrate.

Tregoni kujdes për situatën përreth. Ndiqni informacionet e fundit të mediave vendase. Ruani profil të ulët”-thuhet në reagim.

Ambasada e SHBA ka bërë apel të vazhdueshëm për qytetarët e saj, sa herë në vend partitë politike kanë protestuar ndaj qeverisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN