Pas protestës së opozitës, Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin, Olsi Albarjami, 29 vjeç, nga Elbasani, i cili akuzohet për kundërshtim dhe ushtrim dhune ndaj forcave të policisë dhe prishje të rendit publik.
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë tetë persona, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi si dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim.
Procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Gazmend Bardhit është bërë për “Organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, ndërsa ky procedim nuk është i vetmi që ka bërë policia ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së.
Masa të tilla ka pasur edhe gjatë protestave të tjera të organizuara nga opozita e bashkuar.
Ish-kryeministri publikoi fotot e të arrestuarit i cili u përplas me simpatizantë të selisë blu tek Piramida, ndërsa Berisha e etiketoi si punonjës policie që ishte infiltruar në protestë. Ky version duket se është hedhur poshtë, pasi policia bazuar edhe në pamje filmike ka dokumentuar se 29-vjeçari nga Elbasani, ka ushtruar dhunë kundrejt uniformave blu dhe nuk rezulton të ishte polic i infiltruar.
Njoftimi i plotë:
“Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 03.04.2019, para Parlamentit të Shqipërisë, në përfundim të veprimeve të kryera dhe pas këqyrjes së pamjeve filmike bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit Olsi Albarjami, 29 vjeç, nga Elbasani, për kryerjen e veprave penale, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ky shtetas gjatë protestës ka kryer veprime të kundraligjshme ndaj punonjësve të Policisë në detyrë, veprime të dokumentuara me pamje filmike. Më pas ai është goditur nga protestues të tjerë me pretekstin se ishte punonjës policie dhe ishte i infiltruar në protestë. Veprimet e këtij shtetasi i ka publikuar në rrjetin social facebook shtetasi Sali Berisha duke e etiketuar si punonjës policie.
Është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të “ Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasi G.B., 33 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu në lidhje me protestën e sotme janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 7 shtetas të tjerë për veprat penale të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e tyre edhe 4 shtetas të tjerë për veprat penale të “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive””, njofton policia.