MENU
klinika

Ringjallja: Dashuria e amshuar!

Pse mbetën të kuqe vezët e Pashkëve?

21.04.2019 - 12:20

Sot të Krishterët në mbarë botën festojnë Pashkët, festa që shënon ditën kur Jezu Krishti ishte ringjallur prej së vdekuri, pas tri ditësh. Si një ndër festat më të rëndësishme e besimtarëve të krishterë, kjo ditë simbolizon ringjalljen e Krishtit, çlirimin e njerëzve nga mbretëria e djallit dhe jetën e përjetshme.

Në darkat e drekat festive, kryefjalë janë vezët shumëngjyrëshe. Vezët e bekuara në kishë, thuhet se mund të bëjnë mrekulli. Nëse e rrotullon në fytyrë, ajo të fal një pamje rinore dhe nëse e rrokullis në arë, sjell bollëk për të korrat e ardhshme – sipas gojëdhënave.

 

 

Sipas besimit të krishterë, Jezusi erdhi në tokë për të dhënë modelin e tij për njerëzimin dhe për të dëshmuar se, pas vdekjes së trupit, shpirti jeton, por për ta fituar atë duhet që çdokush të udhëhiqet në jetë nga disa parime biblike dhe virtyte. Ndërkaq gjatë sipas riteve fetare të kesaj feste besimtaret kryejnë vizita për të uruar njëri-tjetrin. Një tjetër rit është edhe ai i thyerjes së vezëve.

Në trevat shiqptare festën e Pashëve nuk e festojnë vetëm besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë, por gjithë shqiptarët, sikurse edhe festat myslimane – kjo, në sajë të frymës të tolerancës.

 

 

Simboli dhe gojëdhëna e vezëve të kuqe

Është prill. Shiu ka pushuar që kur, e qielli është kaltëruar. Lulet harbohen në arat e shqerat bëhen gati të flijohen për Natën e Madhe. Pas gazit të Llazoreve, njerëzia përgatitet për ardhjen e Pashkës: me shqerkë, me kuleçër e me vezë të kuqe. Tërë Javën e Madhe gratë këputen dyke larë, dyke lyer, dyke fshirë pezhishkat e merimangave, dyke qepur rroba të reja për fëmijët e dyke vajtur nëpër Kishat. Marrin me vete kuleçërit, qirinj për fëmijët e llamabadhe për të mëdhenjtë.

Pastaj nisin e skuqin e vezët. Ka historinë e vet edhe kjo:

“Ishte Pashka e Madhe. Një grua po kalonte rrugës me një shportë në dorë. E kish mbushur plot me vezë, të sapo mbledhura nga furriku. Thamë, se qe ditë Pashke e rruga ishte plot me njerëz, që festonin. Pranë saj kaloi një burrë, që e përshëndeti me brohorinë e Festës së madhe: “Krishti u ngjall!”.

Ajo nuk u përgjigj. Nuk besoi. E këtë mosbesim, e shprehu me fjalët: “Në qoftë se këto vezë që kam në shportë, skuqen, atëherë edhe unë besoj se vërtet, Krishti u ngjall!”.

Vezët u skuqën menjëherë dhe prandaj mbeti ky zakon. Ky e zakon e të tjera, që lidhen me kremtimin e Pashkës”.

 

 

 

Kështu rrëfen gojëdhëna:

Të Shtunën e Madhe fëmija bëhen copë duke veshur e duke zhveshur rroba të reja: kush merr këpucka të reja, kush rroba të reja e kush këmishë të reja, që do t’i veshin të nesërmen. Mbrëmanet fëmija lahen, hanë bukë e bien të flenë. Pastaj, përpara mezit të natës, bien portat, ngrihen, ndërrohen, marrin qirinjtë e vezët e kuqe dhe venë në Kishë, për të dëgjuar meshë. Si dëgjojnë meshë, thyejnë vezët e kuqe dhe, me qirinjtë të ndezur në dorë, kthehen në shtëpi, ku i pret sofra shtruar. Si denden mirë, bëjnë një gjumë dërdenge dhe të nesërmen vishen me rrobat më të mira. Hyjnë ku gjejnë portë hapur, për të mbledhur vezë, që t’i kenë për meze tërë javën. E, si marrin vezën, urojnë. Ja disa nga urimet që shkëmbeheshin në Shqipërinë e Mesme:

“Sa lule maj’e Tomorit,

Aq dhen e dhi oborit.
Sa biçka m’at qershi,
Aqë trima m’at shtëpij,
Sa furka m’at çardhak,
Aqë nuse me duvak.
Sa zhur m’at ur,
Aq topa me pëlhur.
Kush të më napi nji koqe ve,
I dhashtë Zoti nji pendë qé!”.

Kështu gjatë tetores së Pashkëve, rrugët mbushen plot me urime, me guaska vezësh të kuqe e me shkëmbimin e përshëndetjes:

“Krishti u ngjall!”- “Vërtet u ngjall!”.

PËR SHUMË VJET PASHKA!

Atë Gjergj Fishta: “Ngadhnija e Kryqit”

NGADHNJIJA E KRYQIT

Nji ditë nder dit atje n’qytet t’amshuem,
Kur enč ky ligjë t’randë mbarë dheut i vęte,
Nji Galileas, peshkatár i shuem,
Atje po zęte.

 

As n’kambë koturn, as togë mbi shtat nuk kishte,
As shpatë mizore nuk i varej ijes;
Por veç nji Kryq visari i tij t’tânë ishte,
T’ tânë shęj’ i madhnijes.

 

Me atë Kryq në dorë atje m’atë ditë ai duli
E n’sŷ t’Cezarit, t’ Rromës e t’rruzullimit
Në Vatikan ai Krygjen shęjte e nguli
Shęj’n e Shelbimit.

 

Ehu ! kush kisht’ thânë atë herë se n’t’endun t’motit
Cezari e Rroma e rruzullimi unjí
Do t’i a perkulshin gjű’n korís s’Golgotit
Me pervujtni ?

 

Kush kishte thânun se nji bimë zabelit
N’vedi do t’kishte njaq fuqí grumbllue,
Sá shekllit t’ rręjshem fill e prej themelit
Faqe me i ndrrue?…

 

Po, rán n’dritë t’Kryqit idhujt e u rroposen,
Augurt u zhduken, tempujt edhe u rrxuen:
Dodona, Delfi, fallet edhe u sosen
Krejt u harruen.

 

T’ randat veriga u kputen t’robënís,
Tirajt fashiten, doket edhe u dliren;
Habitun fiset t’tâna t’rrokullís,
Kah Kryqi u priren.

 

E n’rreze t’Kryqit, m’t’ cillen vetë Dashtnija
N’mjet tokës e qiellit pezull ndęj per né,
Ata me njohtun xűn se ç’âsht vllaznija
Permbi ketë dhé.

 

Shűjten e dhunshme shkrehi Kanibali,
Robin bujari e thirri vllá n’sy t’Lumit,
E, zęmerdhimbshem, me dorë dhânse ndali
Lott e t’mjeruemit.

 

S’i dau mâ popujt gjuha, e tregu, a fisi,
As s’i dán lume, as male te madhnueshme,
Por u njisuen per Kryq, si degë t’njaj lisi,
Me Fé t’hyjnueshme.

 

Nen ligjë t’dashtnís filloi me gzue atë herë niri
Njatë kohë lirijet prej kahmot t’premtueme,
T’cillen me e dhânun sheklli nuk ka hiri
Veç Krygjes s’lume.

 

T’falem, o Krygjë, shpresa e rruzullimit,
Qi kohen arit, prej Profetësh permendun
E kndue nder kanga, vetem ti njerzimit
Nise m’i a endun.

 

T’ vertetë lirín, po, nierit ti i a prűne,
Popuj e fise me dashtní vllaznove,
T’padijes terrin n’shekull ti perzűne:
Dhén qytetnove.

 

E ků janë rritë veç hijes s’ate burrat,
Qi do t’permenden per sá t’rrjedhe jeta,
Të cillt kerkuen e gjeten t’dijes gurrat
T’kjarta e t’verteta?

N’per rreze t’ua Toma, po, e Augustini
Fleten e mendes rrahen nalt kah qiella,
E punët, qi njeh n’Parrěz veç Kerubini,
Na i zbluene t’kthiella.

 

Mjeshtrit i a mbajte doren nder punë t’mbara,
E bukurí Ti para sysh na qite,
Popull a fis qi kurr n’ketë jetë perpara
Njohtun si ki’te.

 

Ti t’shkretë mundqarit i a bekove punen,
E lot mbi dhé nuk lae me rá pa hiri;
Travajët e thyeshme pse shęjtnove e dhunen,
Qi pson i miri.

 

Po, sod këndon robnesha nder travajë,
Kahdo qi âsht shtrî mbretnija e jote e lume,
Ke e din ajo se edhe per fmij të sajë
E ka ‘i jetë t’gzume.

 

O Krygjë, o gurrë, kah rrjedhë per né gjith mshrira.
Deh! Shtrij krahët t’ú kahdo rreh dielli e hâna,
E fise e popuj, sa permbledhë hapsira,
Pershîj të tâna.

 

Pse veç atje, kű kapë mbretnija e jote,
Lirín e pagjen gzon n’ket jetë njerzimi,
Sundon dashtnija, shpresa s’âsht e kote:
Gjindet shelbimi.

Atë Gjergj Fishta, “Ngadhnija e Kryqit”, “Vallja e Parrizit”, bot. II, Shkoder, Sh. Bot. “Atë Gjergj Fishta”, 1941

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe