Kompozitori, pianisti dhe dirigjenti rus lindi më 1 prill 1873, puna e shkruar kryesisht për piano, lidhej ngushtësisht me traditën romantike dhe spikaste për ndikimin e theksuar të Çajkovskit. Ankoruar në tonalitet, stili i tij lirik dhe i trazuar karakterizohet nga gjallëria e ngjyrimeve, nga përzgjedhja e motiveve tejet të rafinuara, nga transmetimi i emocioneve dhe nga gama e gjerë muzikore. Ishte pikërisht revolucioni rus i dhjetorit të vitit 1917, që e detyroi Sergei Rashmaninoff të linte Rusinë përgjithmonë.
Rachmaninoff studioi në Konservatorin e Shën Petërburgut dhe më pas në Konservatorin e Moskës. Mes profesorëve më në zë përmend Nikolai Zverev, Anton Arenski dhe Serge Taneïev, si dhe Aleksandër Siloti për piano. Veprat e para të kompozitorit korrin sukses të menjëhershëm, fillimisht opera “Aleko” (1892), mandej “Koncert për piano Nr. 1” dhe “Prelud në C minor”. Në këtë revansh, dështimi i Simponisë Nr. 1 e zhyt në depresion të thellë, gjendje e cila merr fund pas katër vitesh me triumfin e vërtetë të Koncertit të dytë për piano në Do (C) minor, apo Trio elegjiake për piano, violinë dhe violinçel në re minor opus 9.
“Kur u largova nga Rusia, lashë pas dëshirën për të kompozuar. Duke humbur atdheun tim, humba edhe vetveten…”, – do shprehej autori.
Pasohet nga një periudhë e ngjeshur me koncerte që jep anekënd Evropës dhe Amerikës, çka nuk e pengon autorin të kompozojë disa nga veprat e tij më të famshme, si “Rapsodi mbi një temë të Paganinit” (1934) ose “Simfonia Nr. 3” (1936). Në kohën e turit dhe ekzilit njëkohësisht, Rachmaninoff takoi pianistin Vladimir Horowitz dhe u bënë shumë të afërt. I lodhur nga puna dhe nga angazhimet, u strehuan në një shtëpi në Zvicër, më pas në kodrat Berverly gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të shkruarit inkurajues të Rachmaninoff shkon paralelisht me saktësinë e interpretimit në piano. Edhe pse bashkëkohor me Ravel dhe Bartok, ai do të mbetet i lidhur ngushtë me sistemin e tonaliteteve, duke shndërruar në kompozitorin e fundit romantik të shekullit të njëzet.
Një kompozim i rëndësishëm i periudhës së dytë të qëndrimit të Rachmaninoff në Moskë ishte simfonia e tij korale “Zilkat” (1913), bazuar në përkthimin rus të poemës së Edgar Alan Poe nga Konstantin Balmont. Një punë që kërkonte zgjuarsi të konsiderueshme në bashkimin e burimeve korale dhe orkestrale për të prodhuar efekte të mrekullueshme imituese dhe teksturale. Së bashku me familjen dhe një rreth të ngushtë shokësh, ai jetoi një jetë mjaft të izoluar. I mungonte Rusia dhe populli rus, bordi frymëzues për muzikën e tij, siç shprehej vetë.
Muzika e Rachmaninoff, megjithëse e shkruar kryesisht në shekullin e 20-të, mbetet e rrënjosur në idiomën muzikore të shekullit të 19-të. Ç’është e vërteta, ai ishte shprehja përfundimtare e traditës së mishëruar nga Çajkovski, një kompozitor me përmasa romantike që ende shkruante në një epokë ndryshimi dhe eksperimentimi shpërthyes. Në punën e Rachmaninoff bien në sy tre tema kryesore: feja, depresioni dhe Rusia. Kompozitori i përkiste besimit ortodoks rus. “Që nga fëmijëria ime, unë kam qenë i ndikuar nga adhurimi ortodoks dhe këmbanat e katedrales. Po ashtu më është dashur të largohem edhe nga atdheu im, Rusia”. Si pianist, Rachmaninoff ishte një xhevahir dhe gjenia e tij ndikohej nga kushtet fizike. Me dorë të madhe, të gjatë dhe të bukur, notat dhe meloditë buronin pa vështirësi.
Vdiq në vitin 1943 nga kanceri në mushkëri në Beverli Hills (Kaliforni) në moshën 70-vjeçare. Nga pikëpamja e stilit, nuk qe mirëfilli novator, pasi kompozimet e tij ishin ankoruar fort pas traditës romantike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, edhe pse gradualisht u përpoq të përdorte një gamë harmonike pak më të madhe. Forca e shkrimit të tij muzikor qëndron diku tjetër: opusi i tij “Ishulli i të vdekurve” është një kryevepër orkestrale, pasi nuk ekzistojnë shumë të tilla në literaturën muzikore: është një interpretim, imazhe sentimentale të dlira theksuar nga harmoni shpesh të pasura, një linjë melodioze që na zhyt në misterin ekzistencial të zemrës dhe të mendimit.