MENU
klinika

Baza pranë Larisës

SHBA shton praninë ushtarake në Greqi

15.04.2019 - 15:20

Athina dhe Uashingtori thuhet se po përpiqen të konsolidojnë më tej praninë e sistemeve amerikane të armëve në Greqi, sipas gazetës greke ‘Katimerini’.

“Prania e përforcuar” do të përfshijë dislokimin e sistemimit amerikan të mbrojtjes raketore “Patriot”, si dhe dislokimin e aeroplanëve me dhe pa pilotë të Forcave Ajrore të SHBA-së në një bazë pranë Larisës, në Greqinë qendrore.

Për më tepër, SHBA duket e përgatitur për të rritur pjesëmarrjen e saj në stërvitjet ushtarake greke dhe për të zgjeruar fushëveprimin e tyre.

Duke patur parasysh këtë bashkëpunim ushtarak mes dy vendeve, Greqia gjithashtu pret që anijet amerikane të zbarkojnë më shpesh në portet e Detit Egje.

Përforcimi i marrëdhënieve ka koinciduar me tensionet në rritje në aleancën mes Uashingtonit dhe Ankarasë, me Athinën që kërkon të përfitojë gjeopolitikisht nga ndryshimi i dukshëm në balancën e pushtetit në Mesdheun Lindor.

Javën e kaluar, Uashingtoni i bëri thirrje Turqisë që të mos marrë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Rritja e tensioneve nuk lidhet vetëm me këtë, por edhe me zbulimin e një rezerve të madhe gazi buzë brigjeve të Qipros.

Lidhur me këtë, Turqia ka njoftuar se nuk do të lejojë asnjë misionin për nxjerrjen e gazit, pa miratimin e saj.

Javën e kaluar në Kongresin e ShBA-së u paralajmërua miratimi i Ligjit për partneritet, siguri dhe energjetikë në Mesdheun Lindor, me qëllim mbështetjen diplomatike dhe ushtarake amerikane për Greqinë dhe Qipron.

Edhe pse Athina e ka mirëpritur fazën e re në lidhjet e saj ushtarake me Uashingtonin, ajo dëshiron, me çdo kusht, që të mos preket nga konfliktet e fundit amerikano-turke.

Greqia është gjithashtu e shqetësuar me mënyrën se si Turqia ka reaguar ndaj bashkëpunimit të saj në rritje me Maqedoninë e Veriut. Ankaraja tashmë e ka informuar Greqinë se e konsideron retorikënsi jashtëzakonisht armiqësore.