MENU
klinika

Shekspiri dëshmitar i Jul Cezarit

Bruti foli me gjuhën e Nolit, po ç’tha?

23.04.2019 - 12:37

Fjalimi i Brutit, marrë nga “Jul Cezari” i Shekspirit – Përkthyer nga Fan S. Noli:

Duroni gjersa të mbaroj. Romanë! Qytetarë! Miq! Dëgjomëni që t’jua tregoj punën; dhe heshtni që të mundni të dëgjoni. Në më quani të ndershëm, besomëni dhe quamëni mjaft të ndershëm sa të më besoni. Gjykomëni me mend dhe zgjojeni mendjen, që të mundni të gjykoni më mirë. Në pastë këtu në këtë mbledhje, ndonjë mik me zemër të Cezarit, atij i thoni që Bruti e desh Cezarin, jo më pak se ai. Dhe në më pyettë ai mik, përse Bruti u ngrit kundër Cezarit, përgjigjja ime është kjo; Jo se e desha Cezarin më pak, po se e desha Romën më tepër. A do të donit më mirë të rronte Cezari dhe Ju të vdisnit robër që të gjithë, sesa të vdiste Cezari dhe të rronit të gjithë të lirë?

 

Qaj për Cezarin, se më donte; gëzohem se qe dorëmbarë; e nderoj, se qe trim; po e vrava, se qe ambicioz. I dhashë lot për dashurin’ e tij, gaz për mbarësin’ e tij, nder për trimërin’ e tij dhe vdekje për ambicien e tij. Kush është këtu aq i poshtër sa të dojë të jetë rob? Në pastë ndonjë, le të flasë; për atë kam bërë faj. Kush është këtu aq i humbur, sa të mos dojë të jetë Roman? Në pastë ndonjë, le të flasë; për atë kam bërë faj. Kush është këtu aq i lig, sa të mos dojë vendin e tij? Në pastë ndonjë, le të flasë; për atë kam bërë faj. Qëndroj dhe pres përgjigje.

 

 

Më 23 prill, në qytetin Stratford, Angli, vdiq Uilliam Shekspir, dramaturg – kjo është e dokumentuar. Por, dita e saktë e lindjes së tij nuk dihet. Në regjistrin e kishës në Stratford, thuhet se Shekspriri u pagëzua më 26 prill 1564. Biografët mendojne se pagëzimi, zakonisht kryhet 3 ditë pas lindjes – dhe arrijnë ne përfundimin, se shkrimtari i madh ka shumë të ngjarë të ketë lindur gjithashtu, më 23 prill (1564). Ati i Uilliamit, John Shekspir, ishte tregtar i suksesshëm, por më pas u ndesh me vështirësi financiare dhe u varfërua.

 

Pak dihet për rininë e Shekspirit – thuhet, se ai iku nga Stantfordi pas disa problemeve me ligjin. Por, është fakt çka thotë Ben Xhonson se “Shekspiri dinte pak latinisht, më pak greqisht, por njihte mirë komeditë romake, historinë e lashtë dhe mitologjinë klasike”. Në vitin 1592, Shekspiri shfaqet në Londër si dramaturg i suksesshëm. Ai u kthye në Stratford, më 1613, ku bëri një jetë të rehatshme, megjithëse kurrë nuk u shqua për pasuri.

 

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!