MENU
klinika

Si përfiton pala shqiptare nga vizita e Papës

Shqiptarët bashkë kanë në dorë Maqedoninë e Veriut

28.04.2019 - 19:19

Nga Mentor Nazarko

Zgjedhjet presidenciale maqedonase ofruan një pamje e cila mund të interpretohet në shumë mënyra. Rezultate të cilat mund të kënaqin apo hidhërojnë secilën prej palëve që ishin aktive në këtë proces. Garuan tre profesorë universitarë të cilët kanë historinë e tyre personale apo partiake. Dy kandidatët maqedonas, Siljanovska dhe Pendarovski morën numër votash pothuajse të barabartë. Kandidati shqiptar, mori numër votash i cili interpretohet herë si i barabartë me atë të partive të opozitës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Besa, herë se ka marrë më pak, herë se ka marrë më shumë. Ky rezultat nuk i shërben aq shumë atij sesa partive që e mbështetën.

Dhe kështu, kaluam sipas formulës kushtetuese, kodit zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në raundin e dytë i cili do të mbahet një javë më vonë. Mbi këtë votim qëndron si kërcënim arritja e censusit, i cili në kushtetutë është 50% ndërsa në Kodin zgjedhor është 40%. Paradoks maqedonas.

mentor nazarko-konica.al

Rezultati me disa pamje njëkohësisht krijon mundësinë e bashkëpunimit midis palëve politike të cilat do të afrohen, duke përmbushur një proces reformash në të cilat ka hyrë ky shtet delikat, i rëndësishëm, i cili gjendet në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme botërore, strategjike për të cilën flitet prej qindra vjetësh.

Në këtë mënyrë, është e dobishme të analizohen se cilët do të ishin disa prej skenarëve të bashkëpunimit.

Skenarët e bashkëpunimit-tryeza shqiptare

Është krejt e qartë se faktori shqiptar i bashkuar, mund të luajë rol përcaktues në raundin e dytë, në të cilin dy kandidatët, ndonëse ai i mbështetur nga kryeministri Zaev, ka 5000 vota më shumë. Gjithë problemi është se shqiptarët janë të përçarë në dy grupe: në një grup lidhur me BDI-në, një pjesë e lidhur me opozitën, mbrapa profesor Rekës, një figurë, në një kuptim, mbi palët, ndonëse fushata e tij ishte e shënjuar nga një retorikë e agresive dhe kritike ndaj partisë shqiptare në pushtet.

Pra, është krejt e qartë se për të optimizuar dhe për të bërë sa më ndikues votën shqiptare, duhet një bashkim i kësaj vote, i cili mund të arrihet përmes një tryeze të përbashkët të partive shqiptare.

Njëlloj, këto vota shqiptarët do të duhet që t’i imponojnë jo thjesht si kushtëzim ndaj presidentit Pendarovski, por ndaj kryeministrit Zaev. Presidentët në përgjithësi, nuk kanë zhvilluar kompetenca të mëdha, ndonëse Maqedonia e Veriut mund të quhet një Republikë gjysmë-Presidenciale për shkak se presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Kompetencat në letër janë më të kufizuara se sa ato të presidentit të Kosovës, apo të presidentit të Shqipërisë, dhe në këtë kuptim një marrëveshje eventuale nuk bëhet me kandidatët presidencialë, por bëhet me aktorin më të fuqishëm që qëndron pas tij, në rastin konkret, kryeministri Zaev.

Për më shumë, kryeministri Zaev është në një situatë që në përmbylljen e këtij procesi të zëvendësimit të hierarkisë institucionale, praktikisht shtie në dorë dhe kontrollon gjithë institucionet më të rëndësishme të vendit fqinj. Ato sot kontrollohen pjesërisht nga ish kryeministri Gruevski, apo presidenti Ivanov, i cili vjen nga opozita e sotme, nga VMRO-ja dhe me gjasë apo pjesë të këtyre institucioneve kanë njerëz të opozitës si në shërbimet sekrete, apo ato të sigurisë, të Policisë, si dhe në ushtri.

Pra, shqiptarët, të gjithë bashkë, duhet t’i ofrohen palës maqedonase, kryeministrit Zaev.

Zaev i fuqizuar dhe nga mbështetja ndërkombëtare, do dëshironte shumë që të mos kishte nevojë për shqiptarët, por sot është i detyruar. Ajo parti që përfaqëson vëllain më të madh të shqiptarëve, dalë nga një shtëpi, pra BDI dhe kryetari i saj duhet të thërrasë një tryezë të përbashkët të faktorit shqiptar. Vëllai më i madh i fal më të vegjëlit, dhe do të duhet që të tregojë vizionin, largëpamësinë, e një lëvizjeje prej së cilës shqiptarët mund të dalin fitues. Po ashtu Z. Ahmeti, do të duhet t’i afrohet atij që ishte kandidati shqiptar, z. Reka, me ofertën e zëvendëspresidentit në një proces që do kohën e vet megjithatë. Kjo ndërlidhet me faktin që Kushtetuta maqedonase nuk e parashikon figurën e zv.presidentit, dhe do të duhet të bëhen ndryshime në tekstin e saj që mundësohen edhe nëpërmjet votës së opozitës, por kjo mund të jetë diçka e tejkalueshme në një moment të dytë.

Çfarë kërkesash nga tryeza?

Nga kjo tryezë e përbashkët, duhet të dalë një sërë kërkesash drejtuar kryeministrit Zaev, mes të cilave dhe një vijimësi apo përmbyllje e reformave kushtetuese me sens hyrjen e një presidenti të ri me kompetenca më të fuqizuara në krye të shtetit maqedonas. Një reformë e tillë do të parashikonte figurën e zv.presidentit, duke reflektuar pikërisht bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni. Një zv.president shqiptar i zgjedhur eventualisht sipas formulës amerikane, dhe një president maqedonas, të dy nga populli, do të jepnin së bashku mesazhin e bashkëjetesës multietnike edhe gjatë fushatës. Kjo do të ishte një lëvizje në kahun e duhur për ta përmbyllur atë reformë kushtetuese e cila nisi me ndryshimin e emrit, por që do duhet të jetë më e gjerë se sa kaq. Një zv.President do të duhet që të kishte kompetenca që lidhen pikërisht me bashkëjetesën multietnike. Në kushtetutën maqedonase parashikohet një këshill me natyrë parlamentare për marrëdhëniet ndëretnike. Ky këshill do të duhet të kalonte brenda Presidencës, në mënyrë të tillë që, presidenti, një figurë “kukull” që vetëm propozon emërimet në Këshillin Gjyqësor, Këshillin e sigurisë, që jep dekorata, do të bëhet një figurë reale e bashkëjetesës multietnike. Në linjën e bashkëjetesës, fuqizimit të faktorit shqiptar në arsim, kulturë, vendimarrje, ka dhe kërkesa të tjera- Marrëveshja e Ohrit ende nuk është respektuar plotësisht.

Momenti që pala shqiptare ia imponon këtë avansim të vetin palës maqedonase është tani.

Kryeministri Zaev ka nevojë tani për votat e shqiptarëve. Më vonë, pasi të marrë Presidencën, nuk do t’i duhen aq shumë. Kështu që, forca negociale imponuese shqiptare është pikërisht tani.

Natyrisht ka një pikëpyetje e cila lidhet me atë se: nëse shqiptarët do t’i imponojnë LSDM-së, partisë së udhëhequr nga Zaev, kushtet që do t’i favorizojë shqiptarët, kjo do të mund që të krijonte pikë për kandidaten tjetër, e cila po luan kartën e rikthimit të emrit të dikurshëm, pra përdor kartën e nacionalizmit maqedonas.

Roli i Shqipërisë

Për këtë arsye ndoshta do të ishte e udhës që faktori shqiptar, bashkë me Shqipërinë, të valëvisnin në këtë fushatë, një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me faktorin shqiptar duke përfshirë dhe Republikën e Shqipërisë: një traktat miqësie apo partneriteti strategjik me Maqedoninë në të cilin Shqipëria do të duhet t’i ofronte Maqedonisë së Veriut lehtësira portuale, infrastrukturore, garanci të cilat do ta lehtësonin faktorin maqedonas, se Shqipëria nuk ka ndërmend që ta destabilizojë këtë vend, përkundrazi ka ndërmend që të hyjë në relacion strategjik afatgjatë. Me një rol të minimizuar për shkak të marrëveshjes së Maqedonisë së Veriut me Greqinë, Shqipëria duhet të tentojë të rifitojë rëndësinë e vet në vendin fqinjë dhe nesër do të jetë vonë. Rama mundet që sot në takimin e Berlinit të japë mesazhe në këtë drejtim, ashtu si dhe të shpikë diçka në këto pak ditë që mbeten, në funksion të afirmimit të miqësisë midis dy vendeve. Kjo do të mundësonte, që Shqipëria të shndërrohej tani në pak ditë që kanë ngelur, në një lloj faktori propagandistik, elektoral, në fushatën maqedonase.

Kjo do të bënte që roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të fuqizohej edhe më shumë, jo si një rol vëllezërish që janë grindur me njëri-tjetrin dhe tentojnë të bëjnë marrëveshje të dobëta me komshiun, por kompromise të mira -duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Është krejt e qartë, se kryeministri Zaev, është duke tentuar në mënyrë pragmatike që ta dobësojë faktorin shqiptar, duke preferuar që të ketë të bëjë jo me një parti si BDI-ja, por me shumë të tilla të vogla të cilat kanë sherre të mëdha me njëra-tjetrën. Por realizimi i tryezës do të bënte që Zaevi të ishte serioz në ofertën ndaj shqiptarëve. Kjo është një mundësi që krijohet jo për shkak të Presidencës, por për shkak se Zaev në rrugën e tij drejt përforcimit të autoritetit të vet brenda Maqedonisë, i duhet patjetër edhe ky institucion.

Për ta përmbyllur, kujtojmë edhe një moment tjetër, në datën 7-Maj, Maqedoninë e Veriut e viziton Papa Françesku, i cili sigurisht do të vizitojë vendin e Shën Terezës, dhe këtu faktori shqiptar do të duhet të imponohet gjithashtu që të fitojë dukshmëri në një aktivitet të tillë me rëndësi globale.

Nuk dihet çfarë është parashikuar në axhendë, por është krejt e qartë që Maqedonia e Veriut nëpërmjet kësaj vizite të Papës, fiton një rëndësi globale, dhe shqiptarët nuk duhet ta humbin rastin që të duken, t’i demonstrojnë botës, që Shën Tereza ishte dhe vinte nga kombi shqiptar. Nuk dihet se kur do vijë Papa në Maqedoninë e Veriut, që bota ta mbajë mend këtë, dhe në një operacion imazhi kaq të rëndësishëm, shqiptarët nuk mund të rrinë jashtë.

Analiza e shoqëruar me video: