Romani i fundit i autores së trilogjisë më të shitur në mbarë botën, “50 Shades of Grey” (50 hijet e Greit), E.L. James, ka ngjallur një debat të madh pas botimit, debat ku është përfshirë edhe diplomacia shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Personazhi kryesor në librin “The mister”, (“Misteri”) është një vajzë me origjinë nga Kukësi, e cila takohet me aristokratin miliarder Maksim Trevelian, që bie në dashuri me ‘virgjëreshën’ e bukur misterioze.
Pasi u kishte shpëtuar trafikantëve shqiptarë, ajo punonte si shërbyese në shtëpinë e aristokratit britanik. Romanca e tyre e zjarrtë, zhvillohet në Londër.
Alesia, përballet me presionin e të atit për të vënë kurorë me të fejuarin e saj, në fshatin e lindjes, në Kukës, ngase ai do që e bija të jetë një grua tradicionale shqiptare.
Nuk e ka kaluar në heshtje këtë “trill artistik”, as ambasadori shqiptar në Angli, Qirjako Qirko, i cili, sipas “Daily Mail”, e ka kritikuar ashpër shkrimtaren, për mënyrën e portretizimit të shqiptarëve në librin e saj.
Vajza nga Shqipëria, Alesia Demaçi, përshkruhet si një e femër e paditur që magjepset nga përdorimi i teknologjisë, smartfonëve apo kartave të kreditit, ndërsa shqiptarët e tjerë në këtë roman përshkruhen të gjithë si kriminelë të rrezikshëm dhe trafikantë femrash.
Ambasadori shqiptar thotë për “Daily Mail”, se kjo është e papranueshme dhe po ashtu, shumë larg realitetit shqiptar. Ai është shprehur po ashtu, se Shqipëria është një vend mëse i sigurt, si për të huajt edhe për vendasit.
– Më vjen keq, që ky roman me këto informacione, krijon një perceptim kaq negativ për vendin tim. Shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund të hasni në jetë – ka theksuar, ambasadori Qirko.
– Në Angli, jetojnë rreth 120 mijë shqiptarë dhe prej tyre, si kriminelë mund të cilësohen vetëm disa individë”- është shprehur ambasadori shqiptar, për mediet britanike. Libri ka ngjallur edhe indinjatën e kritikëve letrarë, ndërsa fansat prisnin me endje skenat erotike si në trilogjinë “50 shades of Grey”.
Libri i parë nga E.L. James, ishte fenomen global, pasi shiti mbi 100 milionë kopje. Romani i ri, i dyti, sipas kritikëve është pak a shumë e njëjta strukturë rrëfimi, që nuk sjell asgjë të re, veçse është më pak interesant se librat e mëparshëm.
“New York Times” në një interviste ekskluzive me E.L. James, shkruan se ajo e ka vizituar dy herë Shqipërinë, për të bërë kërkimet për romanin e ri “The Mister”, duke mbledhur libra që kanë të bëjnë me kodin e nderit dhe zakonet shqiptare, si dhe material mbi krimin e organizuar.
Sipas “New York Times”, romani është krejt ndryshe nga “50 hijet e Greit”, por nuk mungojnë skenat e detajuara intime, mes personazheve. Në fakt, nuk është hera e parë, që shqiptarët portretizohen si njerëz të dhunshëm dhe trafikantë të qenieve njerëzore.
Më herët edhe filmi hollivudian “Taken”, kishte në qendër të subjektit, vajzën e personazhit interpretuar nga Liam Neeson, të cilën e rrëmbejnë disa tropojanë.
Në të vërtetë, filmi “Taken” ashtu si romani i fundit i El James, konsiderohet tepër paragjykues për shqiptarët, të cilët portretizohen si kriminelë dhe si një shoqëri e prapambetur.