MENU
klinika

Ç'thonë rrënojat e bazilikës?

Sinagoga e Sarandës/ Si u shkatërrua kompleksi i rrallë?

28.04.2019 - 20:16

Kompleksi i Sinagogës të shek. V-VI ndodhet brenda kështjellës ne anën lindore të saj që në fazën përfundimtare, kompleksi i kultit hebraik transformohet në ndërtesë të kultit kristian: Bazilike paleokristiane.

Interes ka dyshemeja me mozaik që ka një shandan shtatë krahësh menorah mbi një të zbukuruar me motive gjeometrike dhe floreale.

Ai përfshinte gjithashtu nje etrog (qitro pa shije por me aromë) së bashku me një shofar (briri i dashit) që të dy janë simbole të rëndësishme hebraike që shoqërojnë zakonisht menoranë dhe janë përdorur gjatë festave fetare.

Elementët e simboleve hebraike në kontekst sinagogash janë shfaqur që në shek.IV m.kr në periudhën e hershme bizantine.

Ndërkohë, në pamjet e ofruara përmes fotove ju do të shikoni Bazilikë-Sinagogë të Sarandës të ndërtuar përgjatë shekujve IV-VI.

Rrënojat e bazilikës ndodhen në qendër të qytetit të Sarandës. Ky monument ndodhet brenda dhe shumë pranë murit rrethues lindor të antikitetit të vonë. Në kontekstin urbanistik dhe arkeologjik ku ndodhet ky kompleks i rrallë për periudhën, është shumë i rëndësishëm për të kuptuar organizimin e qendrës antike të Sarandës.

Gërmimet arkeologjike nisën në vitin 1979 dhe vazhduan në disa fushata përgjatë viteve 1980 nga arkeologu Kosta Lako, i cili zbuloi një monument kompleks me disa faza ndërtimi nga periudha romake në antikitetin e vonë, ku më e rëndësishmja ishte kthimi saj në një bazilikë paleokristiane. Gërmimet në këtë monument rinisën sërisht në vitin 2003 nga një projekt i përbashkët shqiptaro-izraelit nga arkeologët Gideon Foerster, Kosta Lako, Etleva Nallbani, Ehud Netzer, si dhe me bashkëpunimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës me pjesëmarrjen e Agron Islamit.

Këto gërmime sqaruan se bazilika paleokristiane e gërmuar nga Kosta Lako, përbën fazën përfundimtare të transformimit të kompleksit të kultit hebraik në ndërtesë të kultit kristian. Ky transformim nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë ndryshimi të dhunshëm.

Sipas arkeologëve, komuniteti që përdorte kompleksin hebraik ose është konvertuar në fenë kristiane, ose një komunitet tjetër kristian i ka zënë vendin atij hebraik.

Ambientet që i përkasin sinagogës më të hershme, janë një dhomë në formë L-je me menorah në dysheme, rezervuari i ujit (B), pjesa në lindje të dhomës me menorah, si dhe ambienti me mozaik që zë gjysmën perëndimore të nefit qëndror.

Në një fazë tjetër, me sa duket po i njëjti komunitet që përdorte këto ambiente, vendos të ndërtojë një sallë lutje shumë më të madhe të dekoruar me simbole biblike.

Kompleksi hebraik ka qenë në funksion për një periudhë prej 100 deri 200 vjetësh, përpara se të konvertohej në kishë.

Duket se i gjithë kompleksi është shkatërruar nga një zjarr i fuqishëm, i lidhur me sulmet e sllavëve gjatë ardhjes në Peloponez në çerekun e fundit të shekullit VI.