Një shesh në një vend të Lindjes/me flamuj”. Me këto pak fjalë një strofë e grupit ”Pooh”, rrëfen për një vend dhe për atmosferën. Në fakt, shumë vende dhe shumë atmosferë europiano-lindore.
Si sheshi ”Skënderbej” në Tiranë, me statujën kalorsiake të heroit kombëtar dhe flamurin e kuq me shqiponjën që valëvitet. I fillojmë që këtu, 48 orët tona në kryeqytetin e Shqipërisë, shkruan Luigi Grassia për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”, në një përshkrim të gjatë për Tiranën.
Dita e parë, mëngjesi: Megjithëse shqiptarët e sotëm janë në shumicë myslimanë (por, pak praktikantë), ata festojnë me krenari kujtimin e Skënderbeut, i cili iu kundërvu turqve, domethënë popullit që donte të islamizonte vendin. Është e qartë që (në këtë rast) kombi vjen para besimit. Statuja e heroit mbi kalë është qendra e sheshit, ku ndodhen edhe disa nga ndërtesat dhe monumentet më të rëndësishme të Tiranës. Sa për fillim ka disa ndërtesa që rrethojnë supet dhe krahët e Skënderbeut – bashkia dhe disa ministri – që edhe pse nuk janë interesante në mjediset e tyre të brendshme, dallohen nga jashtë për ngjyrat okër dhe vishnje të një tonaliteti elegant. Ndërkohë, Pallati i Kulturës, që ka brenda edhe Teatrin e Operas, ka një stil anonim të realizmit socialist dhe edhe pak fashist. Në kontrast të fortë, me ngjyra ekstravagante, por edhe me një ndjesi të këndshme, gati-gati meksikane apo latinoamerikane, paraqitet Muzeu Kombëtar, me një mozaik të pamatë dhe të gjallë që shfaq një numër personazhesh, sintezë e gjithë përvojës shqiptare. Në brendësi, ky muze ka një pasuri të madhe objektesh.
Pasditja: Në sheshin ”Skënderbej” ndodhet edhe Xhamia e Et’hem Beut, që është e vogël por shumë e bukur dhe që përfaqëson edhe disa karakteristike të veçanta, pasi dëshmon se Islami shqiptar është unik; për shembull, dekoracionet e brendshme nuk janë vetëm arabeskat e zakonshme (të bukura), por janë edhe pikturat me peizazhe që nuk janë pjesë e traditës. Hyrja në xhami është e lirë për të gjithë, edhe për ata që nuk janë myslimanë, me detyrimin që burrat mund të rrinë vetëm në hapësirën e gjerë kryesore, në katin e parë (nuk dimë si ta përcaktojmë ndryshe) dhe gratë vetëm në lozhë. Në teori. Sepse, nëse kërkojnë leje, mund të zbresin edhe ato. Ndërkohë, burrat nuk mund të ngjiten në lozhë. Apo të paktën kështu duket. Ndoshta rregullat janë pak a shumë liberale në varësi të ditës apo të njerëzve që takohen. Megjithatë, këshilla është që të respektoni traditat dhe të mos e prishni atë bukuri duke u përfshirë (në italisht) në diskutime të padobishme.
Pranë xhamisë ndodhet Kulla e Sahatit, që për të thënë të vërtetën, e parë nga jashtë nuk është ndonjë gjë kushedi çfarë, por mund të ngjitesh në majë të saj prej ku duket një panoramë e bukur e sheshit ”Skënderbej” dhe e kryeqytetit; e këshilluar sidomos kur dielli i afrohet perëndimit (natyrisht që përbën problem nëse të gjithë ngjiten në këtë moment atje). Për t’u vonuar dhe për të pritur orën e duhur mund të shëtisni në zonën e gjelbër pas sheshit ”Skënderbej”: aty ndodhen parku ”Rinia”, ku ndodhen tavolinat e barit më të vlerësuar të Tiranës, dhe në afërsi të Piramidës, e destinuar fillimisht si një mauzole për diktatorin Enver Hoxha, si të ishte një faraon. Pasi “numri një” vdiq dhe komunizmi ra, Hoxha nuk dukej kaq i denjë për një respekt të tillë. Në një artikull të mëparshshëm për Tiranën, kemi përmendur shqiptimin e rrokjes ”xha”, që tingëllon si ”gia”. Në Shqipëri, Hoxha është një mbiemër shumë i zakonshëm, që i italianizuar bëhet ”Oxa”, ashtu si këngëtarja Anna Oxa, e cila në fakt është me origjinë shqiptare. Edhe rrënjët e Bettino Craxi-t ishin në Shqipëri.
Mbrëmja: Meqenëse cituam Enver Hoxhën, për darkë dhe për pasdarke mund të kemi si objektiv’ Bllokun’, që në kohën e diktaturës ishte i rezervuar për elitën politike të Partisë së Punës, ndërkohë që tani është një nga zonat më në modë të Tiranës, plot me restorante, bare dhe lokale. Nëse nuk arritët të shihnit perëndimin nga Kulla e Sahatit, atëherë, ndërkohë që jeni në Bllok, patjetër që do t’ia arrini kësaj në “Sky Toëer”, që ka një bar me një pamje 360 gradë mbi qytet.
Dita e dytë, mëngjesi: Pranojmë që nuk kemi pasion për tregjet, por duke marrë në konsideratë që ato janë një ”detyrim” për pjesën më të madhe të turistëve, atëherë ju sinjalizojmë se për të filluar ditën e dytë në Tiranë, duhet të vizitoni në pazarin, apo për ta thënë ashtu si banorët lokalë ”Pazarin e ri”. Mund edhe të drekoni me çmime të volitshme, ndërkohë që e veçanta aty është se ka shumë peshk.
Pasditja: Tirana ka dy katedrale, atë katolike të Shën Palit dhe atë ortodokse të Ringjalljes së Krishtit. Të dyja ndodhen në jug të sheshit ”Skënderbej”, por nëse dëshironi t’i vizitoni është më mirë që fillimisht të shkoni në katedralen e Shën Palit, pak më larg dhe pastaj t’i drejtoheni asaj të Ringjalljes, që ka epërsinë e të qenit më pranë zonës që këshillojmë për mbrëmjen e dytë. Pranë Katedrales Ortodokse është një muze që na pëlqeu shumë: ka një emër poetik ”Shtëpia e gjetheve”, por në të vërtetë është Muzeu i Shërbimeve Sekrete dhe si ky, ka edhe në vende të tjera ish-komuniste – kemi gjetur shembuj, që kanë pasuri të madhe dokumentesh, mbi të gjitha në Estoni, Letoni dhe Lituani. Në rastin e Tiranës, ndërtesa ku ndodhet muzeu ka qenë godina jo vetëm e spiunëve të regjimit komunist, por edhe gjatë pushtimit nazist, e Gestapos. Tani, atje gjenden dëshmi të çdo lloj abuzimi të së kaluarës.
Mbrëmja: Mbrëmjen e dytë mund të darkoni në një vend në Tiranë, që ka një emër ekstravagant: është Kompleksi Tajvan, i quajtur kështu pasi Kina nacionaliste, shumë kohë më parë, i dhuroi kryeqytetit shqiptar sisteme lojërash uji që zbukurojnë shatërvanin e madh të kësaj zone të Tiranës. Ky është një koncentrat i asaj që mund të ofrojë Tirana. Por, Shqipëria është e gjitha e bukur, në mënyrë të mahnitshme e bukur dhe duke qenë e vogël, ndodhet e gjitha në një dorë: Durrësi (në det) është gjysmë ore me makinë, Shkodra dhe Vlora, për dy orë. Plazhet po ashtu, janë të shkëlqyera në Shqipëri.