MENU
klinika

Kushtet e tregut ushqimor

Tregtarët e Shkodrës: Do shesim para Bashkisë!

07.04.2019 - 12:21

Një vit më parë, bashkia e Shkodrës nisi rikonstruksionin e tregut ushqimor të Rusit, me qëllimin që të përmirësoheshin kushtet e tregtimit dhe ambientet e brendshme.

Sot, disa prej tregtarëve janë rikthyer në tregun e ri, duke paguar taksën vjetore, por dhjetëra të tjerë, kryesisht nga fshatrat e Shkodrës, nuk kanë gjetur ambiente.

Çile Vukaj, nga njësia administrative Guri i Zi, tregon vështirësitë e saj për të tregtuar produktet që mbjell në tokën e saj në fshat. Jo çdo ditë ka prodhime për të shitur, prandaj kërkon që të paguajë taksë ditore, ashtu siç pati premtuar kryebashkiakja Ademi në fillim të investimit.

Ndërkaq Nexhmije Islami, nga fshatrat e Gurit të Zi, thotë se kjo është mënyra e vetme për të siguruar bukën e gojës e madje duke sakrifikuar edhe qumështin e fëmijëve për ta shitur.

Tregtaret ankohen se kryebashkiakja Voltana Ademi nuk ka mbajtur premtimin për krijimin e hapësirave për shitësit ditorë dhe nuk mund të paguajnë të gjithë tarifën vjetore.

Nëse Bashkia nuk gjen zgjidhje, atëherë dhjetëra tregtarë kanë kërcënuar se të hënën produktet e tyre do të dalin t’i shesin përpara godinës së bashkisë.