Më 25 janar 1925, Kuvendi Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.
Me fillimin e vitit 1925, nisën edhe një sërë zhvillimesh për ekonominë shqiptare, pozitive, por edhe negative. Filluan iniciativat për të organizuar shoqëri aksionere në fushën e industrisë, ndërtimit, transportit. Po në këtë vit u krijua monedha e parë shqiptare (franga ar shqiptare). Futja e kapitalit të huaj u bë politika zyrtare e qeverive të Zogut. Dhënien e koncesioneve e kapitalit të huaj e përdori edhe si mjet për sigurimin e të ardhurave për shtetin, në formën e huave e të rentës, që më vonë u përllogarit si mënyra më e domosdoshme për daljen nga kriza ekonomike.
Në këtë kohë u krijuan 14 shoqëri të reja. Kapitali fillestar i tyre ishte 7.6 milionë franga ari, rreth 28% më shumë se kapitali i shoqërive të periudhës së viteve 1921-24.
Vetëm në vitin 1928, numri i ndërmarrjeve do arrinte në 127 dhe kapitali vendas do të ishte gjashtë herë më i madh se një vit më parë.
Pikërisht në këtë periudhë do të arrihej stabiliteti i pjesshëm i ekonomisë.
Karakteristikë kryesore e kësaj periudhe është lidhja e marrëveshjeve ndërmjet qeverisë së Tiranës me grupet financiare italiane për të investuar në vendin tonë. Kështu, në vitin 1925 ndërmjet qeverisë shqiptare të asaj kohe dhe grupit financiar italian u nënshkrua marrëveshja për huanë e SVEA-s ku 96,4% e saj u përdor nga Ministria e Punëve Botore për ndërtimin e rrugëve. Kjo gjë u bë jo vetëm për nevojat ekonomike të vendit, por që të krijoheshin kushte për depërtimin e kapitalit të huaj në vendin tonë.
Gjendja infrastrukturore ishte e mjerueshme. Rrugët shërbenin vetëm për kalimin e karrocave. Mungonin urat dhe nuk kishte transport automobilistik. Pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri erdhën 40 kamionë, që ecnin me shpejtësi 20-25 km/orë.
Për të rritur ritmet e ndërtimit të rrugëve, më 6 qershor 1927, Ministrisë së Punëve Botore ju hoq aktiviteti i punëve në bujqësi. Në vitin 1928, çifligjet zinin një sipërfaqe prej 200,000 hektarësh, nga të cilat 100,000 ishin private. Berati ishte qyteti me sipërfaqen më të madhe të çifligjeve, rreth 36,000.
Në këtë kohë, familjet më të rëndësishme të vendit ishin ato të Shefqet Vërlacit, Ibrahim Pashës, Dervish bej Biçokut, Toptanasit, Vrionasit etj.
Çifligu i Divjakës, Karavastasë dhe një tjetër iu dhuruan Zogut. Në vitin 1926, numri i automjeteve arriti në 150. Transporti detar, ajror dhe posta, realizoheshin kryesisht nga shoqëritë e huaja, e në veçanti ato italiane. Tregtia ishte fusha kryesore e ekonomisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe u rrit qarkullimi i mallrave. Kryesisht eksportoheshin lëndë të para bujqësore dhe blegtorale.
Shumë kompani italiane, angleze, franceze e amerikane filluan të jenë të pranishme në tregun shqiptar dhe nëpërmjet sigurimit të marrëveshjeve koncesionare apo nëpërmjet investimeve direkte që nisën aktivitetin e tyre. I tillë ishte rasti i shoqërisë SISMA (Societa Italiana Sfrutamento Miniere Albania); shoqëria SEIA (Sociata Electrica Italo-Albanese); shoqëria ALBA (Azienda Lavori Boschi Albania); shoqëria EIAA (Ente Italiano Attivita Agraria); shoqëria SESA, që mori koncesionin e elektrikut në 7 qytete të Shqipërisë; shoqëria anglo-persiane “Oil Kompani”; shoqëria amerikane “Standart Oil Kompani”; sindikata franko-shqiptare e vajgurit; shoqëria gjermane INAG për shfrytëzimin e pyjeve etj. Gjatë periudhës 1925-1926, 23% e territorit të Shqipërisë përfshihej në koncesionet e dhëna kapitalit të huaj nga qeveritë e Mbretit Zog. Kjo i dha një shtytje të mëtejshme ekonomisë së vendit, e cila njohu zhvillim,për momentin modest, por që do të ishte i evidentueshëm në periudhën 1925-1928.
Në vitin 1925 u krijua Banka Kombëtare Tregtare e Shqipërisë e cila iu dha me koncesion italianëve.
Po në këtë vit u krijua shoqëria SVEA (Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) e cila do t’i jepte Shqipërisë një hua me vlerë 50 milionë franga ari. Në vitin 1927, ky fond u llogarit në 65 milionë franga ari. Interesi vjetor i kësaj huaje ishte shumë i lartë 7.5% dhe duhej të shlyhej brenda 40 viteve. Garancia që shteti shqiptar duhet të jepte ishte 8.5 milionë franga ari ose rreth 24% e buxhetit të shtetit i periudhës 1925-26. Në këto kushte Italia fitoi pozita shumë të forta në Shqipëri. Banka Kombëtare Tregtare kishte kapital të parashikuar në vlerën 125 milionë franga ari. Në këtë bankë, shteti shqiptar kishte 49% të aksioneve, ndërsa Italia 51%. Gjatë periudhës 1925-28, shteti shqiptar rriti ndjeshëm edhe shpenzimet e tij.
Një tjetër aspekt që forcoi pozitat e Italisë ishte edhe traktati i Tregtisë së Lundrimit, i cili i dha këtij shteti statusin e “kombit më të favorizuar”. Kjo legalizoi monopolin italian në tregtinë e jashtme. Në periudhën 1925-1928 kapitali shqiptar zinte 7-8% të akumulimeve monetare, të përllogaritur përafërsisht.
Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua Komisioni Statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe Parlamenti më 30 gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme. Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoi: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”.
Ai u betua me këtë formulë betimi;
“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.
Po në vitin 1928, u miratua Statuti Themeltar, Kodi Civil, ai Tregtar, etj. U miratuan ligje për reformën agrare, heqjen e ferexhesë, etj. U hoq ligji islamik që u zëvendësua me Kodin Civil të mbështetur tek ai zviceran, siç kishte bërë dhe Mustafa Kemal Atatürk me Turqinë.
Mbreti Zog nxiti ndërtimet botore në vend, rritjen e mirëqenies, zhvillimin e tregtisë, balancim të bilanceve tregtare, shkollimin e brezit të ri, përgatitjen e inteligjencies në universitetet perëndimore, etj.
Në vitin 1929, e gjithë bota do të mbërthehej nga kriza e madhe e shkaktuar nga mbiprodhimi. Efekteve të saj nuk do t’i shpëtonte as Shqipëria. Ishte pikërisht ky viti kur u panë edhe shenjat e para të kësaj krize, kryesisht në sistemin monetar e financiar të vendit, por ato u bënë më të ndjeshme në vitin 1930. Kulmi i saj arriti në vitin 1934-‘35.
Industria pothuajse u paralizua tërësisht dhe shumë ndërmarrje të prodhimit të alkoolit, materialeve të ndërtimit, duhanit dhe cigareve, blojës dhe miellit, lëkurëve dhe këpucëve etj., u paralizuan apo falimentuan. Kriza preku thellë dhe gjithë sistemin e kreditit. Në këtë kohë, si pasojë e deficitit të vazhdueshëm buxhetor dhe vështirësive financiare që evidentoheshin në shumë fusha e sektorë të vendit, nga qeveritë e ndryshme shqiptare dhe Mbreti Zog I, u morën dhe shumë hua e kredi nga vendet perëndimore, por në pjesën dërrmuese nga Italia.
Në vitin 1931, bujqësia shqiptare u prek nga një thatësirë e madhe, e cila shkaktoi pasoja të rënda në furnizimin me bukë të popullsisë. Në vitin 1932, si pasojë e kësaj situate u importua rreth 33% më shumë grurë dhe misër.
Kriza e viteve ‘30-‘34 dallohet në shumë drejtime: përqindja e popullatës që jetonte me punë jobujqësore u reduktua nga 15.9% në vitin 1930, në 15.4% më 1938-n. Eksportet shqiptare u rritën nga 2 milionë franga ar, në 12 milionë mes viteve 1923 dhe vitit 1931, por ranë në dy vitet e mëpasshme në nivelin e vitit 1923. Gjendja e vështirë arriti kulmin në vitet 1935-‘36, kur qeveria u detyrua të shpërndajë ndihma ushqimore emergjente në zonat e varfra. Vendet që blinin mallrat shqiptare vendosën tarifë për importet e djathit, ndërsa tregjet tradicionale të gjalpit e leshit në Greqi e Turqi u përmbytën nga shitja nën kosto e ushqimeve nga Bashkimi Sovjetik. Kriza preku edhe blegtorinë e cila zinte 70% të eksportit total të vendit. Ndikim të ndjeshëm pati edhe vendosja e së ashtuquajturës “taksa e xhelepit”, e cila vendosej për kokë/bagëti. Në vitin 1933 shteti e uli me 50% këtë taksë.
Në vitin 1934, çmimi i shitjes së drithërave arriti nivelin më të ulët në rreth 7.5 franga ari. Në rënien e fortë të çmimeve, kryesisht atyre bujqësore dhe blegtorale, ndikuan edhe politikat monetare dhe kreditimi i Bankës Kombëtare Tregtare.
Në vitet e krizës, banka e pakësoi sasinë e monedhës në qarkullim dhe thelloi deflacionin. Rriti artificialisht vlerën e frangës dhe bëri që produktet të kishin çmim më të ulët.
Në mesin e vitit ‘35, Shqipëria hyri në një fazë gjallërimi. Industria e rimori veten. Zogu krijoi disa lehtësi fiskale veçanërisht për fabrikën e çimentos, e cila u përjashtua nga taksat për tre vjet.
Gjatë viteve 1931-1936, kapitali i huaj, sidomos ai italian, i diktuan qeverive shqiptare përfundimin e një marrëveshjeje për bashkimin doganor. Ky bashkim, në atë kohë, do të përfshinte ekonominë shqiptare në sistemin e ekonomisë italiane dhe hapjen pa kufizim të kapitalit italian. Bashkimi Doganor do të godiste në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e borgjezisë shqiptare të sapokrijuar. Por, edhe buxheti i shtetit, do të privohej nga një burim i rëndësishëm i të ardhurave, siç ishin ato nga doganat. Në të njëjtën kohë u rrit edhe varësia e financave shqiptare nga ato italiane. Zogu formalisht e pranoi këtë marrëveshje, por kur vuri re këto defekte, më pas e refuzoi.
Në vitin 1938 u vu re një aktivizim i gjerë i kapitalit kombëtar në industri. Në këtë periudhë, numri i ndërmarrjeve arriti në 244, ndërsa numri i të punësuarve në 7,435.
U rrit prodhimi industrial, ndërsa bujqësia ishte në prapambetje. Në vitin 1938, sipërfaqja totale e tokës bujqësore llogaritej në 2,874 hektarë, rreth 39.5% e zinte prona shtetërore dhe private, ndërsa pronarët e vegjël zotëronin 60%.
Në Shqipëri prodhimi i drithërave nuk plotësonte nevojat. Prodhimi i grurit llogaritej në rreth 38,000 tonë, ndërsa ai i misrit në 143,000.
Pas krizës, prodhimi i kulturave industriale u rrit. Duhani zinte rreth 2,600 hektarë. Po kështu u rritën edhe drithërat frutore. Ishin mbjellë rreth 1.2 milionë rrënjë, rreth 100,000 rrënjë agrume, 41.5 milionë rrënjë vreshta, 1.6 milionë rrënjë ullinj.
Gjatë periudhës 1936-38 u vu re gjallërimi i ekonomisë. Tregtia arriti në 32.7 milionë franga ari, me rritje 65%. Eksporti u rrit me 61.5%, ndërsa importi me 67.3%.
Eksportet në vitin 1938 përfaqësonin 66.3% të nivelit të vitit 1928. Gjatë periudhës 1936-38 buxheti i shtetit pësoi rritje të ndjeshme.
Periudha e mbretërisë shqiptare u karakterizua nga rritja e numrit të ndërmarrjeve kapitaliste në fushën e punëve botore dhe në vitin 1939 ishin 36 ndërmarrje të industrisë së ndërtimit.
Gjatë periudhës 10-vjeçare 1929-1939 u ndërtuan 850 km rrugë kryesore, 456 km rrugë rurale, 4,062 ura të vogla me 10,250 ml dhe 76 ura të mëdha me 2,050 ml.
Rrugët automobilistike më të rëndësishme ishin Shkodër-Pukë, Ura e Matit-Peshkopi, Krujë-Burrel, Tiranë-Elbasan, Lushnjë-Mbrostar.
U ndërtuan disa ura prej betoni. Në vitin 1938, vlera e investimeve kapi shifrën 150 milionë lekë (lekë me çmimet e vitit 1961). Në prag të pushtimit fashist, Shqipëria kishte 300 kamionë, 20 autobusë, 200 vetura dhe kamionçina.
Gjatë vitit 1938, u transportuan 95,000 tonë mallra, barazi me 1 milion ton për kilometër. Po në këtë periudhë, qarkullimi i përgjithshëm i mallrave në tregtinë me pakicë arriti në 3,900,000,000 lekë të vjetra (me çmimet e vitit 1947).
Filloi ndërtimi i Portit të Durrësit. U kryhen punime në vepra mbajtëse, kanalet vaditëse etj, të cilat u ndërprenë nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore 1939-1944.
Gjatë periudhës ‘39-‘43, Italia llogariti në Shqipëri fitime në vlerën 141,728,184 franga shqiptare. Me kapitullimin e Italisë sasia e bankënotave arriti në 205,000,000 franga ari shqiptar.
Për rregullimin e shërbimit doganor, pas vitit 1920, nisi funksionimi i zyrave të veçanta si në Vlorë (Drejtori doganash), Korçë (Drejtori e Oktrovës), në Shkodër dhe Lezhë me Kryedrejtori doganash. Kjo e fundit, në vitin 1920, u transferua në Durrës dhe më pas në Tiranë. Ajo kryedrejtori doganore që kryesohej nga Ahmet Boriçi dhe funksiononte e pavarur nga Ministria e Financave, u suprimua në vitin 1923. Nga viti 1920, kur në fuqi erdhi qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës e deri në vitin 1934 (kohë në të cilën është bërë studimi i autorit Haxhi Shkoza), administrata kombëtare shqiptare, krahas zhvillimit të të gjitha aktiviteteve të saj në degë të ndryshme të ekonomisë, u mor edhe me organizmin e sistemit doganor. Si fillim u hartuan dispozita të veçanta mbi eksportet e drithërave e të tjera produkte të prodhimeve vendase, gjë të cilat bëheshin herë me vendime të Këshillit të Ministrave dhe herë me dekret e ligje të posaçme të nxjerra nga qeveria (në raste kur vendi kishte nevojë për bukë për shkak të mungesës së drithërave). Por kur prodhimet ishin të mbara dhe plotësoheshin të gjitha nevojat e vendit, bujqit ua shisnin tregtarëve drithërat dhe këta i eksportonin jashtë ato. Nga viti 1912 e deri në 1939-n, legjislacioni doganor shqiptar erdhi duke u përmirësuar vazhdimisht, duke arritur shtetet më të përparuara të Perëndimit. Kjo bëri që në atë kohë tregtia e vendit tonë me shtetet e huaja të merrte një rritje të paparë ndonjëherë. Kjo gjë vazhdoi edhe në vitet e luftës 1939-1944, pasi Italia, për qëllime propagandistike, e liberalizoi tregtinë me Shqipërinë, duke bërë të mundur që drejt vendit tonë të vërshonin mallra me shumicë. Si rezultat, edhe sot e kësaj dite mbahet mend shprehja: “Bollëk si në kohë të Italisë”.
Por e gjitha kjo do ndërpritej nga pushtimi fashist i Shqipërisë dhe largimi i detyruar i Mbretit Zog nga atdheu, shëmbull i ndjekur nga Mbretërit dhe udhëheqësit e shteteve të vogla, si psh Mbretëresha Wilhelmina e Holandës, Dukeshz e Madhe e Luksemburgut Charlotte, Mbreti Haakon VII i Norvegjisë, etj, të cilët nuk mund ti rezistonin sulmeve te ushtrive gjigande te boshtit nazi-fashist, dhe një veprim i kundërt çonte në qindra mijëra numrin e viktimave dhe shkatërrimin e vendeve respektive të rindërtuara me shumë sakrifica pas mbarimit të Luftës së Parë botërore.
Ministri i punëve të Jashtme të Italisë fashiste, konti Çiano (Galeazzo Ciano), shkruan në “Ditarin” e tij më 23 mars 1939. “Duçja vendos të shpejtojë kohën për çështjen shqiptare dhe vetë harton një projektmarrëveshje shumë të shkurtër, me tre artikuj të thatë. Projekti ka më shumë formën e një dekreti se sa të një pakti ndërkombëtar. Po përgatis edhe unë një… Është një akord që, duke ruajtur format, pranon një aneksim efektiv të Shqipërisë. Duçja e miratoi. Ose Zogu pranon kushtet e parashtruara prej nesh, ose ne ndërmarrim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim po mobilizojmë e përqendrojmë në Puglia katër regjimente bersalierësh, një divizion fanterie, reparte ajrore dhe gjithë skuadrën e pare”
Më 26 mars 1939, zarfi sekret me projektmarrëveshjen e “aneksimit efektiv” të Shqipërisë ndodhej mbi tavolinën e mbretit Zog. Me këtë rast, biografi anglez Jason Tomes shkruan: “Mbreti Zog qëndroi i vetëm për orë të tëra në zyrën e tij të tymosur, duke e lexuar e rilexuar projektmarrëveshjen, tek thithte nikotinë e rrufiste kafe. Qetësia thyhej vetëm nga përplasja e fortë e shiut në dritaret.
Duçja kishte 14 vjet që punonte, duke filluar me Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe huanë SVEA (1925), Paktin I (1926) dhe II të Tiranës (1927); marrëveshjet ushtarake në prag të hipjes së Zogut në fronin mbretëror dhe, së fundi, 17 marrëveshjet zyrtare të 19 marsit 1936.
Sipas përllogaritjeve të studiuesit italian, Gayda Virginio, në librin “Che cosa vuole l’Italia” (1940), nga vitit 1925 deri më 7 prill 1939, Italia kishte shpenzuar në Shqipëri mbi 1 miliard e 837 milionë lireta. Duke komentuar bilancin e këtyre parave të shpenzuara në Shqipëri, kolonel Faik Quku dëshmon: “Kur Zogu erdhi në fuqi, në vitin 1924, gjeti nji Shqipni të vorfën, por me nji ekonomi të paprekur; me nji financë pa asnji borxh, nji shtet të pavarun politikisht e me nji funksion me të vërtetë ekuilibrues në Ballkan e Adriatik; me nji administratë të ndershme shembullore, me nji demokraci në fillim, por në zhvillim e sipër; me nji popullsi, që me sakrifica të mëdha kundër nji bote, kishte mujtë me imponue pavarsinë e vet e për këtë ishte kryenaltë e entuziaste”.
Në ato ditë përcaktuese për fatin e Monarkisë Shqiptare, mbreti Zog u gjend në udhëkryqin më të madh të jetës së tij. Udha e parë e ftonte të vazhdonte bashkëpunimin e nisur 14 vjetë më parë me Benito Musolinin dhe të sanksionuar me Paktin 20-vjeçar të “Aleancës Mbrojtëse” (1927), si dhe 17 marrëveshjet e marsit 1936. Ndonëse mbreti Zog ishte i lidhur me njëmijë fije të dukshme e të padukshme me Italinë e Musolinit, ai gjithsesi nuk pranoi ta vazhdonte më tej bashkëpunimin me të. Në fakt, përfundimi i luftës vërtetoi se në këtë pikë qëndrimi i Zogut qe i drejtë, pasi mbretërit e Belgjikës, Rumanisë, Bullgarisë e Jugosllavisë, të cilët nënshkruan dhe bashkëpunuan me forcat e Boshtit Romë-Berlin-Tokio, i humbën përfundimisht fronet e tyre mbretërorë.
Ndërgjegjja kombëtare dhe zërat e demonstruesve të kryeqytetit që ishin grumbulluar përpara kangjellave të pallatit të tij i bënin thirrje mbretit Zog të “mbathte opingat” dhe të vihej në krye të qëndresës së armatosur të popullit shqiptar. Në një takim të fundit me përfaqësuesin e ‘Foreign Office’, Sir Thomas Hohle dhe Ministri Britanik i akredituar në Tiranë, Sir Andre Ryan, vërtetojnë se Zogu u kishte deklaruar: “Ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë cenimin e tokës sonë, që ta marrë vesh e gjithë bota e qytetëruar, me atë fuqi që kemi”.
Megjithatë, kur trupat fashiste italiane filluan zbarkimin e tyre në bregdetin shqiptar, mbreti Zog nuk e pa të udhës të udhëhiqte rezistencën e popullit shqiptar kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, duke vlerësuar fuqitë e dy ushtrive. Vetëm katër orë përpara mbarimit të ultimatumit që i kishte dërguar Duçja, mbreti Zog thirri në rezidencën mbretërore vetëm Kryesinë e Parlamentit dhe anëtarët e qeverisë. Po a kish shanse Shqipëria me 800 mijë banorë t’i rezistonte Italisë, që vetëm ushtarë kishte 8 milionë?” Dhe, po aty do jepej përgjigjia: “Lufta nën udhëheqjen e mbretit Zog mund të fillojë, por do të kish viktima njerëzore e dëme materiale të pa llogaritshme.”
Për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të Oborrit Mbretëror, Mbreti Zog vendos të tërheqë pasurinë e tij përsonale nga Banka Kombëtare e ta transferojë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai mori me vete 183 kg flori.
Kjo shumë është vërtetuar vite më vonë nëpërmjet dokumentave të kohës.Sipas dokumenteve te kohës, Ministri i Financave Kole Thaçi, ka tërhequr shumën ekzakte prej 448.535 franga ari, të cilat i përkisnin llogarisë përsonale te Mbretit Zog. Shuma totale deri në largimin drejt Mbretërisë së Bashkuar, arrin ne 567 mijë franga ari, që përbënin 183 kg ar.
Ikja në Mbretërinë e Bashkuar dhe transportimi floririt, do trumbetoheshin me forcë nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës, si akte tradhtie kombëtare dhe grabitje e pasurisë shtetërore, teza që fatkeqësisht edhe sot pas kaq vitesh ku janë zbardhur të gjitha të vërtetat e dokumentuara, trumbetohen si të vërteta nga shumë politikanë, akademikë, shkrimtarucë e gazetarucë me ADN e përjetshme komuniste e fashiste.
Nga: Rozart Dani