MENU
klinika

Tatimet dhe doganat rrisin të ardhurat

Arka e shtetit, në tre muaj mblidhen 108 miliardë lekë

02.05.2019 - 12:52

Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat në tre muajt e parë të këtij viti arritën në rreth 108 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 2.6%.

Në raport me planin, financave u mungojnë 1.6 miliardë lekë për tre muajt e parë të vitit. Taksat që kanë pasur performancën më të ulët në periudhën janar-mars janë Tatimi mbli Vlerën e Shtuar dhe Taksa nacionale dhe të tjera.

Sipas të dhënave të publikuara sot të ardhurat nga Tatimi mbi vlerën e shtuar, që siguron gati një të tretën e të ardhurave në buxhet dhe që është një tregues direct i konsumit në ekonomi ranë me 3.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 32.4 miliardë lekë, dhe duke rezultuar 2.1 miliardë lekë më pak se plani.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se të ardhurat nga TVSH kanë rënë si nga tatimet (-14.9%) ashtu dhe nga doganat (-5.6%). Taksa nacionale dhe të tjera,kanë shënuar një ulje prej 13.3%, duke zbritur në 8 miliardë lekë. Financat kanë arritur të mbledhur nga ky zë, ku pjesën m ëtë madhe e zë renta minerare, 1 miliardë lekë më pak sesa plani.

Ndërkohë tatimi mbi fitimin,është taksa që shënaur rritje me 20% për periudhën janar-mars, duke arritur në vlerën 11.7 miliardë lekë. Gjithashtu rritje kanë shanuar të ardhurat nga pushteti vendor, ku efektin e dhatë taksat lokale, me një rritje prej gati 60%, ku ndikimin kryesor e jep taksa e infrastrukturës.

Ndërsa të ardhurat nga taksa e pronës ranë me 0.4%. Pushteti local nuk po arrin të mbledhë më shumë të ardhura nga kjo taksë, pavarësisht përpjekjeve përmes ndryshimit të formulës si mblidhet ajo, bazuar në vlerën e pronës. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore u rritën me 5.4%, në përputhje me planin.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave shpenzimet ranë me 2.7% për periudhën janar-mars 2019, në raport me tremujorin e 2018-s, duke zbritur në 104.4 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale, ranë me 13.7% në raport me janar-mars 2018, duke zbritur në 9.1 miliardë lekë. Në raport me planin, shpenzimet kapitale ishin 2.7 miliardë lekë më pak.

Deficit në tre muajt e parë të vitit ka rënë me 28.5%, në 3.6 miliardë lekë.