MENU
klinika

"Nëse drejtësia nuk vihet në vend, ne..."

7 vjet nga tragjedia e Himarës!

21.05.2019 - 20:23

Sot bëhen plot 7 vjet nga tragjedia e Himarës ku 13 persona humbën jetën pas një aksidenti gjatë udhëtimit drejt Sarandës.

Si pasojë gjetën vdekjen 11 studente të vitit të tretë dega Gjuhë-Letërsi, i fejuari i njërës prej të rejave, si dhe drejtuesi i autobusit, ndërsa mbetën të plagosura 22 studente të tjera.

Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite familjarët e viktimave kërkojnë që drejtësia të vihet në vend.

Sot 7 vjet pas kësaj tragjedie, e cila la një brengë të madhe në zemrat e familjarëve të viktimave, ende kërkohet drejtësia.

Pavarësisht se ka kanë kaluar vite prindërit e studentëve të ndjerë vijojnë luftën për të gjetur drejtësinë e munguar, e cila është një peng për ta.

Sipas tyre nëse drejtësia nuk vihet në vend, ata do ta vënë vetë atë.

“U bënë 7 vite, 7 vite, dhe vazhdon të thellohet mërzia, vazhdojmë të jemi në një gjendje ankthi. Tek e fundit drejtësia nuk po vjen, po vonohet. Në një ditë do ta gjejmë drejtësinë nëse shteti nuk do të veprojë ka forma të tjera shqiptari që të veprojë. Ne nuk prehemi dot të qetë pranë fëmijëve tanë, nëse drejtësia nuk vihet”, shprehet Hasan Stafa, babai i Dorinës.

“Sot 7 vite nuk u mor asnjë masë, asnjë masë për 13 jetët. Duam drejtësi, vetëm drejtësi”, shprehet mamaja e studentes së ndjerë.

E ëma e Eriola Xhoit, infermiere në spitalin e Elbasanit shprehet se ka shëruar shumë plagë pacientësh, por nuk ka mundur të shërojë dot plagët e saj.

“Po pse moj mam nga Llogaraja po dilni ju? Po më tha! Nuk e di pse më erdhi një ndjesi se do ju ndodhe diçka. E mora deri në Vlorë dhe nuk e mora më se më tha: Mos më merr se dua të shijoj udhëtimin. Ajo ishte telefonata e fundit. Ylli, Lola ti je e pa zëvendësueshme e pa krahasueshme, do të mbetesh gjithmonë Lola e mamit”, thotë mes lotësh nëna e Eriola Xhoit.

Mes lotëve e dhimbjes prindërit e Joana Debinjës përkujtojnë atë ditë të hidhur për ta.

“Nuk gjej dot fjalët, nuk mundem”...kaq arrin të thotë nëna, Elisabeta Debinja, që dhimbjen e ndjen si ditën e parë për humbjen e bijës së saj.

Jeta vazhdon për 22 studentet që i mbijetuan kësaj tragjedie, por asnjë prej tyre nuk dëshiron të flasë për atë ditë të hidhur, 21 majin e vitit 2012.

Për ngjarjen nuk pati asnjë në burg, pasi vetë shoferi i automjetit humbi jetën, dhe mbi të gjitha faji nuk kishte qenë i tij, por autobusi nuk kishte kryer asnjë kontroll.

Kërkesa e familjarëve të studentëve është që të vihet drejtësia në vend duke ndëshkuar drejtuesit e kompanisë së autobusit me të cilin u aksidentuan të afërmit e tyre.