Kryedemokrati Lulzim Basha ka qëndruar këtë pasdite në Vorë për të ftuar banorët atje në protestën e 25 Majit, më masivja siç tha dhe njëherësh vendimtare për fitoren e betejës së nisur prej opozitës.
Sipas tij, beteja e opozitës nuk bëhet për karrigen e tij, por për çlirimin e shqiptarëve nga qeveria Rama, e bërë njësh me krimin, siç u shpreh kryedemokrati.
Basha shtoi se zgjedhjet do të mund t’i bëjë vetëm qeveria tranzitore.
“Jam këtu për të sjellë stafetën e shpresës që po përcillet nga qyteti në qytet. E patë dje vërshimin historik në Durrës, e patë para dy ditësh Beratin, se si gjithë Shqipëria është në këmbë për betejën për liri dhe demokraci.
Jemi për një qëllim në një betejë pa kthim, jo për pushtetin dhe karrigen e Bashës nuk është betejë për pushtet, për parti, bëhet për ju vëllezër dhe motra , për qytetarët e thjeshtë. Ne kemi skarifikuar mandatet tona për t’ju çliruar juve nga qeveria e Ramës e bërë njësh me bandat e krimit”,- tha Basha.
Ndër të tjera, ai tha se demokratët nuk do të lejojnë zgjedhje e 30 qershorit.
“Rama tani bëhet gati që për hir të paktit të tij me krimin të asgjësojë demokracinë. Me një mesazh po i them se nuk do lejojmë më zgjedhje me krimin dhe me hajdutët, do ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Ramën kryeministër. Zgjedhjet do bëhen përmes qeverisë tranzitore dhe të zgjedhurit e shqiptarëve nuk do jenë më palë me krimin e bandat. Kjo është beteja jonë dhe në këtë betejë shqiptarët na janë bashkuar si kurrë më parë”,– tha Basha.
Sipas tij, “Sot Shqipëria është në udhëkryqin më të rrezikshëm në këto 20 vite. Dje Gjykata e Lartë u asgjësua, prej dy vitesh s’ka as Gjykatë Kushtetuese. S’ka asnjë institucion që kontrollonon pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës. Le ta marrë përgjigjen edhe sot nga Vora që ne nuk do lejojmë zgjedhje me krimin më 30 qershor.
Koha nuk pret. Në ditët e ardhme vendoset fati i Shqipërisë për 10 apo 15 vitetet e ardhshme. Në këtë betejë ne nuk ndahemi nga flamuri i partië, betejën e prin PD, por kjo bëhet për të gjithë, për të çliruar edhe socialistët e ndershëm, për të çliruar Shqipërinë nga një qeveri e bërë njësh me krimin, për të çliruar ekonominë dhe për t’i dhënë shanse çdo shqiptari të ketë mundësi të jetojë me dinjitet dhe jo me vjedhje, hajdutëri e servilizëm.
Kurrë nuk kemi qënë më të bashkuar dhe më të vendosur për ta çuar betejën tonë deri në fund”.