MENU
klinika

Takon anëtarët e Dhomës së Lordëve

Basha në Londër: Qeveria tranzitore zgjidh krizën!

19.05.2019 - 13:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër.

Në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri.

Pasi shprehu mirënjohjen e Britanisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, Basha theksoi qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Partisë Demokratike se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve të rajonit.

Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik.Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtesia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës”, u shpreh Basha.

Kryedemokati prezantoi programin e Partisë Demokratike, në veçanti, me masat që do të marrë përmes vetingut të politikanëve dhe goditjes me tolerancë zero të krimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale.

Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Për Partinë Demokratike është prioritet strategjik forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar jo vetëm në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit, por në veçanti, në fushën ekonomike dhe atë te investimeve britanike”, theksoi Basha.

Në darkë ishin të pranishëm edhe deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Williamson, anëtar i Parlamentit Britanik dhe lidershipit të Konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes.