Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë qëndrimit në Londër ka zhvilluar një takim me Komunitetin Shqiptar që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
Me thirrjet në sallë “Rama Ik”, krye demokrati tha se kjo qeveria ka marrë peng demokracinë e vendit.
“Në vijim të vizitës time në Parlamentin britanik dhe institucionet e qeverisë britanike, ndodhem sot në takimin më të bukur, në takimin me bashkëatdhetarët tanë, të cilët e kanë mbushur plot këtë sallë.
Janë mbledhur të lajmëruar në një kohë shumë të shkurtër, por nuk mungon entuziazmi dhe shpresa për ndryshimin që po vjen. Do të zhvillojmë një bashkëbisedim jo vetëm për takimet e mia në Londër, por edhe për të diskutuar problematikat dhe zgjidhjet për qytetarët tanë në emigracion”-tha Basha.
Ai tha se është e dhimbshme kur sheh se pas tridhjetë vitesh, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara për t’iu afruar Europës, ndërkohë shtoi se edhe Maqedonia e Veriut është para në procesin e hapjes së negociatave me BE.
“Po na parakalojnë të gjitha vendet njëra pas tjetrës, ka gjasa që të na kalojë edhe Maqedonia e Veriut.
Si ka mundësi që 3o vite kanë kaluar dhe akoma demokracia të vihet në pikëpyetje jo më nga një bllok i madh ushtarako politik, as nga një diktaturë instrumentesh si diktatura e Enver Hoxhës, por një grusht oligarkësh të bërë njësh me qeverinë.
Duke shkatërruar demokracinë, ky grup ka marrë peng institucionet dhe parlamentin”-shtoi Basha.