Europa e bashkuar që lodhet të gjejë një ideal të përbashkët, përveç euros, ka të njëjtin problem me atë të Italisë të vitit 1861: shumë ligje dhe tepër kompleksë që zgjerojnë përditë një hendek që nuk mund të mbushet midis popullit dhe elitave qeverisëse. Është kjo teza e Profesor Vito Tanzi, nga 1981 deri më 2000 Drejtor i Departamentit të Financës Publike të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i ftuar në Moskë që të prezantojë në X Forum Gaidar librin e tij të fundit, të titulluar “Termitë të shtetit. Pse kompleksiteto çon në pabarazi”.
Duke bashkuar rreptësinë e ekonomistit me kurershtjen pasionante të historianit, në veprat e tij – dhe në këtë intervistë – Tanzi ilustron me qartësi të njëjtë problemet qe frenojnë sot zhvillimin e shumë shteteve dhe gabimet e kryera gjatë bashkimit të Italisë. Faji, sa për të ndryshuar, është (thuajse gjithmonë) i politikanëve: sa të gatshëm që të shkruajnë ligje komplekse, aq edhe dorështrënguar që të sigurohen se është praktikisht e mundur të zbatohen ose të paktën t’u kuptohet përmbajtja. Gjithçka në avantazh të lobeve dhe pushteteve okulte, që insinuojnë të pashqetësuar deri në rrënjët e sistemit politik, duke e manovruar atë sipas qejfit të tyre.
Qeveri dhe tregje, si ndryshon roli i shtetit
Le të nisemi nga aktualiteti: në Itali është miratuar e ashtuquajtura “manovër e popullit” që përfshin shumë të diskutuarën të ardhur të qytetarisë. Ju qe si drejtues i FMN-së ju është dashur ta vlerësoni nga afër Italinë, çfarë mendoni për këtë manovër?
Reagimi im, duke e ndjekur Italinë prej 40 vitesh në FMN, nuk është shumë i favorshëm, pasi jam totalisht i bindur se problemi kryesor është borxhi publik, që krijon vazhdimisht pasiguri dhe taksa të larta për të mbuluar shpenzimet. Pavarësisht debatin lidhur me rreptësinë financiare, shpenzimet publike janë ende thuajse 50% e PPB-së italiane. Masat e manovrës mund të jenë pozitive në një situatë normale, por jo kur ka një deficit prej 3% dhe një borxh prej 130%. Në librin tim kam shkruar se në situate normale një masë si e ardhura e qytetarisë është edhe e justifikueshme, por në këtë situatë nuk jam dakord dhe besoj se kjo manovër do t’i krijojë vështirësi Italisë. E përsëris: jo pse masat e marra janë të gabuara në vetvete, por sepse situate makroekonomike nuk e lejon.
Ai mbi rolin e shtetit në aspektin ekonomik është një debat shekullor. Në agimet e epokës së shteteve kombëtare, tregohet se Colbert, Ministri francez i Financave nën Mbretin Diell, u kërkoi tregtarëve se cili duhej të ishte roli i shtetit dhe një farë Legendre ju përgjigj se ndihma më e mirë ishte që të qëndronte larg, duke i lënë të lirë që të bënin punët e tyre, domethënë të “nous laissez faire”. Deri në çfarë pike kishte të drejtë?
Kjo pikë është shumë e rëndësishme, nëqoftëse “laissez faire” do të thotë në lini të lirë në një treg që funksionon në mënyrë të përkryer, ku nuk ka lobe, asimetri informacioni, probleme korrupsioni, jam dakord. Por nëqoftëse “na lini të veprojmë” është një situatë në të cilën 1% posedon 25% të prodhimit total, në këtë rast shteti nuk mund të rrijë menjanë dhe duhet të ndërhyjë për të përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave dhe funksionimin e tregut. Shteti duhet të pengojë që disa njerëz të përfitojnë nga tregu i lirë për t’u pasuruar në kurriz të të tjerëve.
Francesco Ferrara, një prej ekonomistëve më të rëndësishëm e Italisë së ‘800, shkruan se përdorimi i tarifave për importet nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara ishte një mëkat i madh si skllavëria. Sot, sërish, Trump përdor tarifa kundër Kinës dhe Europa vazhdon të rinovojë sanksionet kundër Rusisë, që i kufizojnë fuqimisht shkëmbimet. Në vend që të gjendet një kompromis, për çfarë motivi mendohet menjëherë të dëmtohet ekonomikisht rivali yt, pa marrë në konsideratë dëmet e brendshme që shkaktojnë këto zgjedhje?
Për një politikan, situata më e mirë për problemet e tij është t’ua hedhë fajin të tjerëve. Shumë ia veshin fajin Rusisë, kurse, për shembull, italianët ia veshin fajin Bashkimit Europian: është i njëjti parim. Komisioni Europian nuk ka të bëjë aspak me problemet italiane, por italiani i thjeshtë është i bindur se sikur të mos ekzistonin këto pengesa, do të mund të shpenzonim më shumë pa vështirësi, të zhvlerësonim, të krijonim më shumë eksporte. Është gjithmonë më e lehtë t’u vishet faji të tjerëve, në vend që të pranohet se nuk janë bërë gjërat që duheshin bërë.
“Italica”, domethënë “Çfarë ka bërë vallë Garibaldi”?
Në një libër tjetër tuajin, “Italica — Bashkimi i vështirë midis idealeve dhe realitetit”, ju evidentoni gabimet e bashkimit të Italisë dhe hiqni një paralele interesante me ato që lidhen me gabimet e bashkimit të Europës. Le të provojmë t’i ripërshkojmë sëbashku: gabimi numër një, të kërkuarit për të krijuar një organizëm qendror, shumatore artificiale e entiteteve heterogjene shtetërore?
Në agimin e bashkimit, në Itali ekzistonin 7 shtete. Mbretëria e Napolit ekzistonte prej qindra vjetësh dhe mbreti i fundit, Françesku i II-të, ishte vetëm 23 vjeç, kurse nëna e tij ishte nga familja Savoia. Në një moment të caktuar ndodhi lëvizja e Mazzini, për të krijuar një Itali të bashkuar, por republikane, dhe të hiqej qafe mbreti. Papritmas ndërhyn Piemonte, që ishte një shtet realisht francez, me një familje mbretërore franceze, por duke qenë se nuk mund të zgjerohej drejt Francës, kishte idenë, pjesërisht të justifikuar, që të zgjerohej drejt Italisë Veriore, ku Lombardo – Veneto ishte praktikisht e pushtuar nga të huaj.
Çlirimi nga pushtimi i huaj është një prej pikave kryesore të narrativës rilindase. Megjithatë, në procesin që çoi në bashkimin e Italisë morën pjesë edhe fuqi të huaja. Kujt i vinte për shtat një Itali e bashkuar?
Papritmads vjen ky zotëri që quhet garibaldi dhe gjendet me tri anije të mëdha në Genova. Kush e ka financuar këtë ekspeditë? Qenë anije me mijëra njerëz në bord, që përfshinin mercenarë, për shembull hungarezë, kolonelë anglezë dhe deri të “ftuar” si turistë, midis të cilëve bashkëshortja e Crispi. Këto anije, të shoqëruara nga flota angleze, mbrrijnë në Siçili. Siçilia nuk ishte shumë e kënaqur që të ishte pjesë e Mbretërisë së Napolit, pasi deri më 1815 kishte qenë e pavarur, kështu që siçilianët nuk e kishin pranuar kurrë këtë situatë. Por Mbretëria e Napolit nuk kishte bërë asnjëherë luftë me askënd dhe kishte marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e botës, përfshi Piemonte, kështu që nuk kishte as edhe një ushtri të vërtetë e armiq të vërtetë, përjashto Anglinë, e cila kërkonte të monopolizonte pushtetin e saj në Mesdhe dhe e shikonte Mbretërinë e Napolit si pengesë.
Garibaldi, heroi i dy botëve, nuk ju duket shumë “simpatik”?
Ashtu si personazhet e tjera, Garibaldi kishte një marrëdhënie ambige me Italinë: kishte lindur në Nizza, më pas kishte jetuar në Amerikën e Jugut, ishte martuar me një revolucionare braziliane. Papritmas, ky zotëri zbarkon në Siçili dhe siçilianët e ndihmojnë. Nuk ishte i vetmi: Francesco Crispi nuk ishte katolik, Cavour kishte nënën protestante, e lindur në Zvicër.
Me pak fjalë, po thoni se bashkimi i Italisë ishte më mirë të mos bëhej?
Qe gabim jo edhe aq bashkimi, sesa mënyra sesi u bë: sikur Italia të ishte bërë republikane, me rregulla më pak të ngurta dhe një sistem federal — që për më tepër edhe ishte propozuar – do të kishte qenë më mirë. Piemonte i mesit të ‘800 ka një sistem mjaft të centralizuar, ku ka marrë të gjitha zakonet e shëmtuara franceze: për shembull, për të qenë lypës ishte e nevojshme që të kishe një çertifikatë të lëshuar nga komuna, që të jepte lejen të ishe i tillë dhe që të tregonte se në cilin cep të rrugës mund të kërkoje lëmoshë. Papritmas, në të gjitha vendet italiane gjenden administratorë piemontezë, që flasin një dialect që është gjysma frëngjisht dhe gjysma italisht, me gjithë ato rregulla absurde. Në jug ka një reagim popullor që quhet banditizëm, por që praktikisht është një luftë civile, e rënduar nga problematika të tjera. Përpara bashkimit, në Italinë jugore manastiret zinin 40% të trojeve dhe Kisha i përdorte për të bërë bamirësi. Pas bashkimit, shteti i shtetëzon këto troje. Edhe kjo kontribuon në rëndimin e luftës civile dhe në shkaktimin e dhjetëramijëra të vdekurve.
Shprehja e famshme “Tani që bëmë Italinë, le të bëjmë italianët” e Massimo D’Azeglio, në ditët tona tingëllon si “Tani që bëmë Europën, le të bëjmë europianët”?
Akoma sot, italianët nuk janë bërë kurrë. Dhe i njëjti problem, ndoshta edhe me të njëjtat gabime, ekziston me Bashkimin Europian. Ideja që nga sot nesër një njeri mund të shkojë në 27 shtete ka rezultuar tejet naïve. Shumë shtete kanë hyrë në këtë “klub” me idenë “të hyjmë, të marrim financime dhe kusurin pastaj e modifikojmë”.
Ky diskutim vlen edhe për Italinë, që megjithatë është një prej vendeve themeluese, qysh nga viti 1957, e Komunitetit Ekonomik Europian të atëhershëm?
Nëqoftëse flasim për Italinë, unë kam qenë president i komisionit që ka drejtuar hyrjen në euro në fundin e vitit 2001. Po ju them se jemi gjendur përballë një mali problemesh për t’u zgjidhur. Edhe të natyrës thellësisht praktike. Për shembull, nga nsot nesër kalohet nga lireta në euro: por si transportohen mijëra euro pa pasur probleme me mafien? Përjashto këtë, Italia ka pasur benefite të mëdha: nga sot nesër, përqindjet e interesit që Italia paguante për borxhin publik, që edhe atëhere ishte shumë i lartë, nga 13% kanë rënë në 5%. Megjithatë, në vend që të reduktoheshin shpenzimet publike, i kanë rritur duke menduar se përderisa nuk paguajmë më për borxhin, le t’i rrisim shpenzimet. Për këtë motiv dhanë dorëheqjen nga zëvendës i Tremonti. Është e vërtetë që rregullat nuk janë respektuar, por disa mund të ishin më fleksibël.
Paralelizmi i fundit midis dy “bashkimeve”: midis pasojave të proceseve të bashkimit është edhe një rritje e pabarazive ekonomike dhe, së fundi, shfaqja e një fenomeni tjetër, atij të emigracioneve.
Tek “Italica” i kushtoj një kapitull emigracioneve, pasi në kërkimet e mia kam gjetur një të dhënë tejet interesante: përpara bashkimit të Italisë emigrantët, që shkonin kryesisht në Argjentinë, Brazil Shtete të Bashkuara, ishin nga veriu. Qysh pas bashkimit, numri i emigrantëve nga jugu është rritur në mënrë të jashtëzakonshme. Kjo ka të bëjë me shumë probleme, si ato ekonomike dhe të tregut të punës, që vazhdojnë akoma sot. Ka shumë pengesa në Itali të cilat njerëzit nuk arrijnë t’i shohin më.
Ndoshta janë aq të mësuar sa nuk u bëjnë më përshtypje?
Ka një shembull që e përdor vazhdimisht për të shpjeguar sesi janë gjërat: unë jam në Shtetet e Bashkuara prej 60 vitesh dhe kam shkuar në komunë vetëm 2 herë: një herë kur jam martuar dhe herën tjetër kur më ka vdekur ime më, e cila ishte 96 vjeç. Në të vërtetë mbahej akoma mirë, por ka ndërruar jetë si pasojë e frakturave të pësuara nga një rrëzim, kështu që në komunë kam shkuar për të firmosur një dokument ku deklarohej se askush nuk e kishte shtyrë dhe se rrëzimi kishte ndodhur aksidentalisht. Në Itali kthehem çdo vit, në shtëpinë time në Mola të Puglia dhe çdo herë më duhet të shkoj 2 apo 3 herë në komunë për budallallëqe: këtë vit kam zbuluar se elektriciteti që paguajmë ishte akoma në emrin e timeti, që ka vdekur më 1982, një herë tjetër më është dashur të shkoj për të marrë kazanët e plehërave. Absurditet. Pengesa të vazhdueshme. Njerëzit që janë të aftë pas pak kohe u vjen në majë të hundës dhe ikin jashtë vendit. Që tregu i punës të punojë, nuk është vetëm problem pasurie, por edhe pengesash të krijuara nga shteti.
Parë nga Europa, edhe Shtetet e Bashkuara kanë problemet e tyre me emigracionin. Çfarë mendoni për murin e Trump?
Atë që mendoj për Trump është më mirë të mos e shkruani. Por duhet thënë se në Shtetet e Bashkuara ka një emigracion të veçantë: amerikanët nuk e lënë vendin e tyre, maksimumi spostohen drejt shteteve më të ngrohta pasi dalin në pension ose qytetarë që spostohen në një rreze prej 50 kilometrash nga shtëpia pasi ndryshojnë shtëpi ose punë. Por Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për njerëz: në to ndodh akoma që të udhëtosh për qindra kilometra pa parë një frymë njeriu apo shtëpi. Republikanët e kuptojnë se të huajt që vijnë pas pak kohe fitojnë shtetësinë, por ama votojnë për demokratët.
Lobe dhe politikanë, parazitët e shtetit
Libri juaj i fundit titullohet “Termitet e shtetit. Pse kompleksiteti çon në pabarazi”. Kujt i referoheni?
Termiteve: insekte sociale, parazitë që dëmtojnë duke qëndruar të padukshëm. Në arkitekturën e një shteti, termitet janë ligjet e shumta dhe koha që kalohet kur miratohen dhe kur japin efektet e tyre.
Pse asnjeri nuk e kupton?
Parë nga Shtetet e Bashkuara, problem është se këto ligje, njëlloj si termitet, janë shtuar dhe janë bërë mijëra. Faqe, faqe, faqe që kush i voton nuk begenis më as t’i lexojë, ndërsa në zyrën e tij ka asistentë të ndryshëm të influencuar nga lobet: i ftojnë nëpër darka, i mbulojnë me dhurata dhe nganjëherë një ndryshim i vogël termi, 3 – 4 fjalë shtesë krijojnë situata që vlejnë miliona dollarë. Ligjet janë të shkruara me një gjuhë që shumë njerëz nuk e kuptojnë, janë shumë të gjatë dhe nuk janë lexuar nga ata që i miratojnë dhe janë nën influencën e lobeve. Besoj se e njëjta gjë ndodh në kryeqytetet europiane.
Në këtë mënyrë krijohet një asimetri gjithnjë e më e madhe midis aksesit ndaj informacionit dhe influencës së ushtruar nga elitat ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. Si mund të “dezinfektohesh”?
Me një ide të vetme: thjeshtësi. Një aspekt për të cilin sa më shumë mendoj, aq më shumë bëhet një lloj obsesioni për mua. Kemi humbur thjeshtësinë si objektiv të politikës, ekonomike dhe jo vetëm. Kemi krijuar bindjen se është e nevojshme t’i bëjmë gjërat të komplikuara. Do të shkosh në Hënë? Mirë, por të shkosh ka shumë komplikacione. Ligjet nuk duhet të jenë të komlikuara. Do të zbatosh TVSH-në? Mjafton të thuash se TVSH-ja është në masën 10% për këtë kategori produktesh. Mjaftojnë 50 fjalë. Kurse në të vërtetë këto ligje kanë mijëra faqe, përjashtime, stërhollime që krijojnë mundësi për termitet që të futen në sistem dhe të abuzojnë me të. Shiko, në Shtetet e Bashkuara ka sot 90000 faqe me ligje dhe rregullime fiskale. Unë, që kam punuar në Fondin Monetar, kam shkruar 25 libra, kam dhënë mësim në Harvard, besoj se jam një njeri me një lloj përgatitjeje të caktuar në kë fushë. Megjithatë, i vetëm nuk arrij më ta përgatis deklaratën time e të ardhurave. Ndoshta edhe mund ta bëj, por do të më duhej një muaj.
Nuk besoni se debati mbi fake news është në realitet një tentativë nga ana e autoriteteve dominuese që të thonë: informohuni ku të doni, por lexoni atë që duam ne?
Kjo ka qenë diçka shumë e çuditshme në botë dhe për mua një zhgënjim i madh. Kur ka ardhur internet dhe shkëmbimi i lirë i informacioneve, si shumë sociologë, unë kisha menduar se kjo do të sillte më shumë demokraci dhe transparencë. Por nuk kemi kuptuar që interneti u ka hapur derën fake news: një njeri mund të hedhë në qarkullim një informacion totalisht të gabuar, që më pas qarkullon në pafundësi, me një efekt shumëfishues të shfrytëzuar me art nga grupe të caktuara që kanë interes ta bëjnë. Mendoja se më shumë akses në informacion dhe më shumë informacion do ta përmirësonin botën, por….
Në fakt bota vrapon me shpejtësi dhe ka vende që mezi arrijnë të ruajnë hapin. I kujt është faji?
Konkurrenca në nivel ndërkombëtar është si maratonë: nëqoftëse vrapon pak më ngadalë se të tjerët, për 100 metra kjo gjë nuk ka rëndësi, por më pas distanca bëhet e paarritshme. Nga 1945 deri më 1975, Italia është rritur me një ritëm prej 6% dhe ka kaluar nga një vend i varfër në një prej vendeve të G7-ës. E ardhura për frymë italiane arriti të jetë sa 80% e asaj amerikane. Pas vitit 1980, rritja ka zbritur deri në 2% deri në vitin 2000 dhe më pas nuk është rritur më.
Tani e ardhura mesatare për frymë e Italisë është më e ulët se 60% e asaj amerikane dhe Italia rrezikon të humbasë pozicionin e saj në G7. Kjo ndodh në shumë vende, edhe në Rusi: po ja thoja sot Rektorit të Universitetit RANEPA. Nga pikëpamja makroekonomike, Rusia është në një situatë pozitive: shpenzon thuajse sa Amerika, ka një shpërndarje më të mirë të ardhurash, një deficit thuajse zero, por po rritet me ngadalë. Një vend kaq i madh mund të bëjë shumë më tepër: në të vërtetë ka probleme rregullimesh, në disa sektorë ka influencë të tepruar të shtetit. Kthehemi në pikën e nisjes: një shtet që ndërhyn shumë, shpesh për arsye politike dhe jo ekonomike, krijon një efekt negative ndaj rritjes.
Rritje apo reçision: çfarë e pret Italinë më 2019?
Nëqoftëse Italia vazhdon të ecë në rrugën aktuale, nuk ka asnjë shpresë që ta marrë veten. Duhet një revolucion kulturor për të zgjedhur me saktësi atë që duhet të bëjë shteti: nuk mund të keshë njerës që për arsye populiste thonë “kemi premtuar këtë gjë, duhet ta bëjmë me çdo kusht”. Është bukur t’i ftosh njerëzit për darkë e t’u ofrosh kaviar, por nëse nuk ke para dhe të nesërmen ke më shumë borxhe se më parë, nuk mbetet shumë për të bërë.
(Vito Tanzi, vitlindja 1935, më 1967 ka marrë Ph.D në Ekonomi nga Harvard University dhe ka qenë Profesor i Ekonomisë në American University nga 1964 deri më 1974. Më pas, nga 1974 deri më 2000, ka punuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke mbuluar fillimisht postin e Shefit të Degës së Politikave Fiskale dhe më pas, nga 1981 deri më 2000, atë të Drejtorit të Departamentit të Financave Publike. Nga viti 2001 deri më 2003 ka qenë Nënsekretar i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e dytë Berlusconi.)