Senatori amerikan, James Risch, kreu i komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan deklaroi se brenda dy javëve të ardhshme, ka planifikuar votimin në Komision për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Pas votës në Komision, protokolli i anëtarësimit do të kalojë për votë në Senat. Në një intervistë për Voa-n, Risch u shpreh optimist se votimet mund të përfundojnë brenda qershorit. Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, është nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare në Bruksel në muajin shkurt dhe tash procesi vazhdon në kryeqytetet e tyre, të cilat duhet të ratifikojnë protokollin sipas procedurave të veta. Anëtarësimi i vendit fqinj shihet si një goditje e forte për Rusinë qe e kundërshton zgjerimin e NATO-s .
I pyetur nëse anëtarësimi në NATO, mund të pengojë ndikimin rus dhe përzierjen e saj politike në Maqedoninë e Veriut, Risch u përgjigj se ky do të jetë hapi përfundimtar për refuzimin e Rusisë dhe për ndikimin negativ që ajo synon te shpërndaje.
Maqedonia e Veriut pritet të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, një shans ky që i`u dha pas marrëveshjes së emrit me Greqinë, e cila shënoi fundin e një ngërçi 27 vjeçar.