Presidenti i sapozgjedhur në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski ka nënshkruar dekretet e 21 ligjeve të cilat nuk u firmosën nga ish-presidenti Gjorge Ivanov.
Nga kabineti presidencial njoftojnë se mes të tjerash janë nënshkruar edhe dekretet e Ligjit për Agjencinë Operative Teknike, Ligji për Regjistrin Qendror për të shpërngulurit, për Mbështetjen financiare për investimet, Ligji për komunikime elektronike, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor dhe Ligje të tjera të cilat për shkak se mbanin e emri e ri të shtetit u refuzuan nga ish presidenti.
Në kumtesën e dërguar nga presidenca thuhet se “presidenti Pendarovski vlerëson që këto ligje dhe zbatimi i tyre janë në interes vital për qytetarët e vendit”.
Presidenti Pendarovski konsideron se miratimi i këtyre ligjeve dhe implementimi i tyre i ardhshëm është me interes vital për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me miratimin e ligjeve për gjykata, siç theksohet, plotësohet një nga kërkesat kyçe të Bashkimit Evropian, me qëllim të caktimit të datës për fillimin e negociatave aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me miratimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore, siç potencohet, do të avancohet funksionimi i shtetit në pjesën punëve të ndërlidhura me sistemin politik, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet që dalin nga kjo Marrëveshje dhe do të mundësohet avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan Alsat
Ligji i ri për energjetikë parashikon zëvendësim të karburanteve fosile me energji të marrë nga burimet ripërtëritëse.
Me atë krijohet bazë për zgjidhje të njërës nga çështjet më delikate të shoqërisë tonë, mbrojtje e mjedisit jetësor dhe shëndetin e njerëzve, qëndron në kumtesën e Kabinetit të Pendarovskit.