Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare trajtoi 162 ankesa gjatë vitit të shkuar të cilat kryesisht lidhen me kërkesat për dëmshpërblim që rrjedhin drejtpërdrejt nga kontratat e sigurimit, të lëshuara nga shoqëritë e sigurimit apo me ankesa ndaj operatorëve të tregut të fondeve të investimeve dhe të pensioneve vullnetare.
“Pjesa më e madhe e ankesave për tregun e sigurimeve lidhet me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit dhe kanë të bëjnë kryesisht me vlerësimin e dëmit. Ndërkohë, janë depozituar 80 ankesa në lidhje me pagesat e dëmshpërblimit, objekt i Fondit të Kompensimit.
Në përfundim, rreth 58% e ankesave të konsumatorit janë zgjidhur pas ndërhyrjes së Autoritetit. Rastet e ankesave lidhur me fondet e pensioneve vullnetare lidhen me interpretimin dhe procedurën e zbatueshme në rastet e largimit nga fondi.
Pas diskutimeve me subjektet e mbikëqyrura, çështja është zgjidhur në favor të palës që ka paraqitur ankimin. Ankesat për fondet e investimit janë bërë kryesisht në lidhje me komisionet e aplikuara nga depozitari bankë. Autoriteti ka realizuar një inspektim pas ankesave të marra dhe në një rast ka urdhëruar depozitarin të mos aplikojë komisione shtesë”, njoftoi AMF.
Duke u ndalur tek mbrojtja e investitorëve AMF thekson se ka bërë një sërë paralajmërimesh në lidhje me rrezikun e disa produkteve financiare dhe aktivitetit të shoqërive të palicencuara në tregun e kapitalit.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka rritur në mënyrë të ndjeshme komunikimin me publikun duke u përqendruar në shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve dhe investitorëve.
AMF mbetet e angazhuar për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve, rritjen e transparencës dhe nivelit të edukimit financiar për tregjet nën mbikëqyrje”, thekson AMF në njoftimin e fundit.