MENU
klinika

Çfarë vendos Prokuroria dhe KQZ?

Deputeti rrezikon mandatin, fsheh “burgun” nga formulari

19.05.2019 - 17:10

Pasi u betua këtë javë në Parlament, kryetari i partisë së pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenisheri është një ndër deputetët më të ri të parlamentit të Shqipërisë por dhe më i vjetri në moshë.

Ai vjen nga lista e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës. Megjithëse kaloi pak kohë, derisa të merrte mandatin e deputetit ai e kishte paralajmëruar.

Jenisheri kërkonte nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha që t”i rikonstruktonte godinën e partisë së tij, pasi në rast të kundër do të pranonte të merrte mandatin.

Kur i erdhi thirrja nga KQZ, ai dorëzoi formularin e dekriminalizimit dhe këtë të enjte mori mandatin.

Selami Jenisheri rrezikon ta humbë sërish mandatin pasi mësohet se ka gënjyer në deklarimet e bëra në formularin e dekriminalizimit. Sipas disa vendimeve të siguruara nga News24, ai është dënuar me 8 muaj burg nga gjykata e Shkodrës në vitin 2001 për akuzën e mashtrim, vendim të cilin e ka apeluar në gjykatën e lartë dhe kjo e fundit ka lënë në fuqi dënimin.

Pra megjithëse ka një vendim të formës së prerë, në formularin e dekriminalizimit, Jenisheri thotë se nuk ka qenë në asnjë rast i dënuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tashmë topi i kalon seksionit të dekriminalizimit në prokurorinë e përgjithshme dhe më pas komisionit qendror të zgjedhjeve.

Kreu i partisë së pensionistëve shqiptarë, Selami Jenisheri me shumë mundësi do të jetë deputeti që qëndroi më pak në sallën e parlamentit.