Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vlerësoi Policinë e Shtetit për menaxhimin e protestës së opozitës, ku sipas tij u përball me sulme me bomba molotov.
Ndërkohë që ai ka komentuar dhe arrestimin dhe dhunën ndaj Sahit Dollapit, Sekretarit Organizativ të PD-së, teksa tha se Policia për këtë rast duhet të kishte duruar për pak çaste edhe pse ai bëri rezistencë.
Pjesë nga fjala e Lleshajt:
“Bomba molotov, kapsolla, gjatë përpjekjeve për të djegur institucionet, flakët dhe goditjet rrezikuan seriozisht punonjësit e policisë.
Sulmet e djeshme u përballuan falë përkushtimit dhe profesionalizmit të panjohur më parë të Policisë së Shtetit. Ata burra e gra meritojnë respekt dhe vlerësim. Për orë të tëra përballuan qindra bomba molotov e qindra mjete të tjera.
Dhe ata që u angazhuan në ndalim e Sahit Dollapit, të kishin bërë diçka ndryshe. Të kishin duruar dhe pak sekonda në ndalimin e personit në fjalë… Por nuk mund të justifikohet histeria e zjarrit që u derdh mbi institucionet.
U bëj thirrje të gjithëve për reflektim të thellë ndaj përpjekjeve për destabilizim. Fakti që ideatorët e sulmeve janë të njëjtin persona që kanë prodhuar për këtë vend tragjedi ë mëdha meriton vëmendje të ndjeshme.
Ata që mbronin me qetësi kriminale vrasjen e 4 protestuesve dhe plagosjen e të tjerëve në 2011, i lejojnë sot të drejtën vetes të japin leksione demokracie.
Qeveria shqiptare, ministria e brendshme e mbështesim plotësisht policinë e shtetit për ruajtjen e rendit. Organet kompetente do të marrin masa ligjore për të vënë para përgjegjësisë ata që organizuan dhe vunë në rrezik institucionet e shtetit.”, tha Lleshaj ndër të tjera.