Interi ka marrë një fitore me dorën në zemër në shtëpi ndaj Empolit.
Pjesa e parë ishte totalisht për zikaltërit që bënë një rekord prej 8 goditjeve në portë, por Dragowski ishte në një super formë duke bërë pritje thuajse të pamundura.
Në pjesën e dytë i sapofuturi në fushë Keita Balde zhbllokoi rezultatin dhe vendasit ishin më të qetë duke kontrolluar ndeshjen.
Icardi mund të kishte dyfishuar rezultatin, me një penallti të fituar vetë por argjentinasi gaboi nga pika e bardhë.
Ndeshja u shndërrua në një dramë të vërtetë dhe Empoli barazoi me Traore por Radja Nainggolan riktheu në avantazh vendasit.
Pavarsisht vuajtjeve në minutat e fundit, Inter me fat ka arritur të ruajë vendin e katërt pasi Empoli duhet të paktën të kishte barazuar këtë ndeshje me mundësitë e shumta që ka krijuar në minutat e fundit. Festa në fund ishte e gjitha për zikaltërit.
Atalanta ka fituar 3-1 ndaj Sassuolos dhe ka bërë një arritje të pabesueshme duke u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Champions League.
Ekipi i Gasperinit ka mbyllur sezonin në vend të tretë, duke lënë mbrapa skuadra me histori si Milan dhe Roma.
Ndeshja nisi shumë keq për vendasit teksa Berardi ka shënuar golin e avantazhit për miqtë.
Megjithatë, zbulimi i sezonit, Duvan Zapata ka barazuar pak përpara fundit të pjesës së parë.
Në fundin e pjesës së parë mes lojtarëve shpërtheu sherri gjë që ndihmoi Atalantën të shënontë sërisht me Gomez dhe Pasalic duke vulosur kualifikimin historik në Champions.
Fitorja e Milanit në transfertën ndaj Spalit, me rezultatin 2-3 nuk mjaftoi pasi kuqezinjtë mbetën sërish në vendin e pestë dhe do të duhet të garojnë në Europa League.
Ndërkohë, fitore 2-1 mori Roma përballë Parmës, në sfidën e fundit të Daniele De Rossit me verdhekuqtë, ndërsa Udinese triumfoi 1-2 në transfertën ndaj Cagliarit.
Një barazim pa gola u arrit edhe në “Artemio Franchi” mes Fiorentinës dhe Genoas, rezultat ky që shpëtoi në Serinë A të dy skuadrat dhe rrëzoi një kategori më poshtë Empolin.